Në shkurt ka mbushur 35 vjet, por Ronaldo po vazhdon të impresionojë me paraqitjet e tij në Serie A. Aktualisht ai ka 21 gola në Serie A, aq sa gjithë sezonin e kaluar, kunër Interi do të tentojë të vendosë rekord personal me fanellën e Juves. Cristiano Ronaldo, për moshën që ka – është duke zhvilluar një tjetër sezon pozitiv te ‘Zonja e Vjetër’, raporton Gazeta Express.
Madje, është rrugës për ta shndërruar sezonin e dytë te Juve si më të mirin me fanellën e klubit italian. Sezonin e parë ai e mbylli me 21 gola në Serie A në 31 paraqitje, 28 total në 43 paraqitje në të gjitha garat.
Kurse këtë edicion, kur kanë mbetur edhe shumë ndeshje, Ronaldo veçse ka shënuar 21 gola në Serie A aq sa gjithë sezonin e kaluar, në vetëm 21 paraqitje – synimi është që t’i përmirësojë statistikat personale me fanellën e Juves. Ai do të kërkojë të regjistrojë sezonin më të mirë në Serie A të dielën, kundër Interit.
Në të gjitha garat, në vetëm 31 paraqitje, ai ka shënuar 25 gola – është vetëm 3 gola larg barazimit të shifrave si sezonin e parë, çka do të thotë se edhe përkundër se këtë vit është më i vjetër, ai i ka ndryshuar numrat dhe është rrugës për të regjistruar sezonin më të mirë me fanellën e ‘Zonjës së Vjetër’. Në total me Juventusin, që nga viti 2018, Ronaldo ka shënuar 53 gola në 74 paraqitje.