Santos: Me Shqipërinë duam tri pikët, Ronaldo është gati
Në konferencën para ndeshjes me Kombëtaren kuqezi, trajneri i Portugalisë, Fernando Santos ka shprehur respektin për djemtë e De Biasi-t, ndërsa ka shtuar se skuadra e tij duhet të jetë në nivel të lartë nëse dëshirojnë të largohen nga Shqipëria me rezultat pozitiv.
“Askush nuk duhet të ketë dyshime se do të hasim shumë vështirësi. Duhet të kemi parasysh që Shqipëria nuk është një skuadër e lehtë. Nëse duam të fitojmë, është e nevojshme të jemi agresivë, dinamikë, të tregojmë dëshirë në fushë dhe të shfrytëzojmë rastet. Kualiteti ynë mund të bëjë diferencën”, u shpreh ai.
Santos ka thënë se dëshiron vetëm fitoren përballë Shqipërisë. Tekniku i “luzitanëve” ka deklaruar se ylli i tij, Cristiano Ronaldo është shumë i motivuar për sfidën me kuqezinjtë.
“Objektivi ynë është vetëm fitorja. Edhe Cristiano Ronaldo është i motivuar të ndihmojë skuadrën pavarësisht se nuk ka shënuar në tre ndeshje. Shqipëria ka një skuadër shumë të mirë, me lojtarë cilësorë, ku forca e vërtetë është kolektivi dhe fakti që japin gjithçka në fushë. Nuk kam frikë, por vetëm vlerësime për punën e kolegut De Biasi, që ka ndërtuar një ekip të mirëorganizuar dhe që luan për fitore”, vazhdoi Snantos.
Trajneri i Portugalisë ka thënë se sfida me Shiqipërinë të hënën në mbrëmje dhe ajo me Danimarkën në shtëpi, janë vendimtare për kualifikimin direkt.









