Mesditën e sotme, lumi Seman ka çarë argjinaturën në disa segmente, në afërsi të fshatrave Ndërnënas dhe Hasturkas në Libofshë, si pasojë e prurjeve të shumta.
Uji ka vërshuar përtej argjinaturës duke përmbytur tokat bujqësore dhe duke alarmuar banorët e zonës.
Banorët shprehen se nuk kanë parë kurrë një nivel kaq të lartë prurjesh dhe ndihen të frikësuar për rritjen e mëtejshme të ujërave, të cilat po i afrohen zonave të banuara.
“Kjo është hera e parë që ndodh kjo situatë. Është gjë tepër kritike, unë jam afro 70 vjeç dhe në këtë gjendje asnjëherë nuk e kam parë. Ndërsa im atë 98 vjeç dhe tregon që nuk është mbytur ndonjëherë kjo zonë. Këto janë gjëra të natyrës por edhe të dorës së njeriut sepse grryejnë argjinaturën dhe duke kaluar, ajo ka bërë vendin e vet. Janë me qindra hektarë momentalisht të përmbytura dhe niveli i ujit po rritet,” – u shpreh një prej banorëve.
Përballë kësaj situate alarmante, forcat e Bordit të Kullimit ndodhen në terren dhe po punojnë me mjete të rënda për disiplinimin e ujërave që derdhen në kolektorin e hidrovori të Karavastas, me qëllim shmangien e përmbytjes së banesave dhe paneleve fotovoltaike.
“Me marrjen e njoftimit nga Njësia Administrative Libofshë, nëpërmjet kryetarit të saj, Bordi i Kullimit Fier, edhe pse ishte i angazhuar në shumë situata të tjera, sikurse ka qenë kaskada e lumit të Vjosës, u angazhua edhe në lumin e Semanit. Në mënyrë urgjente një eskavator është duke punuar, ndërsa aktualisht po vjen një tjetër mjet për të bërë të mundur minimizimin, aq sa na lejon terreni, për të mbrojtur tokën bujqësore por edhe panelet fotovoltaike. Vazhdon të jetë në nivele të larta prurja e lumit Seman, gjë që vazhdon të përmbytë tokat e fshatit Ndërnënas”.
Situata në qarkun Fier
Autoritetet lokale raportojnë se akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm është në normalitet. Hidrovoret janë në gjendje pune me kapacitet të plot
Vjosa: Prurjet janë në kuota normale me tendencë uljeje, ndërsa vazhdon tërheqja e ujërave nga tokat bujqësore drejt hidrovorit të Darzezës.
Semani: Prurjet kanë filluar të ulen përgjatë territorit të bashkive Lushnje, Roskovec, Patos, Fier e deri në grykëderdhje. Lumi është tërhequr nga banesat dhe rrugët e fshatit Murriz, por qindra hektarë tokë bujqësore mbeten të përmbytura brenda argjinaturave. Në disa fshatra të Fierit, si Mbrostar, Seman dhe Daullas, janë përmbytur kasolle bagëtish dhe depozita bari, ndërsa në Petov uji ka hyrë në dy banesa, por është larguar falë ndërhyrjes së MZSH Fier.
Shkumbini: Lumi është rikthyer brenda shtratit të tij, ndërsa vazhdon tërheqja e ujit nga tokat bujqësore të Cermës Sektor.
Autoritetet bëjnë të ditur se janë në monitorim të vazhdueshëm të dinamikes së ngjarjeve përgjatë rrjedhës së lumit Seman, duke u bërë apel banorëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencës civile.











