Gjatë super aksionit të Policisë së Korçës, e ndihmuar nga forcat RENEA këtë të premte në Korçë e në Pogradec, mësohet se janë kontrolluar 29 banesa në total, brenda të cilave janë gjetur sende të jashtëligjshme të personave kontigjentë, kryesisht për drogë.
Deri tani janë 14 të shoqëruar, të cilët po pyeten dhe në orët në vijim, për pjesën më të madhe të tyre do të ketë arrestim. I shumëkërkuari Erjon Llapushi, sipas burimeve, nuk është gjetur për t’u arrestuar në shtëpinë e tij. Madje, në banesë nuk i janë gjetur as sende të jashtëligjshme.
Ndërkohë, janë gjetur armë, sasi të konsiderueshme parash dhe lëndë narkotike. Blutë sekuestruan shotgun, pistoleta, përfshirë dhe modele të sofistikuara armësh maskuese si për shembull thika në forma stilolapsi.
Në disa shtëpi të ndryshme të kontrolluara u gjetën 90 milionë lekë të vjetra, 50 milionë lekë të vjetra, 26 mijë dollarë, 500 kg karburant që dyshohet të jetë kontrabandë, si dhe sekuestruar edhe aparate celular që përdoreshin për lojëra fati. Në 3 banesa është gjetur edhe sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza.