Ndërsa pritet të nisë seanca maratonë në Kuvend në orën 10:00 me të paktën 18 pika në rend të ditës, paralelisht para godinës dhe në rrugët e Tiranës është paralajmëruar një protestë opozitare kundër miratimit të Reformës Territoriale që gjithashtu ndodhet në rendin e ditës (8 tetor).

Policia e Shtetit ka marrë masat e rrepta të sigurisë me forca të shtuara në të gjitha rrugët që çojnë te Parlamenti, duke vendosur edhe gardh metalik dhe krijuar kordonë.

Forcat janë përqendruar kryesisht në hyrjet e rrugëve në bulevard dhe mbi zonën e Rrugës së Elbasanit, xhamia, Ushtari i Panjohur dhe ish-Hotel Dajti.
Ndërkohë që raportohet se nga qytetet po vijnë qytetarë që t’i bashkohen protestës nga rrethe të ndryshme, edhe pse jo në fluksin e pritshëm nga krerët e opozitës.

Berisha i bëri përsëri thirrje mbështetësve pak më herët që të vinin në protestë. Berisha la të kuptohej se deputetët e PD nuk do i bashkoheshin protestës në shesh.

Teksa dilte nga selia blu për në Kuvend, ai i tha medias se “kjo është protestë qytetare, zero vjedhje! ne do jemi brenda Parlamentit, protestuesit jashtë”.

Policia ka krijuar perimetrin e zakonshëm të sigurisë, me rrethim të Kuvendit, ndërsa edhe deputetët e parë kanë nisur të mbërrijnë në godinë për punimet maratonë.

Në seancën e sotme plenare pritet të diskutohet projektligji për Reformën Territoriale, i propozuar nga Partia Socialiste, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive në vend nga 61 në 46.
Seanca pritet të shoqërohet me tensione, pasi opozita, e cila e ka kundërshtuar vazhdimisht hartën e re territoriale, ka paralajmëruar protesta brenda dhe jashtë ambienteve të Kuvendit.

Për shkak të protestave të paralajmëruara, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie. Efektivë të shumtë janë pozicionuar në të gjitha hyrjet që të çojnë drejt godinës së Kuvendit të Shqipërisë.

Ndërkohë, bashkitë e drejtuara nga opozita i kanë dërguar një letër Komisionit Europian, përmes së cilës kërkojnë që të mos lejohet miratimi i njëanshëm i Reformës Territoriale.
Për miratimin e projektligjit, Partisë Socialiste i nevojiten 84 vota. Në seancën e sotme pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.











