Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se dhomat e specializuara në Hagë ku po hetohen ish-liderët e UÇK-së për krime lufte, nuk janë të karakterizuara nga transparenca.
Në një konferencë për mediat me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, Kurti i bëri thirrje ndërkombëtarëve që të mobilizohen për të dënuar krimet e kryera nga Serbia.
“Sa i përket Dhomave të Specializuara, brengën e shqetësimin dhe kritikën e kundërshtimin tim, e kam thënë qysh në pranverën dhe verën e vitit 2015, kur u patën përgatitur amandamentimet kushtetuese. Nuk kam qëndrime të reja për këtë çështje. Mund të them që dhomat e specializuara nuk janë karakterizuar nga transparenca, pra s’mund të lavdërohen për transparencë dhe kemi rastin që dy vjet kemi mbajtje në paraburgim pa gjykim. Faktorët ndërkombëtarë duhet të mobilizohen që krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, të ndiqen e fajtorët të gjykohen e dënohen”, ka deklaruar ai.
Kurti ka thënë se s’mund të flitet për luftën pa i adresuar krimet e luftës në Kosovë.
“Në Kosovë ka ndodhur gjenocidi, të cilin NATO-ja e ka ndalur me intervenim. Nuk mund të flasësh për luftën pa i adresuar krimet në Kosovë”, ka thënë Kurti. I cili nuk e ka permendur fjalimin e Rames ne Strasburg.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se nuk e ka dëgjuar fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme në Strasburg.
“Nuk di a kam kontribuar në fjalimin e kryeministrit Rama sepse nuk e kam dëgjuar. Nuk kam pasur mundësi ta dëgjoj sepse kam qenë në Pejë sot dhe tërë ditën nëpër takime të shumta. Në mbrëmje vonë do të përpiqem të përditësohem për mëngjesin e nesërm”, deklaroi Kurti./m.j