Nga Ben Andoni/
Lajmi më interesant për njerëzit që kanë ndjekur konstituimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ka qenë prania aty e një zonje të mbuluar. Për shumicën e njerëzve as nuk dihet dhe as nuk do të dihet se cilët janë këshilltarët e Tiranës, e megjithatë, në këtë tollovi anonimati, një lajm i ka mbijetuar të gjithë të tjerëve: Prania mes tyre e gruas me shami.
Duket se edhe në fund të vitit 2015, vuajmë nga sindroma e tjetrit ndryshe nga ne. Në fakt, është një lloj lajmi risi, që për herë të parë një grua e devotshme myslimane, e mbuluar me shami është zgjedhur në këshillin bashkiak të Tiranës (Në fakt, ka vend për pak kërkim historik). Ajo është Albina Ferko Nanaj, e zgjedhur në kuadër të listës së Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), por që nga të gjithë intervistat përveçse ka përkthyer në sektorin privat, nuk merret vesh për ndonjë kontribut të spikatur.
Gjithsesi, ajo që nuk qëndron në të gjithë këtë lajm, është zgjedhja e PDIU-së nga ana publicitare. Identifikimi i tyre i parë historik si mysliman në dekadat e shkuara dhe lufta e gjatë diplomatike që po bëjnë me shtetin grek, pikërisht e prek këtë element, që ata tashmë po mundohen ta bëjnë institucion me dashje ose pa dashje. Ndaj, është zgjedhja e tyre dhe e respektuar me qenësinë e gruas, të cilën e përshëndesim dhe e presim, të ketë zërin e saj të mëvetshëm në këtë Këshill. Por pertej te qenit muslimane, zonja Nanaj duhet vlerësuar si intelektuale dhe si grua. Përdorimi publicitar i shamisë së saj është i pavend dhe i tepërt.