Në SHBA, demokratët e Kongresit kërkuan të njihen me të gjitha provat e hetimit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.
Kryetari i komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, demokrati Jerrold Nadler i kërkoi Departamentit të Drejtësisë të dorëzojë raportin e plotë të zotit Mueller, duke thënë se ai nuk mund të pranojë një variant të redaktuar që u publikua të enjten i cili lë “shumicën e Kongresit pa informacionin e duhur lidhur me çështjen”.
“Komisioni ka nevojë dhe gëzon të drejtën e variantit të plotë të raportit si dhe të dëshmive bazë në përputhje me praktikat e kaluara. Redaktimet duket të jenë të mëdha. Deri tani nuk kemi parë asnjë nga dëshmitë që Prokurori i Posaçëm ka pasur për të ngritur këtë çështje“, tha zoti Nadler në një deklaratë.
Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur e ka karakterizuar hetimin e zotit Mueller si një “gjueti shtrigash”. Në një postim në Twitter të premten ai e kritikoi sërish raportin, duke shkruar se “raporti i çmendur i Mueller-it” është përgatitur nga “18 demokratë të inatosur dhe që urrejnë atë dhe se sipas tij, në raport thuhen “budallallëqe” rreth tij.
Në raport jepen hollësi mbi përpjekjet e zotit Trump për të penguar hetimin e zotit Mueller mbi Rusinë, duke u dhënë mjaft demokratëve “municion politik” kundër presidentit republikan.
Raporti prej 448 faqesh bën një pasqyrë të qartë se si Presidenti Trump ishte përpjekur të pengonte hetimin, por nuk dilte në përfundimin se zoti Trump ka kryer krimin e pengimit të drejtësisë, megjithëse nuk e shfajsonte atë nga kjo gjë. voa