Xhani De Biazi kërkon t’i marrë pikë Italisë “së tij” dhe këtë synon ta bëjë duke u mbrojtur. Trajneri i Kombëtares pritet të hedhë një skuadër të kujdesshme në prapavijë me synimin për të mos dalë e mundur nga dueli i së premtes në “Renzo Barbera”.
Nga sa është kuptuar në seancat stërvitore, De Biazi duket se e ka zgjidhur tashmë dilemën e portës, ku Thomas Strakosha e ka fituar duelin me Alban Hoxhën, përcjell “SuperSport”.
Në mbrojtje, mungesën e dy titullarëve të qendrës, Mavraj – Gjimshiti, tekniku kuqezi pritet ta mbulojë me tre lojtarë. Ajetit dhe Veselit do t’i vijë në ndihmë Kukeli, i cili do të dalë edhe përpara në varësi të situatave që do të krijohen në fazën sulmuese.
Nga krahët, Hysaj nga e djathta dhe kapiteni Agolli në anën tjetër, përveç mbrojtjes, do të kenë detyrë edhe të dalin përpara për të shfrytëzuar hapësirat e lëna nga kundërshtari.
Në mesfushën me katër, qendrën do ta marrin Basha dhe Memushaj, dy lojtarë që e përdorin mirë topin dhe që janë titullarë të rregullt në ekipet e tyre. Krahët do të mbulohen nga Roshi në të djathtë dhe Llullaku në të majtë, me Sadikun të vetëm në sulm./PanoramaSport/a.m.