Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi gjatë një konference për shtyp mbi zhvillimet e luftës në Iran se operacionet ushtarake të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë goditur më shumë se 7 mijë objektiva.
Hegseth bëri të ditur se kishte komunikuar me familjet e gjashtë ushtarakëve amerikanë që humbën jetën pas rrëzimit të një avioni në Irak javën e kaluar.
Ai theksoi se mesazhi i tyre ishte i qartë: vijimi i misionit deri në përfundim.
“Ata kërkuan që të mos ndalemi dhe të nderojmë sakrificën e tyre duke përfunduar misionin”, u shpreh ai, duke shtuar se ky qëndrim ndahet edhe nga presidenti amerikan.
Sipas tij, goditjet ndaj infrastrukturës ushtarake iraniane kanë qenë të përqendruara dhe me precizion të lartë, ndërsa ai theksoi se nuk bëhet fjalë për përshkallëzim, por për një përdorim të fuqishëm të forcës.
Hegseth nënvizoi gjithashtu se kapacitetet e Iranit për prodhimin e raketave balistike kanë pësuar një rënie të ndjeshme, që vlerësohet deri në 90% që nga fillimi i konfliktit. Një rënie e ngjashme, sipas tij, është regjistruar edhe në përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot, përfshirë dronët kamikazë.











