Sekuestrohet 500 kg drogë shqiptare në Romë
500 kilogramë lëndë narkotike të llojeve të ndryshme janë sekuestruar nga policia e Romës, në një shtëpi në komunën e Ardeas.
Gjatë operacionit, ra në pranga një shqiptar 27 – vjeçar dhe një maroken 29 vjeç, i cili për shkak të rezistencës që u bëri forcave të policisë pësoi disa fraktura në trup. Ata u arrestuan në flagrancë teksa po përpiqeshin të shisnin një sasi prej 32 kilogramë drogë. Mediat italiane bëjnë të ditur se ata po përpiqeshin të fshihnin drogën mes disa mallra që do të ngarkoheshin për transport.
Prej ditësh shtëpia, ishte fshehur sasia e madhe e lëndës narkotike nën mbikqyrje nga policia. Ata ranë në gjurmë të këtij aktiviteti pas lëvizjeve të dyshimta nga shumë persona të panjohur në zonë. Në shtëpinë ku u zhvillua operacioni u sekuestruan edhe 30 gram kokainë e ndarë në pako të vogla, gati për t’u shpërndarë.
Origjina e drogës, sipas mediave italiane, ishte nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit. Drejt Italisë transportohej duke u përzjerë me vajra ushqimorë e industrialë, për të shmangur zbulimin e pranisë së saj gjatë kontrolleve doganore. Autoritetet italiane dyshojnë se pas kësaj sasie fshihet një rrjet i mirëorganizuar kriminal ndërkombëtar.