Profesor Sami Repishti ka reaguar pas ndjesës së kërkuar nga kryeministri Rama dhe propozimit për heqjen e dekoratave të atyre që kanë shkaktuar vuajtje dhe tortura gjatë regjimit komunist.
Në shkrimin e tij, profesor Repishti i përgjigjet ish-hetuesit të tij, Shyqyri Çoku, i cili në intervistën e tij është shprehur se nuk e ka njohur kurrë Sami Repishtin. Për profesorin, Shqyri Çoku gënjen, ndërsa e quan paturpësi deklaratën e tij se nuk ka punuar asnjëherë me sigurimin e Shtetit.
Ai tregon poshtërimet dhe torturat që u bëheshin të burgosurve në burgun e njohur si “Kuvendi i Françeskanëve” me urdhër dhe dëshirë të Shyqyri Çokut. Në lidhje me faljen që kërkoi kryeministri Rama për dekoratat që u janë dhënë njerëzve si Shqyqyri Çoku, profesor Repishti shprehet se ky është një premtim solemn që duhet të mbahet. Edhe propozimin për heqjen e dekoratave Repishti i cilëson si një hap të madh në drejtimin e duhur, por shprehet se pas 25 vitesh demokraci në Shqipëri ende nuk është dënuar doktrina shkatërrimtare, siç e quan ai e “luftës së klasave”.
Për profesor Repishtin, ndjesa nuk është e mjaftueshme për torturat dhe vuajtjet e të burgosurve, por kërkon që xhelati të denoncojë krimin që ka kryer ose nga institucioni që e ka urdhëruar. Në të kundërt, nëse nuk denoncohet krimi, për profesor Repishtin, ndjesa nuk është e sinqertë. Mungesës e faljes dhe të denoncimit të krimit nga fajtorët, Repishti e cilëson një “tragjedi të dytë shqiptare”.