Mbajtja në Tiranë e samitit mes liderëve të BE-së dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor ka tërhequr gjerësisht vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Në Shtetet e Bashkuara, shkrimi i agjencisë “Associated Press” me titullin “Shqipëria, shpresa të mëdha nga samiti BE-Ballkani Perëndimor”, ka shërbyer si pikë referimi edhe për media të tjera.
Mes tyre, “Ëashington Post” citon kryeministrin shqiptar Edi Rama të thotë se, “mbajtja e samitit në Shqipëri do të thotë se BE ka interesa të larta gjeo-strategjike në rajon, në një kohë kur Rusia ka pushtuar Ukrainën”.
I njëjti shkrim është pasqyruar edhe në edicionin online të “ABCNews”. “Momenti është fantastik. Askush nuk mund ta imagjinonte një gjë të tillë deri dy vjet më parë, ndërsa sot është realitet”, citon “ABCNeës” shefin e qeverisë shqiptare.
Ndërsa agjencia e lajmeve “Reuters” e ka publikuar lajmin me titullin “BE përpiqet të garantojë vendet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin nga frika e influencës ruse”.
Në Evropë, agjencia italiane e lajmeve “ANSA” e ka hapur lajmin me thirrjen e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, drejtuar vendeve të Ballkanit. “Të zgjedhin mes BE-së ose Rusisë dhe Kinës. Lufta është mes demokracisë dhe autokracisë”, ka thënë Von der Leyen.
Ndër të tjera, faqja e internetit “Rai News”, duke pasqyruar eventin, ka cituar kryeministren italiane, Giorgia Meloni, që nga Tirana ka konfirmuar “angazhimin e plotë të Italisë ndaj vendeve të Ballkanit”.
Edhe në Francë, portale të ndryshme informative kanë raportuar mbajtjen e samitit në kryeqytetin shqiptar. Agjencia e lajmeve “La Croix” është hapur me titullin “BE, garanci Ballkanit përballë influencës së Moskës”. Ajo ka publikuar edhe një foto të presidentit Emmanuel Macron me kryeministrin Edi Rama në Tiranë.
Edhe në Gjermani, televizioni “ZDF” në edicionin e tij online ka folur për samitin. Ai e ka hapur artikullin kushtuar eventit me titullin “Liderët e BE-së takohen me ata të Ballkanit Perëndimor”, duke e vënë theksin tek prania e presidentit serb, tema e emigracionit etj./m.j