Partia Demokratike ka shpërndarë për mediat paraditen e së dielës një intervistë të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Popullore Europiane, Antonio López-Istúriz.
Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reforma e gjyqësorit në Shqipëri shihet si reforma më e rëndësishme në vend dhe njëkohësisht përbën një nga 5 prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit tê vendit në BE, theksoi ai.
Lidhur me pyetjen se a është e pranueshme për partinë popullore europiane një reformë e gjyqësorit jo- gjithëpërfshirëse në Shqipëri, Antonio López-Istúriz theksoi “Kur bëhet fjalër për Shqipërinë, ajo që është më e rëndësishme për partinë popullore europiane është interesi i Shqipërisë, pra i vendit. Kjo është esenciale për një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian. Dhe pastaj vjen ideologjia dhe partia. Kjo është diferenca që ne kemi me socialistët. Ata venë ideologjinë para interesit të vendit. Ne kemi përçuar gjithnjë të njëjtin mesazh për forcat politike shqiptare: bashkëpunim dhe konsensus. Ky ka qenë mesazhi gjatë udhëheqjes së ish-kryeministrit Berisha, ky është mesazhi tani për qeverisjen e kryeministrit aktual socialist Rama. Duhet kuptuar qartë që rruga e integrimin europian dhe anëtarësimit të vendit në BE kalon përmes konsensusit. Kjo nuk është diçka e re. Ne nuk po i kërkojmë asgjë më tepër Shqipërisë, sesa i kemi kërkuar vendeve të tjera në rrugën e tyre të anëtarësimit nê BE.
Lidhur me reformën e drejtësisë në Shqipëri, kjo është një reformë shumë e rëndësishme. Përfshirja e Komisionit të Venecias dhe gjithë proçesi legjislativ mund të sjellë hapa shumë pozitivë. Edhe një herë e përsëris. Ne nuk po i kërkojmë asgjë të jashtzakonshme Shqipërisë. Po i kërkojmë të njëjtat reforma që kanë kryer dhe vendet e tjera. E theksoj këtë, që të jetë sa më e qartë për shqiptarët. Ndaj, duhet që të dyja palët, qeveria dhe opozita, të gjejnë marrëveshje mbi reformën në drejtësi. Pse duhet të bllokohet lufta kundër korrupsionit dhe reforma e drejtësië ? Ishte shumë mirë që nën udhëheqjen e Bashës u arrit aprovimi i ligjit të dekriminalizimit dhe tani është rradha e reformës në drejtësi. Por, duhet më shumë sesa udhëheqja apo iniciativa e marrë nga Partia Demokratike. Ne duam të shohim një proçes konsensual. Ndaj i bëjmë thirrje Partisë Socialiste që të gjendet një marrëveshje dhe të ndiqet linja konsensuale. Kjo është në dobi të vendit dhe pozitive për Europën.
Persa i perket pyetjes se pas aprovimit të paketës të ligjit për dekriminalizimin, instuticionet europiane thonë se hapi i rradhës është zbatimi i këtij ligji, Antonio López-Istúriz u shpreh se “Sigurisht që llogjika politike dhe jo vetëm kërkon, që në listat elektorale në Shqipëri nuk duhet të kandidojnë më persona me të dhëna apo të shkuar kriminale. Ky është një parim që duhet të respektojnë të gjitha partitë politike në Europë dhe jo vetëm në Shqipëri. Do t’i këshilloja çdo partie politike në Europë, që të mos kandidonin persona me të shkuar kriminale. Eshtë një ligj i mirë. Këto janë hapat që Shqipëria duhet të hedhë për integrimin në Bashkimin Europian. Por kjo është gjithashtu ajo që ne duam për vendin. Ne e duam Shqipërinë në Bashkimin Europian, por vendi duhet të ndërrmarrës një sërë hapash për anëtarërsimin në këtë organizatë. Konsensusi është kyç”, theksoi ai.