Nuk mbarojnë bëmat e kosovarëve sa i përket korrupsionit. Gjykimi i Besnik Mustafës, i biri i kryeministrit Isa Mustafa, dhe i gjashtë personave të tjerë, të akuzuar për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Mashtrim”, është shtyrë për afat të pacaktuar, pasi dy nga anëtarët e trupit gjykues kishin qëndruar në një hotel në Durrës, pronë e njërit prej të pandehurve.
Media kosovare rrëfen se gjyqtarët e Gjykatës Themelore të Ferizajt, ku po zhvillohet ky gjykim, kishin shkuar në një ekskursion në Durrës nga 8 deri më 11 maj, duke qëndruar në një hotel që doli të jetë pronë e Sibush Hazirit, biznesmenit të akuzuar në këtë proces për mashtrim.
Në këtë proces gjyqësor për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” janë Nexhat Bala, Ismajl Berisha, Besnik Mustafa, Seladin Ujkani dhe Shefqet Krasniqi, ndërsa për “Mashtrim” akuzohen Sibush Haziri e Hamzi Rrahimi. Në fakt, të akuzuarit janë dy zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, tre punonjës të Bankës për Biznes dhe dy biznesmenë, ndaj të cilëve rëndojnë gjashtë vepra penale në lidhje me anulimin e fluturimeve të më shumë se 1.600 udhëtarëve të mbetur në Aeroportin e Prishtinës në vitin 2009. Njëri nga të akuzuarit është Besnik Mustafa, djali i kryeministrit Isa Mustafa, që para gjashtë vjetësh punonte në Bankën për Biznes.









