Nga Artur Ajazi
Nuk e kanë marrë peng. E kanë molepsur dhe e kanë menderosur, forcën e parë politike pluraliste. E kanë mbushur me medioker, hajdutë, abuzues, sharlatanë, dhe e kanë përdorur, dhe po e përdorin për interesa personale, familjare e farafisnore. Çdo njëri prej atyre që sot gjendet pranë Saliu, është abuzues me ish-pushtetin e tij, është i korruptuar, dhe pasuruar me batakçillëqe, përgjatë viteve të pushtetit tij. Ata janë kthyer në leva, në mumje, në masha të kryetarit Berisha, vetëm e vetëm të futen në lista deputetësh, vetëm e vetëm të jenë me mandate për të mbrojtur jo idealin, jo partinë, por pasuritë e tyre, vilat, pallatet, bizneset, milionat. Ata janë pranë Berishës, si sharlatanë, si të përdorur, si të shitur, dhe të blerë. Ata vijnë nga skutat e pushtetit të atij njeriu, që ka djegur dhe ka vrarë shqiptare, ka kryer 1997, krimin e Gerdecit, 21 Janarit, ka abuzuar me pronat dhe paratë e taksapaguesve shqiptare. Partia Demokratike, është sot partia e krahinës, e klanit, e shefit, dhe e sulltanit të përjetshëm. Dalin dhe djegin dyert e institucioneve, dalin dhe plagosin policët, dalin dhe prishin seancat parlamentare, dalin dhe nxijnë imazhin e vendit në shqip dhe anglisht, dalin dhe baltosin këdo që e shihin si pengesë, në rrugën e tyre të shkaterrimit të opozitës, PD, Shqiperisë. Ata nuk kanë ideal, nuk kanë rybe, nuk kanë sedër, nuk kanë besë, nuk kanë burrëri, nuk kanë keqardhje, ata janë qenie të pashpirt, derisa marrin dhe paguajnë adoleshentët për të hedhur molotovët, dhe vetë pastaj ja mbathin. Ata kanë sot pasuri marramendëse, janë të “krimbur” në para, ata janë lubia vetë. Mjafton ti futesh statistikave të abuzimit dhe vjedhjeve, dhe do të zbulosh brenda PD-së, dhjetra “lubi” që kanë vjedhur dhe janë pasuruar me paratë tona. Dhe më dramatike, situata bëhet kur ata ngrihen në Parlament e bëjnë “të moralshmin”, dhe deklarojnë se “ne opozita jemi për drejtësi”. Për cilën drejtësi ? Për drejtësi për shkaterrimin e vendit, për vjedhjet e pronave të shqiptareve, për 26 viktimat e Gerdecit, për 4 viktimat e 21 Janarit, apo milionat e grabitura sa kishin pushtetin ? Kushdo që vjedh kur është në pushtet, pasurohet me para taksapaguesish, duhet të përballet me organet e drejtesisë. Por kjo nuk ka ndodhur, dhe nuk po ndodh akoma me ish-pushtetaret e kësaj opozite boshe. Shqiptarët duan drejtësi, por jo të njëanshme, duan drejtësi, por jo disa të dalin dhe kapardisen majë makinave 150 mijë euroshe edhe kur nuk janë në pushtet, dhe disa të tjerë të sulmohen pse i akuzon Sali Berisha. Sharlatanizmi nuk ka vend në politikë. Politika është fusha ku luhet pastër, jo me bllofe, mashtrime e skuta, por me realitete ku të pasqyrohet vullneti shumicës, dhe votes së lirë.











