Inteligjenca Artificiale (AI) – veçanërisht mësimi i funksionimit të makinerive– ishte e gjithëpranishme gjatë vitit 2018, dhe po kështu do të jetë edhe gjatë vitit 12019. Por AI do të mbetet edhe në vitet në vazhdim, një pjesë themelore e jetës sonë. Për vitin 2019, dhe ndoshta përtej tij, presim zhvillime të habitshme në këtë fushë, dhe ja cilat janë shkurtimisht ato:
AI do të bëhet gjithnjë e më shumë një çështje e politikës ndërkombëtare
Vitit 2018, i pa fuqitë botërore të jenë gjithnjë e më shumë mbrojtëse të interesave të tyre kombëtare, kur është fjala për tregtinë dhe mbrojtjen. Kjo nuk ka qenë askund më e dukshme se sa në marrëdhëniet midis dy superfuqive të Inteligjencës Artificiale në botë, SHBA-së dhe Kinës.
E përballur me rritjen e tarifave dhe kufizimet e eksporteve për mallrat dhe shërbimet për krijimin AI, të imponuar nga qeveria amerikane, Kina ka shtuar përpjekjet e saj për t’u mbështetur tek forcat e veta, kur bëhet fjalë për kërkimin dhe zhvillimin.
Prodhuesi kinez i teknologjisë, Huauei, shpalli planet e tij për të zhvilluar çipet e veta të AI, duke zvogëluar kësisoj nevojën për industrinë e lulëzuar të Inteligjencës Artificiale të vendit, që të mbështetet aktualisht tek prodhuesit amerikanë si Intel dhe Nvidia.
Njëherazi, Google është përballur me kritika publike për gatishmërinë e saj të dukshme, për të bërë biznes me kompanitë e teknologjisë kineze (shumica e të cilave kanë lidhje direkte me qeverinë kineze), duke u tërhequr (pas presionit nga punonjësit e saj) nga marrëveshjet për të bashkëpunuar me agjencitë qeveritare të SHBA-së, për shkak të shqetësimeve se teknologjia e saj mund të militarizohet.
Me politikën nacionaliste që po përjeton një ringjallje, ekzistojnë 2 rreziqe të dukshme. Së pari, teknologjia e Inteligjencës Artificiale, mund të përdoret gjithnjë e më shumë nga regjimet autoritare për të kufizuar liritë, sikurse është e drejta e privatësisë apo e fjalës së lirë.
Së dyti, këto tensione mund të komprometojnë frymën e bashkëpunimit midis organizatave akademike dhe industriale në të gjithë botën. Kjo kornizë e bashkëpunimit të hapur, ka qenë një instrument i rëndësishëm për zhvillimin e shpejtë të teknologjisë së AI siç e njohim sot, dhe vendosja e kufizimeve, ka të ngjarë ta ngadalësojë këtë përparim.
Një lëvizje drejt një AI transparente
Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në shoqërinë e gjerë – veçanërisht kur përfshin trajtimin e të dhënave mbi njerëzit – pengohet nga “problemi i kutisë së zezë”. Në përgjithësi, veprimet e saj duken të fshehta dhe të padepërtueshme, pa një kuptim të plotë të asaj që po bën aktualisht.
Për të arritur potencialin e tij të plotë, AI duhet të besohet, dhe ne duhet të dimë se çfarë po bën me të dhënat tona, pse dhe si i merr vendimet, kur është fjala për çështje që ndikojnë në jetën tonë.
Në vitin 2019, ne do të shohim një vëmendje më të madhe tek masat e planifikuara për të rritur transparencën e AI. Këtë vit, IBM prezantoi teknologjinë e re për të përmirësuar gjurmueshmërinë e vendimeve në teknologjinë AI OpenScale. Ky koncept, jep njohuri në kohë reale jo vetëm mbi vendimet që merren, por edhe sesi hartohen ato, duke tërhequr lidhje mes të dhënave që përdoren, peshës së vendimeve dhe potencialit për paragjykime mbi informacionet.
AI dhe automatizimi, do të depërtojnë më thellë në çdo biznes
Në vitin 2018, kompanitë filluan ta kuptojnë më mirë atë që mund të bëjë Inteligjenca Artificiale. Tani biznesi i madh është në tërësi i gatshëm, të ecë përpara me nismat në këtë fushë. Në vitin 2019, AI do të shpërndahet në funksione mbështetëse të tilla si përmirësimi i zinxhirëve të furnizimit.
Ne do të shohim ndërkohë një rritje të pranisë së tij, në bizneset që përdorin të dhënat e tyre për të gjeneruar flukse të reja të të ardhurave. Shndërrimi i një burimi të të dhënave në një shërbim, ka qenë transformues për biznese të tilla si John Deere, që ofron analiza bazuar në të dhënat bujqësore, për të ndihmuar fermerët si të risin prodhimet në mënyrën me efikase. Në vitin 2019, më shumë kompani do ta miratojnë këtë strategji, teksa po arrijnë të kuptojnë vlerën e informacionit që zotëron AI.
Më shumë vende pune, do të krijohen se sa do të humbasin nga AI
Gartner parashikon në raportin e tij se deri në fundin e vitit 2019, Inteligjenca Artificiale do të krijojë më shumë vende pune, sesa do të mbyllë. Ndërsa 1.8 milion vende pune do të humbasin nga automatizimi, do të krijohen 2.3 milionë vende të reja pune.
Siopas raportit këto vende pune mund të përqendrohen në arsim, kujdesin shëndetësor dhe sektorin publik. Një nxitës i mundshëm për këtë pabarazi, është theksi i madh që i vihet AI, si një “shtues” i kapaciteteve, kur bëhet fjalë për vendosjen e tij në punë jo manuale.
Punëtorët e magazinave dhe arkëtarët me pakicë, janë zëvendësuar në shumicë nga teknologjitë e automatizuara. Por kur është fjala për mjekët dhe avokatët, ofruesit e shërbimeve të AI kanë bërë përpjekje të bashkërenduara për të paraqitur teknologjinë e tyre, si diçka që mund të punojë së bashku me profesionistët e njeriut, duke i ndihmuar ata me detyra të përsëritura, dhe duke i lënë njeriut “fjalën e fundit”.
Kjo do të thotë që ato industri përfitojnë nga rritja e vendeve të punës njerëzore në anën teknike – ato që nevojiten për të vendosur teknologjinë, dhe për të trajnuar fuqinë punëtore për përdorimin e saj – duke ruajtur profesionistët që kryejnë punën aktuale.
Ndihmësit AI, do të bëhen vërtet të dobishëm
Inteligjenca Artificiale, është futur kaq shumë në jetën tonë tani, sa që shumica e njerëzve futen të kërkojnë në kërkojnë Google, kur synojnë të verifikojnë diçka. Vitin e ardhshëm, ne do të përdorim më shumë se kurrë më parë një ndihmës AI për të rregulluar agjendën tonë, për të planifikuar udhëtimet tona, dhe për të porositur një picë.
Këto shërbime do të bëhen gjithnjë e më të dobishme, kur të mësojnë të parashikojnë sjelljet tona më të mira, dhe të kuptojnë zakonet tona. Të dhënat e grumbulluara nga përdoruesit, u mundësojnë dizajnuesve të aplikacioneve, të kuptojnë saktësisht se cilat karakteristika ofrojnë vlera dhe të cilat janë të nënpërdorura, ndoshta duke konsumuar burime të vlefshme, që mund të përdoren më mirë diku tjetër.
Për pasojë, funksionet për të cila ne dëshirojmë të përdorim Inteligjencën Artificiale – siç është porositja e shërbimit taksi apo e ushqimeve, dhe zgjedhja e restoranteve se ku të shkohet – po bëhen gjithnjë e më të efektshme dhe të arritshme.
Për më tepër, ndihmësit AI janë të dizajnuar që të bëhen gjithnjë e më efikase në kuptimin e përdoruesve të tyre njerëzorë, pasi algoritmet gjuhësore natyrale, përdoren për t’u dhënë të dhëna të lexueshme nga kompjuteri dhe anasjelltas, duke u ekspozuar ndaj gjithnjë e më shumë ndaj informacionit, mbi atë se si komunikojmë./Bota.al/