Një udhëheqës i revoltës së dhunshme të vitit 2011 kundër qeverisë në Prishtinë ka punuar për figurat publike të afërta me partinë në pushtet në Kosovë, për të fituar para në ndërtimin e ‘Autostradës Patriotike’ që ka kushtuar një miliard euro.
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka zbuluar fakte që biznismeni famëkeq dhe nacionalist serb, Zvonko Veselinoviq, ka transportuar material për një kompani të njohur që është në pronësi të shqiptarëve të Kosovës dhe e lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Mallrat ishin shitur tek gjiganti amerikan i ndërtimit Bechtel dhe partneri i saj turk Enka, punëkryerësi kryesor i projektit më të madh infrastrukturor në Kosovë, autostradës Prishtinë-Tiranë.
Veselinoviq ka qenë anëtar i grupit serb tashmë të shpërbërë, të njohur si Rojat e Urës, që fajësohet për sulme ndaj shqiptarëve në qytetin e ndarë të Mitrovicës. Ai pranon që ka luajtur një rol të madh në trazirat e korrikut 2011.
Gjatë atyre tetë muajve të nxehtë, pikat kufitare ishin djegur, në veri të Kosovës u vendosën barrikada nga zhavorri dhe kamionë, një polic i Kosovës ishte vrarë dhe një numër i paqëruajtësve ndërkombëtar dhe protestuesve ishin lënduar.
Por, BIRN ka zbuluar se Veselinoviq po ashtu ka transportuar gur nga gurëthyesi i Arena Invest në veri të Kosovës gjersa rrugët ishin bllokuar nga barrikadat që ai ndihmoi ti krijonte. Arena Invest është në pronësi të tre shqiptarëve të njohur nga Kosova: ish ambasdori i Kosovës në Uashington, qiradhënësi i kryeministrit të asaj kohe Hashim Thaçi dhe një ish komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – si dhe një politikani serb të Kosovës.
Veselinoviq e ka portretizuar vetveten si një mburojë ndaj autoriteteve të shqiptarëve të Kosovës, duke marrë përkrahje nga qeveritë e njëpasnjëshme për atë që ai e cilëson si mbrojtje të interesave serbe në ish-krahinë, duke përfshirë edhe atë nga kryeministri i tanishëm serb Aleksandar Vuçiq.
Pronarët e Arena Invest nuk e mohojnë që kanë punuar me Veselinoviqin, edhe pse ata argumentojnë që nuk janë përgjegjës për veprimet e “nën-kontraktorit” të tyre.
Duke punuar me ‘armikun’
Në janar 2012, Thaçi, në atë kohë kryeministër i Kosovës, paralajmëroi bashkëatdhetarët e tij që mos të “veprojnë me mentalitetin e Zvonko Veselinoviqit”.
Por vetëm disa muaj më herët, Arena Invest, një firmë në pronësi të bashkëpunëtorëve të tij, kishte filluar të bëjë biznes me Veselinoviqin, duke përdorur shërbimet e tij logjistike duke u përpjekur që të përfitojnë nga rritja e madhe e ndërtimtarisë, që ishin si pasojë e vendimit të Thaçit për të ndërtuar autostradën një milliardëshe, një simbol i bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve etnik të Kosovës dhe Shqipërisë.
Veselinoviqi mori famë ndërkombëtare për rolin e tij në trazirën e vitit 2011, por ka qenë për një kohë të gjatë në radarin e agjencive të zbatimit të ligjit dhe e pranon që është bërë i pasur duke shmangur pagesën e taksave tek autoritetet e Kosovës.
Ai ishte gjykuar dhe shpallur i pafajshëm për trafikim heroine në vitin 2003 në Serbi, marrë në pyetje por asnjëherë i akuzuar për një vrasje në Graçanicë, në periferi të Prishtinës; dhe arrestuar nga policia e OKB-së në Kosovë, por liruar më vonë, me dyshimet për një vrasje tjetër në vitin 2004. Ai mohon të ketë bërë ndonjë krim.
Në vitet vijuese ai shfrytëzoi vendimin e Serbisë të vitit 2005 për të hequr TVSH-në në mallrat e shitura në veriun e Kosovës të dominuar nga serbët, jashtë kontrollit të Prishtinës, që de facto u bë zonë e lirë doganore.
Familja e Veselinoviqit ka në pronësi dy pompa të benzinës dhe akuzohen të jenë involvuar në kontrabandë të karburanteve, naftës, cigareve dhe alkoolit, sipas dokumenteve të para nga BIRN, nga prokurorë në Mitrovicë të lidhur me një hetim aktual.
Zharko Veselinoviq, vëllau i Zvonkos, ishte shpallur fajtor për pengim të një polici të Kosovës pasi që ky i fundit tentoi të ndalojë një cisternë të karburantit të kontrabanduar që ishte nisur për në pompën e benzinës së familjes së tij në vitin 2010.
Sidoqoftë, deri më tani, bashkëpunimi i ngushtë i Zvonkos me figura të larta shqiptare ka mbetur vetëm në nivel të spekulimeve.
Bashkëpronari i Arena Invest, Akan Ismaili, ka qenë ambasador në Uashington nga viti 2012 deri në fillim të vitit 2015, padyshim posti më i rëndësishëm në diplomacinë e jashtme kosovare.
Së bashku me Ismailin është edhe drejtori i IPKO-s Bujar Musa, një shok dhe qiradhënës i Hashim Thaçit.
Pronari i tretë, Fadil Demiri, ka qenë një figurë e lartë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nga e cila u krijua PDK. Ai po ashtu ka në pronësi edhe degën e Arena Invest në Shqipëri, e cila sipas raporteve të shtypit serb, do të investoj 60 milionë në ndërtimin e digave në Shqipëri së bashku me firmën shtetërore serbe, Hidrotehnika-hidroenergetika.
Hisedari i fundit, sipas të dhënave zyrtare, është Aleksandar Mihajloviq, që në mënyrë të pasuksesshme garoi në zgjedhjet për Kuvend të Kosovës në kuadër të partisë pro Beogradit, Lista Serbe. Më herët ai ka qenë drejtor i shërbimeve publike në komunën e Graçanisës, një enklave serbe në periferi të Prishtinës.
Gazetari Berat Buzhala, deputet në Kuvendin e Kosovës deri në vitin 2014 nga radhët e PDK-së së Thaçit, që ka lidhje me Ismailin dhe Musën, ishte përmendur shkurtazi si bashkëpronar i firmës në vitin 2009, para se ajo të fillonte funksionalizimin e gurores.
Fidan Kalaja nga organizata jo-qeveritare FOL i ka thënë BIRN-it se është ironike që “një i ashtuquajtur Roje e Urës që kishte barrikaduar një pjesë të tërë të vendit ka përfituar materialisht nga ndërtimi i autostradës së kombit”.
Veselinoviq ‘në kontakt të drejpërdrejt’ me Arenën
Gjatë një procesi gjyqësor të mbajtur rishtazi në Gjykatën për Krime të Organizuara në Beograd, Veselinoviq e ka pranuar që ka punuar me Arena Invest përmes firmës Euro-kop dhe pronarit të saj Dragan Çurqiq, që menaxhon një autopark të fortë makinerish, për të ofruar material ndërtimor për ‘Autostradën Patriotike’.
Ai është përballur me akuza për ndihmë dhe nxitje të shpërdorimit të detyrës zyrtare, pasi dyshohet se ka marrë 31 kamionë të vjedhur në Kosovë nga Euro-kop kundër vullnetit të pronarit – Hypo Alpe Adria Leasing Belgrade – duke e lënë bankën Austriake pa 2.2 milionë euro.
Gjatë gjykimit, ai i ka thënë gjykatës që i ka marrë kamionët nga Çurqiqi për të zgjidhur një borxh por ai ka insistuar që nuk e ka ditur që ata ishin marrë në mënyrë të jashtëligjshme nga Hypo.
Përderisa e ka pranuar që ka përdorur kamionët e Hypos për të ndërtuar barrikadat dhe “rrugët alternative”, rrugë ilegale këto për të shmangur EULEX-in (Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë) dhe masat kundër kontrabandës nga Policia e Kosovës, ai ka argumentuar që kamionët e Hypos nuk janë përdorur për të bartur material në Bechtel apo për punë tjera të ngjashme.
Në shkurt të vitit 2015, pronari i Euro-kop, Çurqiq, ishte shpallur fajtor për shpërdorim të detyrës zyrtare në të njëjtin gjykim dhe ishte dënuar me dy vite përderisa Veselinoviq ishte shpallur i pafajshëm, edhe pse BIRN ka mësuar që prokuroria synon ta apeloj vendimin.
Euro-kop po ashtu përmendet në një gjykim tjetër kundër Veselinoviqit, në të cilin ai akuzohet për ndihmesë dhe nxitje të shpërdorimit të detyrës zyrtare në një gjykatë në Pirot në Serbi. Dyshohet që ai dhe tre të bashkë-akuzuarit kanë ofruar zhavor të nxjerrur në mënyrë të paligjshme në vlerë prej rreth 500 mijë eurosh, të transportuara nga Euro-kop dhe një kompani të tjera për gjigandin austriak të ndërtimit, Alpine Bau për ndërtimin e autostradës në Serbinë jugore.
Veselinoviq dhe tre të akuzuarit e tjerë i kanë mohuar akuzat.
Veselinoviq i ka thënë gjykatës në Beograd se ka qenë në kontakt të drejpërdrejtë me “Acën nga gurëthyesi”, duke iu referuar pronarit të Arena Invest, Aleksandar Mihajloviq, dhe pronarit të Euro-kop Çurqiq për të organizuar kamionët për transportim të gurëve në Bechtel-Enka.
Ai i ka thënë gjykatës: “E kam thirrë Draganin [Çurqiqin, pronarin zyrtar të Eurokop] dhe i kam thënë “sa kamiona mund të mi japësh?”
“Filluam të punojmë, një herë kishim pesë dhe një herë shtatë kamionë. Për njëzet ditë, një muaj, ne ishim duke punuar pastaj filluan barrikadat dhe të gjitha problemet.”
Veselinoviq nuk iu përgjigj pyetjeve që kishin të bënin me marrëveshjen me Arena Invest.
Patriotizëm apo fitim?
Arena Invest nuk e mohon që ka bërë biznes me Veselinoviqin, por pretendojnë që ata nuk kanë qenë përgjegjës për “nënkontraktorët” Euro-kop.
Mihajloviq i ka thënë BIRN-it që Euro-kop ka qenë e kontraktuar nga Arena Invest për të transportuar të gjithë materialin tek baza e asfaltit të Bechtel-Enkas në Prizren, edhe pse ai tha që është marrë me pronarin aktual Çurçiq, në kundërshtim me deklaratat në gjykatë të Veselinoviqit.
“Ne kemi nënshkruar një marrëveshje me pronarin [Çurçiq] për përdorimin e kamionëve të tyre për të furnizuar Bechtelin me asfalt për atë autostradë”, tha ai, duke shtuar që nafta e përdorur për kamionë ka ardhur nga Veselinoviq.
Dokumentet e rrjedhura nga laboratori i Bechtelit kanë zbuluar që materiali i Arena Invest ka qenë i shpërndarë ndërmjet, në minimum, një periudhe katër mujore në mes muajve prill dhe korrik 2011.
Një raport i publikuar nga firma kroate Ramtech, e kontraktuar nga Bechtel Enka për të bërë testet e kontrollit të cilësisë në materialin e ndërtimit, tregon që Arena Invest kishte për obligim të furnizonte Bechtelin me 80,000 ton të materialit ndërtimor si furnizuesi i vetëm i shtresës së sipërme të asfaltit për gjysmën e autostradës 77 kilometërshe.
Por si duket bashkëpunimi u ndërpre, ku pronarët e Arena Invest u ankuan që çmimet e Bechtel-Enkas ishin shumë të ulëta.
Pronari i Arena Investit dhe drejtori i IPKO-s, Musa ka thënë që e ka menduar vetën si patriot duke investuar në veri të Kosovës dhe se nuk ka pasur ide kush ishte Veselinoviqi para vendosjes së barrikadave në korrik të vitit 2011.
“Kush e bëri transportin? Nuk e di. Kurrë nuk e kisha dëgjuar emrin e Zvonko Veselinoviqit deri në vendosjen e barrikadave në veri”.
Partneri i Musës në biznes, Ismaili, i ka thënë BIRN-it që ata nuk ishin përgjegjës për veprimet e “nënkontraktorit”, duke iu referuar faktit që, zyrtarisht, transportin e ofronte Euro-kop me seli në Rashkë.
“Ne si kompani nuk i kemi ndjekur asnjëherë aktivitetet e personit që ju e përmendni [Veselinoviqit]. Ata kamionë apo shoferët e tyre asnjëherë nuk janë angazhuar [drejtpërdrejtë] nga ne”, tha ai përmes drejtorit të kompanisë, Artan Lahaj.
Bashkëpronari Demiri ka thenë: “Krejt çka kam dëgjuar ishte që një kompani nga Rashka ishte e përfshirë me Arenën. Ne nuk kemi ditur për Veselinoviqin. Ndoshta ai ka qenë prapa tyre, ndoshta më vonë”.
Bechtel-Enka ka refuzuar të komentojë.
Kalaja, zëvëndës drejtor i OJQ-së FOL, i ka thënë BIRN-it që nuk është e ndershme për Arena Invest që të hedhin përgjegjësinë tek “nënkontraktorët” e angazhuar.
“Bechtel-Enka dhe Arena Invest është dashtur që të sigurojnë rregullësinë ligjore të nënkontraktorëve të tyre në ndërtimin e autostradës sepse ky ndërtim ishte bërë me paratë e taksapaguesve të ndershëm të Kosovës”.
Dragan Popoviq, udhëheqës i institutit Qendra e Politikave me seli në Beograd, i ka thënë BIRN-it që shqiptarët dhe serbët “patriot” në Kosovë kanë bashkëpunuar gjatë, për të bërë para.
“Politikanët serb në Kosovë janë ndjerë gjithmonë komod për të bashkëpunuar me kolegët e tyre shqiptarë”, tha ai.
“Nuk është befasi që nacionalistët e famshëm serb dhe ‘mbrojtësit’ e Kosovës e bëjnë punën e tyre në ndërtimin e autostradës Prishtinë-Tiranë përderisa në anën tjetër ngrisin barrikada. Në të dyja rastet ata bëjnë para që, si rregull, është gjithëmonë prapa të ashtuquajturit patriotizëm.
“Në fund, duket që ata që flasin më së shumti për ‘patriotizëm’ dhe ‘interesa kombëtare’ janë ata që përfitojnë më së shumti”.
Përkrahësit e fuqishëm të Veselinoviqit
Vëllëzërit Veselinoviq, Zvonko dhe Zharko, përmenden në publik jo vetëm si të afërm me qeveritë paraprake dhe atë të tanishme në Serbi, por po ashtu edhe si të zot për të urdhëruar vendosjen dhe heqjen e barrikadave dhe nxitjen e trazirave në veri të Kosovës.
Sidoqoftë, pas dhunës në korrik të vitit 2011 në Jarinjë, një pikëkalim kufitar ndërmjet Kosovës dhe veriut të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar e ka ngritur presionin në qeverinë e Serbisë për të arrestuar Zvonkon. Si rezultat, qeveria e Serbisë, atëherë e drejtuar nga Partia Demokratike, e ka distancuar veten nga ai.
Veselinoviq e ka pranuar në Gjykatën për Krim të Organizuar në Beograd që kamionët Euro-kop – edhe ata që është vërtetuar që janë vjedhur nga Hypo – ishin përdorur për të ndërtuar barrikadat dhe ‘rrugët alternative”, rrugë këto të ndërtuara në vitin 2011 pasi që EULEX dhe Policia e Kosovës u përpoqën të ndalojnë kontrabandimin.
“Ata dhjetë kamionë të Hypos ishin në gjendje të keqe kështu që i përdorëm për barrikada”, tha ai në gjykatë.
Në shkurt të vitit 2015, pronari i Euro-kop Dragan Çurçiq ishte shpallur fajtor për shpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me vjedhjen e kamionëve të Hypos në të njëjtin gjykim dhe ishte dënuar me burgim dy-vjeçar. Veselinoviq ishte liruar nga të gjitha akuzat edhe pse prokurorët synojnë që të apelojnë vendimin.
Ai po ashtu i ka thënë gjykatës që ai i ka vendosur barrikadat në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e mëhershme, të udhëhequr nga Partia Demokratike, diçka që partia e mohon.
“Gjithëçka filloi kur ROSU [Njësia Speciale e Policisë së Kosovës] erdhi në veri të Kosovës”, i tha ai gjykatës, duke iu referuar një përpjekjeje të bërë nga Policia e Kosovës në korrik të 2011-ës për të marrë në kontroll pikat kufitare në veri, duke i dhënë shkas trazirës.
“Isha me familjen time në Budvë. Morra një telefonatë nga një shok nga ‘mbrojtja e qytetit’, kështu që lashë gruan dhe fëmijët dhe u ktheva në veri të Kosovës”.
“Me trupat tanë ne mbrojtëm veriun e Kosovës”, i tha ai gjykatës. “Ne erdhëm në përfundim që duhet të ndërtojmë barrikadat, kështu që u ulëm të gjithë së bashku në Rudarë (veri i Kosovës) dhe bëmë plane ku të ndërtojmë barrikadat dhe ku të vendosim njerëzit tanë.
“Të gjithë kamionët e mi i vura në dispozicion të veriut të Kosovës. Dhe në këtë kohë, kisha mungesë të kamionëve për biznesin tim”.
Aleksandër Vuçiq, në atë kohë kryetar i SNS-së dhe tani kryeministër i Serbisë, publikisht e ka përkrahur Veselinoviqin duke thënë në tetor të vitit 2011 se nëse ai arrestohet, atëherë me gjyqin duhet përballur edhe Borislav Stefanoviq, udhëheqës i negociatave Prishtinë-Beograd dhe Goran Bogdanoviq, në atë kohë ministër për Kosovën.
Sipas Vuçiqit, kriminalizimi i Veselinoviqit do të thoshte kriminalizim i të gjithë serbëve të Kosovës.
Zvonko, 34 vjeçar, dhe vëllau i tij Zharko, 30 vjeçar, aktualisht janë duke u hetuar nga EULEX-i në Kosovë për krime që supozohet që kanë ndodhur gjatë trazirës së vitit 2011.
Është lëshuar një urdhër për arrestimin e tyre nën dyshimin e vrasjes, rrezikimit të jetës së paqëruajtësve ndërkombëtar dhe kontrabandës por dyshja vazhdon të endet e lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata i mohojnë të gjitha akuzat.
Pavarësisht akuzave kundër familjes Veselinoviq, që përfshin raste në gjykata të Kosovës dhe Serbisë, bizneset e tyre vazhdojnë të kenë sukses falë patronatit nga Beogradi, përfshirë një hise prej 75 milionë dollarësh nga një kontratë ndërtimi e dhënë heshturazi nga një kompani shtetërore.
Ivan Angelovski ka kontribuuar në këtë artikull
Ky hulumtim është prodhuar nga BIRN si pjesë e projektit ‘Gjurmimi i Dokumenteve për një Qeverisje më të Mirë’.