• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, October 25, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Serbia voton në zgjedhje që vënë në provë pushtetin 14-vjeçar të Vuçiçit, frika për manipulime dhe përballja me Listën e Studentëve

by E B
25/10/2026 10:10
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Qytetarët e Serbisë po u drejtohen kutive të votimit këtë të diel, më 25 tetor, për zgjedhje të tjera të parakohshme parlamentare – të tretat në pesë vjetët e fundit. Në to, një lëvizje studentore e dalë nga një nismë qytetare do të synojë t’i japë fund pushtetit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Sipas të dhënave të para të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), deri në orën 09:00 kanë votuar 12 për qind e votuesve, krahasuar me 5,2 për qind në të njëjtën orë në zgjedhjet e vitit 2023. Ky vlerësim bazohet në të dhënat nga 750 vendvotime.

Vendvotimet janë të hapura nga ora 07:00 deri në orën 20:00, ndërsa të drejtë vote kanë 6.450.523 qytetarë. Votimi po zhvillohet në 8.392 vendvotime, prej të cilave 93 ndodhen jashtë vendit.

Vuçiç dha dorëheqje nga posti i presidentit në fund të shtatorit. Meqë nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë, ai tani synon të bëhet kryeministër, post që e mbajti nga viti 2014 deri kur u zgjodh president, më 2017.

Megjithatë, fushata zgjedhore është shoqëruar me shqetësime gjithnjë e më të mëdha se mund të ketë manipulime zgjedhore.

Zgjedhjet po ndiqen nga afër nga Bashkimi Evropian, i cili e ka kritikuar Serbinë për prapakthim në demokraci nën udhëheqjen e Vuçiçit.

Rezultat i pasigurt

Në një klimë përçarjesh të thella dhe tensionesh shoqërore, Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiçit synon ta ruajë pushtetin pas dy vjetësh protestash masive kundër Qeverisë dhe korrupsionit në mbarë vendin.

Por, për herë të parë në shumë vjet, ajo përballet me një sfidues të vërtetë: Listën Studentore, një lëvizje e dalë nga këto protesta.

“Këto janë zgjedhjet e para në më shumë se një dekadë, rezultati i të cilave është vërtet shumë i pasigurt”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Vladimir Bilçik, ish-raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë.

Sondazhet e deritanishme tregojnë se elektorati në Serbi është kryesisht i ndarë mes atyre që mbështesin një koalicion të gjerë të ndërtuar rreth partisë në pushtet dhe atyre që përkrahin lëvizjen studentore.

Studentët nuk kanë udhëheqës formalë, ndërsa lista e tyre zgjedhore përbëhet nga figura jopartiake, shumica prej të cilave janë profesorë universitarë.

Më 1 nëntor 2024, shembja e strehës së rindërtuar të stacionit hekurudhor të qytetit shkaktoi vdekjen e 16 personave. Dyshimet për korrupsion në punimet e njërit prej projekteve kryesore të Qeverisë, të udhëhequr nga kompani kineze, nxorën protestuesit në rrugë në mbarë vendin.

Qeveria i mohoi akuzat, ndërsa protestuesit u përballën me dhunë policore dhe arrestime. Një nga incidentet më të rënda ndodhi më 15 mars 2025, kur autoritetet dyshohet se përdorën në mënyrë të paligjshme një armë zanore kundër demonstruesve paqësorë.

Vuçiç përballë Listës Studentore

Mbi 6.4 milionë qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin mes 2.418 kandidatëve për 250 vendet e Parlamentit. Megjithatë, gara pritet të zhvillohet kryesisht mes partisë së Vuçiçit dhe Listës Studentore.

Në qendër të saj janë vazhdimi i politikave të Vuçiçit, përfshirë lidhjet e ngushta me Rusinë dhe Kinën, dhe zotimi i studentëve për ta luftuar korrupsionin.

Disa ligjvënës amerikanë kanë paralajmëruar se Moska mund të luajë rol aktiv në zgjedhje, ndërsa Parlamenti Evropian ka ngritur shqetësime për operacionet e ndikimit rus në Serbi.

“Rusia po vë në dispozicion burimet, taktikat dhe metodat e saj më të mira për të monitoruar, shtypur dhe penguar qytetarët e Serbisë, si dhe lëvizjen e fuqishme studentore që dëshiron të rivendosë sundimin e ligjit në vend”, tha për REL-in kongresisti republikan Joe Wilson.

Përveç lidhjeve të ngushta me Rusinë, furnizuesen kryesore të Serbisë me gaz, Vuçiçi është përpjekur t’i forcojë marrëdhëniet me Kinën, një investitore e madhe në vend, duke ruajtur njëkohësisht synimin e kahershëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai ka synuar gjithashtu t’i përmirësojë raportet me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

Gjatë fushatës, ai u zotua se do ta vazhdojë këtë kurs të politikës së jashtme, përfshirë refuzimin për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, pavarësisht thirrjeve të BE-së.

Lëvizja studentore, ndërkaq, e ka lënë politikën e jashtme në plan të dytë. Megjithatë, ajo ka kundërshtuar sanksionet ndaj Rusisë dhe ka përsëritur mbështetjen për qëndrimin zyrtar të Beogradit kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Kjo tregon se edhe studentët nuk janë në gjendje t’i shpëtojnë kurthit të politikës nacionaliste të Serbisë, e cila ndërtohet mbi mitin e Kosovës”, tha për REL-in profesori nga Beogradi, Zharko Koraq.

Droja për manipulim zgjedhor

Fushata zgjedhore është shoqëruar me shqetësime në rritje për manipulime të mundshme në votimet e së dielës. Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë ka zbuluar se rreth 500.000 persona janë regjistruar për të votuar pa adresë të plotë.

REL-i ka gjetur gjithashtu se qindra votues janë regjistruar në objekte publike, përfshirë qendra të punës sociale, si dhe në shtëpi ku nuk mund të banonin aq shumë persona. Autoritetet i kanë hedhur poshtë këto akuza.

Hulumtimet kanë nxjerrë në pah edhe rritjen, para votimit, të numrit të personave me të drejtë vote në zgjedhjet serbe në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.

Serbët etnikë në të dyja vendet konsiderohen burim i rëndësishëm mbështetjeje për partinë e Vuçiçit.

Zgjedhjet e fundit në Serbi, të mbajtura më 2023, u pasuan nga protesta të shumta, pasi vëzhguesit ndërkombëtarë raportuan parregullsi, përfshirë transportimin me autobusë të votuesve nga Bosnje e Hercegovina fqinje dhe frikësimin e votuesve.

Një grup dypartiak senatorësh amerikanë u ka bërë thirrje autoriteteve serbe të sigurojnë kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, duke iu referuar “shenjave shqetësuese” para votimit të 25 tetorit.

Deklarata e publikuar më 21 tetor nga Komiteti i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë përmendi raportimet për përgjim të paligjshëm të anëtarëve të opozitës dhe përpjekjet për të diskredituar e penguar misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve.

Një analizë e pavarur forenzike nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë ka konfirmuar gati 20 raste të përdorimit të programeve të paligjshme të përgjimit që nga fillimi i vitit 2026.

Opozita dhe studentët i akuzojnë autoritetet për këto përgjime, ndërsa zyrtarët qeveritarë mohojnë se po spiunojnë kundërshtarët e tyre.

Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka angazhuar 14 ekspertë dhe 30 vëzhgues afatgjatë për zgjedhjet në Serbi, ndërsa ditën e votimit do t’u bashkohen edhe 300 vëzhgues afatshkurtër.

Ndryshim pushteti, vazhdimësi ndaj Kosovës

Gara mes SNS-së së Vuçiçit dhe Listës Studentore pritet të jetë e ngushtë, por sondazhet japin rezultate të ndryshme.

Faktor Plus e nxjerr listën e Vuçiçit përpara, me 48.6 për qind kundrejt 37.1 për qind për studentët. Ndërkaq, platforme serbe per analiza politike dhe sondazhe, NSPM, u jep epërsi këtyre të fundit, me 44.4 për qind kundrejt 41.7 për qind.

Për Kosovën, megjithatë, ndryshimi i pushtetit në Beograd nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht ndryshim të qëndrimit ndaj shtetësisë së saj. Siç tregojnë edhe qëndrimet e studentëve për politikën e jashtme, kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës mbetet pikë e përbashkët mes dy blloqeve.

Në maj, lëvizja studentore e konkretizoi këtë qëndrim përmes një memorandumi, në të cilin e quajti Kosovën “pjesë të patjetërsueshme dhe përbërëse” të Serbisë.

Sipas Marko Savkoviqit, bashkëpunëtor i Qendrës për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Beograd, kundërshtimi i shtetësisë së Kosovës nuk filloi me Vuçiçin dhe nuk ka gjasa të përfundojë me të. Ai vlerëson se hapësira politike për një qasje thelbësisht tjetër ndaj statusit të Kosovës mbetet shumë e kufizuar.

“Kur bëhet fjalë për kundërshtimin e vetë shtetësisë së Kosovës si koncept, kjo është sigurisht politikë shtetërore dhe këtu mund të pritet njëfarë vazhdimësie, kushdo që të jetë në pushtet në Serbi. Opsionet politike që e pranojnë gjendjen de facto, sepse Kosova de facto është shtet, janë të pakta, janë në margjinat politike”, thotë Savkoviq për programin Expose të Radios Evropa e Lirë./REL

Next Post
Protesta e dhunshme në Tiranë, 23 të arrestuar dhe 30 të shpallur në kërkim

Protesta e dhunshme në Tiranë, 23 të arrestuar dhe 30 të shpallur në kërkim

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Flakët përfshijnë karriget e Ramës para Kryeministrisë, protestuesit refuzojnë dialogun dhe kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë

Flakët përfshijnë karriget e Ramës para Kryeministrisë, protestuesit refuzojnë dialogun dhe kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë

October 25, 2026
Lutje edhe falenderim për Edi Ramën dhe Shefqet Kastratin

Pse nuk ngjajnë studentët në Serbi me ata në rrugët e Tiranës?

October 25, 2026
“Duart larg studentëve!” Gazment Bardhi apel policisë: Ndalni terrorin ndaj rinisë

“Shpalli diktaturën!”, Bardhi reagon për paketën ligjore: Rama i gatshëm t’ia nxjerrë sytë kujtdo që i rrezikon pushtetin

October 25, 2026
Von der Leyen në Tiranë, Zogaj: Dy sfidat e mëdha të Shqipërisë janë drejtësia dhe mjedisi

Shqipëria kërkon një alternativë fituese të pushtetit

October 25, 2026
Netanyahu publikon ‘bombën’ mbi Tel Aviv: Kjo ndodh nëse Irani pajiset me armë bërthamore

Netanyahu publikon ‘bombën’ mbi Tel Aviv: Kjo ndodh nëse Irani pajiset me armë bërthamore

October 25, 2026
Serbia nuk lejon deputetët e Kosovës të hyjnë në Preshevë as për ngushëllime, Sinani: Politika diskriminuese edhe në raste vdekjeje

Serbia nuk lejon deputetët e Kosovës të hyjnë në Preshevë as për ngushëllime, Sinani: Politika diskriminuese edhe në raste vdekjeje

October 25, 2026
Nis protesta, protestuesit mblidhen para Ministrisë së Arsimit, nisin sulmet ndaj godinës

Nis protesta, protestuesit mblidhen para Ministrisë së Arsimit, nisin sulmet ndaj godinës

October 25, 2026
Papa Leo mban fjalimin e tij para besimtarëve 2 javë pas operacionit, bën thirrje për ndalimin e dhunës në Jemen

Papa Leo mban fjalimin e tij para besimtarëve 2 javë pas operacionit, bën thirrje për ndalimin e dhunës në Jemen

October 25, 2026
Për herë të parë në Shqipëri, Asambleja Euro-Mesdhetare mbledh mbi 80 përfaqësues nga rajoni dhe BE-ja

Për herë të parë në Shqipëri, Asambleja Euro-Mesdhetare mbledh mbi 80 përfaqësues nga rajoni dhe BE-ja

October 25, 2026
Italia vlerëson Shqipërinë dhe Malin e Zi: Në zgjerimin e BE, jo anëtarësime “të klasit të dytë”

Italia vlerëson Shqipërinë dhe Malin e Zi: Në zgjerimin e BE, jo anëtarësime “të klasit të dytë”

October 25, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In