Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka komentuar shortin e kualifikueseve të Kampionatit Botëror 2026, ku Shqipëria dhe Serbia janë përballë njëra-tjetrës në Grupin K.
Në një prononcim për mediat serbe, Vuçiç ka pranuar se përballja e parë me Shqipërinë në Tiranë do të jetë një sfidë e vështirë, ndërsa vlerësoi cilësinë e përfaqësueses kuqezi. “Kanë një skuadër të fortë, solide dhe serioze. Shqipëria është një kundërshtar i respektuar,” tha ai.
Megjithatë, Presidenti serb theksoi se beson te forca e ekipit të tij kombëtar. “Serbia është më e fortë dhe do të fitojmë. Ne kemi një kalendar të favorshëm dhe jam i bindur në suksesin e lojtarëve tanë. Ndeshja e parë në Tiranë do të jetë problematike, por kemi besim,” u shpreh Vuçiç.
Gjithashtu, Vuçiç shtoi: “Marrëdhëniet me shqiptarët janë shumë më mirë tani. Do të ketë shumë pasion në këtë sfidë, por ne do të shkojmë për fitore,” përfundoi ai.
Kombëtarja shqiptare dhe ajo serbe pritet të zhvillojnë ndeshje të tensionuara, por edhe me një interes të jashtëzakonshëm nga tifozët, për shkak të historisë së tyre sportive dhe jo vetëm. Përballja e parë në Tiranë konsiderohet një test i vështirë për të dy ekipet, që synojnë një biletë për në Kampionatin Botëror.