Serbia do ta ketë të vështirë ta ndalojë anëtarësimin e Kosovës në agjencinë e OKB-së për arsim, shkencë dhe kulturë UNESCO, pasi që forma e votimin është e pafavorshme për Beogradin, shkruan Danas. Pas deklaratës së ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçit se Kosova ka bërë kërkesë për anëtarësim në UNESCO, në Beograd ka filluar të mendohet nëse një gjë e tillë do të mund të parandalohej.
Megjithatë, siç thonë burime të Danas brenda qeverisë serbe, kjo betejë do të jetë e vështire dhe pasigurtë. Sipas këtyre burimeve, Serbia do të bëjë çmos, por mënyra e votimit është e pafavorshme, pasi kërkohet vetëm shumica.
“Ashtu siç na është thënë, së pari voton Këshilli Ekzekutiv, ku shumica e shteteve janë që e kanë njohur Kosovën, ndërsa më pas do të mund të kërkohet një mendim ligjor dhe të vendosë Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s”, shkruan Danas, transmeton lajmi.net.









