Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të shtunën se Shtetet e Bashkuara besojnë që ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu, është në Korenë e Veriut për të siguruar furnizime të armëve, dhe që ato më pas t’iu dorëzohen forcave ushtarake ruse që po luftojnë në Ukrainë. Pas konfirmimit të lajmit se Shoigu është në një udhëtim të rrallë në Phenian, Blinken ka thënë se Rusia është duke tentuar të blejë sa më shumë armë nga aleatët që i ka në botë.
Sa ka qenë në Korenë e Veriut, Shoigu është takuar me liderin e shtetit, Kim Jong-un, për të zhvilluar atë që media shtetërore e ka konsideruar “bisedë miqësore”. Rusia, aleate historike e Koresë Veriore, është një prej pak shteteve me të cilat Pheniani ruan marrëdhënie miqësore.