Për 72 orë, duke filluar nga e diela në Serbi ka nisur mbledhja e 100 mijë nënshkrimeve për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. “Na duhen 100 mijë nënshkrime në 72 orët e ardhme për ta penguar pranimin e Kosovës në UNESCO”, është arsyetimi i këtij peticioni i cili ka nisur të nënshkruhet online.
Ky peticion është nisur nga organizata ‘28 Qershori’ bashkë me regjisorin e njohur të filmit Boris Malagurski, në tentimin e fundit për ta anuluar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO.
“Qëllimi ynë është të mbledhim 100 mijë nënshkrime para vendimit në Kuvend që do të mbahet më 21 tetor. ‘28 Qershori’ në të kaluarën ka bashkëpunuar me Kombet e Bashkuara dhe do të shfrytëzojë të gjitha kontaktet në mënyrë që të ndikoj në vendim, por lusim opinionin që të shprehin qëndrimin e tyre”, thuhet në kërkesën e tyre, transmeton KosovaPress.