U zhvillua në Portin e Durrësit ceremonia për përcjelljen e kontingjentit të dytë të Forcës Detare për në operacionin e NATO-s në detin Egje, “Sea Guardian”, në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për të ndaluar trafikimin ilegal dhe migrimin.
Në ceremoni ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, komandantë të forcave, përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe familjarë të efektivave që u përcollën për në operacion.
Komandanti i Forcës Detare gjeneralmajor Ylber Dogjani vlerësoi përkushtimin e pjesëtarëve të kontingjentit të parë, për të cilët tha se “arritën të dëshmojnë se janë në gjendje dhe kanë profesionalizmin e duhur për të qëndruar të denjë përkrah aleatëve, duke kontribuar në ndihmë të krizës së emigrantëve dhe refugjatëve, ndër më të mëdhatë e këtij shekulli.” Ai gjithashtu shprehu bindjen se pjesëtarët e kontingjentit të dytë do të dinë të ecin në “rrugën” që shtruan mirë pararendësit e tyre.
Nga ana e saj ministrja Kodheli përveç se uroi detarët e kontingjentit të dytë për misionin e tyre, theksoi vendosmërinë e vendit tonë për të përmbushur gjithë detyrimet që rrjedhin nga NATO. “pjesëtarët e kontingjentit të dytë do të vijojnë të mbështesin misionin e NATO-s, në mbështetje të të gjithë forcave të armatosura të Aleancës. Me devotshmëri, përkushtim, do të vazhdojnë të lundrojnë në detin Egje për të përballuar valën e refugjatëve dhe problematikën që ky fenomen sjell. Angazhimi ynë serioz në çdo anë të botës, është i tillë sa ne jemi një vend i rreshtuar me dinjitet në listën e vendeve që mbrojnë vlerat e demokracisë dhe të drejtat e njeriut”- u shpreh ministrja Kodheli, pa harruar të vlerësojë kontributin e ushtarakëve shqiptarë, pjesëmarrës në misionet ndërkombëtare. “Dua t’ju përgëzoj nga zemra dhe t’ju them faleminderit për çka bëni për vendin dhe për botën që na rrethon, për çka bëni për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të të gjithë atyre që e dëshirojnë Shqipërinë një vend më të mirë. Rrugë të mbarë, erërat qofshin në drejtimin e duhur, në mbështetjen tuaj.”- përfundoi ajo.
Kontingjenti i dytë me 21 pjesëtarë, zëvendëson efektivat që u dislokuan në detin Egje nëntorin e shkuar si pjesë e “Sea Guardian”, të parit operacion ndërkombëtar detar për Forcën tonë Detare.
Grupi Detar pjesë e të cilit është edhe anija jonë, përbëhet nga anije holandeze, britanike, greke dhe turke./a.m.