Ka bërë shumë kënd të mbajë frymën kur i mbahej goja edhe pse nuk i mbyllet goja kur nis e flet për dashuritë e jetës së tij. Salsano Rapi është djalë i mbarë dhe i talentuar, i bezdisshëm dhe mendjemadh, mik i mirë dhe simpatik i papërsëritshëm në llojin e tij. Të gjitha këto virtyte e vese i shfaq gjatë disa orëve të gjatë e të mërzitshme kur vendos të flasë për JavaNews.al.
Deri në atë moment ishte përdredhur e përkëdhelur mes “Po”-së dhe “Jo”-së si mesogrua e shëndoshë në photoshop. Më pas, nën korrigjimin e tre çerekut të tij më të mirë, aktores Eriona Kakeli, ai përgjigjet seriozisht për të gjitha pyetjet. Nën vështrimin shpesh të habitur të klientëve të tjerë të barit Quo Vadis në bllok, duke rrëfyer se ku po shkon karriera e tij, që nga është nisur dhe çfarë është duke bërë në të tashmen që nxiton me një shpejtësi marramendëse, ndoshta më shumë se më parë, që të bëhet e shkuar. Një nga prezantuesit e Portokallisë, pak dhjamë i bardhë mes dy veshkave të shëndetshme në skenë, Rapi është padyshim, po aq i këndshëm në bisedë sa dhe në ekran.
Dhe është po aq i vërtetë në humorin e tij që për fat, siç ndodh rrallë në këtë botë të ngrysur, i vjen natyrshëm edhe kur i duhet ta kërkojë dhe të qeshë pak me zor e vetëm sepse duhet të duket i qeshur përballë kujtdo.
Jeni në ethet e audicionit për sezonin e ri të Portokallisë. Eshtë e vërtetë që prova jote ka dështuar tre herë dhe që ke kërkuar ndihmë nga një antar i rëndësishëm i qeverisë për të ripërsëritur audicionin? E thënë ndryshe, për të pasur edhe një shans më shumë?
Kjo është një nga çuditë për shpejtësinë me të cilën përhapet lajmi në Tiranë. Por ka një pasaktësi. Më kthyen jo tre, por katër herë. Edhe atëherë ishte problematik pranimi. Megjithatë ndodhi. Mund të them edhe pse ndodhi në fakt. Pati një ndërhyrje të fortë të qeverisë shqiptare dhe me porosi të…(nuk po ja them emrin se e njohin të gjithë këtej nga lagja ime), Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar dhanë udhëzimin e duhur. Domethënë përcollën porosinë e…(sërish nuk po ja them emrin se e njohin edhe nga lagja jote) dhe natyrisht edhe kërcënimin nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e tatim – Taksave që nëse më ndodhte gjë mua, atëherë do të pajisnin çdo aktor humori me nipt personal dhe kasë fiskale. Këtu u dorëzuan se të gjithë e dinë që ai…(nuk po ja them emrin se e njohin edhe nga lagja tjetër) e ka seriozisht kur thotë se policia e shtetit është e ngarkuar që të kujdeset për shëndetin tim fizik, mendor e shpirtëror, njëlloj si Ministria e Shëndetësisë, nën kujdesin e veçantë të Ilir Beqes, që është edhe miku i…(nuk po ja them emrin sepse ka shumë që e kanë inat nga lagja në mes të lagjes sime, tënde dhe lagjes tjetër). Në këto kushte, dua të përmend e të përshëndes vetëm një mbiemër nga ata që më mbështetën në këtë audicion që ishte më i vështirë se të fitojë një tender në Gjermani. Faleminderit shumë zoti Balla.
Ju vetë dhe gjithë ekipi juaj i gjerë e quan Portokallinë një familje të madhe. Nëse është kështu, cili apo cilët janë prindërit e tij në çertifikatën e Salsanos?
“Certifikate artistike”
Emri: Salsano. Mbiemri: Rapi. Atësia: Top Channel, Mëmësia: nuk jam i autorizuar ta them. Vëllezërit e tim eti: Jani Duri dhe Vangjel Kozma. Vëlla i madh, por jo Big Brother: Altin Basha. Vëllezër të tjerë dhe motra: e gjithë trupa e Portokallisë me përjashtim të…(nuk po ja them emrin se e dinë të gjithë).
E kujton si e ke nisur karrierën tënde sepse rasti yt duhet të jetë shumë i veçantë: thonë se ke nisur punë në skenë meqë nuk ke ditur të bësh gjë tjetër. E vërtetë?
Nuk është se e kujtoj mirë, por ka ca që e kujtojnë edhe kur unë bëj sikur e harroj. Duhet ta harroj sepse duhet t’u jem shumë njerëzve mirënjohës dhe po të jesh mirënjohës edhe duhet të paguash me mirënjohje. Por në këto kohë që jetojmë, kjo gjëja, mirënjohja, pra, është bërë më e rrallë se rritja e pagave në Shqipëri ndaj nuk dua ta zë me gojë. Të kthehem dhe njëherë tek kjo që më pyet. E kam nisur këtë punë tamam atëherë kur nuk dija të bëja gjë. Isha 10 vjeç dhe në shtëpinë time bëheshin shfaqje. Unë prodhoja bileta me kapakun e fletores së matematikës, gjithsej 5 bileta 10 lekëshe, sa ishin pjestarët e familjes, prindërit, motra dhe dy vëllezër. Që atëherë kam fituar lekë me shfaqje shtëpiake. Në program kisha: imitim komshinjsh e kushurinjsh, këngë me tematikë socialo-politike, sfilatë mode me rroba të familjarëve. Suksesi ishte edhe i padiskutuar, edhe i garantuar. Ky ishte suksesi dhe dështimi im i madh. Po ta dija në atë kohë që për shumë kohë të tjera nuk do të dija të bëja asgjë, do të zgjidhja të bëhesha politikan!
Do t’i lesh kunjat?
Nuk ishte kunj për politikanët. Ishte pykë për ata që dinë të bëjnë ndershëm dhe modestisht punën e tyre. që nga marangozët, gazetarët, infermierer, këpucarët, mësuesit e të tjerë e të tjerë, pa përjashtuar as shpërndarësit e qumshtit me furgona frigoriferikë dhe me karroca dore sipas takatit.
Flasim pak seriozisht për të të pyetur se çfarë do të ketë ndryshe ky sezon i ri i humorit?
Nuk ka ndryshime rrënjësore në formë dhe përmbajtje. Do të ketë karaktere të rinj të luajtur si nga aktorët e “vjetër” ashtu dhe nga aktorë të rinj. Do të ketë boll opozitë për qeverinë dhe një lloj qeverisje me ide të vetë opozitës, humor politik e social e kështu me rradhë. Portokallia nuk është shfaqje e sezonit të sivjetshëm apo e sezonit pasardhës. Portokallia është edhe traditë, me “t” të madhe si Tirana. Dhe tradita ka kushte dhe kushtëzime të tjera e shumë të forta. Eshtë njëlloj si biri i prindërve të famshëm. Eshtë shumë e vështirë tejkalimi i tyre dhe fakti që shumëkush të vlerëzon e të krahason me ta. Ne të Portokallisë jemi të dënuar të jemi çdo vit më mirë se vitin që ka shkuar. Jam i bindur se dhe në këtë sezon do ta shlyejmë dënimin.
Si mendon, pse politika shqiptare afron kaq shumë material për humorin edhe pse shpesh akuzohet si e paaftë, jo profesionale, e inkriminuar dhe korruptuar e kështu me rradhë?
Gruaja më ka dhënë një këshillë: që të dukesh i mençur, cito ndonjë filozof apo ndonjë shkrimtar të madh dhe dukesh edhe ti pak filozof dhe në rastin më të keq, shkrimtar mesatar. Çurçilli i plotëson këto kushte dhe unë po përshtas një thënie të tij. Demokratët dhe socialistët janë si Kristofor Kolombi. Nisen pa ditur se ku shkojnë. Kur arrijnë nuk dinë ku janë. Dhe gjithçka e bëjnë me paratë e të tjerëve. Humori shqiptar e ka gati lëndën e parë kur bëhet fjalë për politikanët shqiptarë. Mendoj se pavarësisht popullaritet të madh që kanë( për keq), pavarësisht milionave që disponojnë (prodhuar me korrupsion), jetën e luksit që bëjnë (duke vjedhur), dëmeve që kanë sjellë me paaftësinë e tyre (e vetmja gjë që e kanë plotësisht të tyren), politikanët shqiptarë janë bërë gaz i botës sonë të vogël. Madje, edhe i asaj botës që është më e madhe se bota jonë e vogël këto në Tiranë apo në Kashar e rrethina.
Nëse do të duhej të zgjidhje një karakter nga politika, kujt do të doje t’i ngjaje dhe çfarë do të bëje si ai e çfarë ndryshe prej tij?
Kjo pyetje ka dy ide të mira brenda. E para që u bë si pyetje dhe e dyta që të mos marrë përgjigje. Nuk dua ta them dhe pikë.
E ke lexuar librin Tre Musketierët? A kanë gjë të përbashkët me ta Rama, Meta dhe grupi “Dy B”, i PD-së, (Basha-Berisha)?
Librin nuk e kam lexuar se nuk kishim drita në shtëpi, por kam parë filmin Katër martesa dhe një funeral”. Nuk kanë asnjë të përbashkët me njëri-tjetrin dhe as me tre musketierët. Parrulla së vjetër e vjetër franceze dhe slogani i musketierëve që nuk di pse na i thoshin dhe neve në shkollë kur ishim fëmijë: “Një për të gjithë e të gjithë për një”, sot ka një kuptim të ri. Katërshja shqiptare fiton gjithmonë, populli humbet edhe kur fiton njëri nga ta, edhe kur fiton tjetri.
Vazhdojmë ende me pyetje nga politika?
Më mirë jo. Le ta bëjmë pak interesante intervistën që kush e lexon të mos kapë hundën me dorë.
Dakort, kthehemi në Tiranë, atëherë. Sa dramatik është arti i humorit në Shqipëri?
Duket sikur këto fjalë nuk shkojnë dhe kundërshtojnë njëra-tjetrën, si nj çift që zihet gjithë ditën dhe në darkë bashkohen në shtrat. Humori është dramatik sepse ndoshta është kaq i vërtetë në Shqipëri. Madje shpesh të vërtetat e tij janë edhe më pak dramatike sa ato që shpik qoftë dhe një mendje e talentuar dhe një zemër e mirë. Eshtë dramatike të bësh art dhe arti shpesh është një shaka e madhe që bën për të qarë.
Me cilët nga kolegët e tu shkon më shumë dhe me cilin do të doje distancë, emrat e këtyre të fundit më mirë mos i thuaj.
Ke qenë ndonjëherë në koncert simfonik? Unë nuk kam qenë, por më ka treguar vëllai që është kompozitor. Orkestra nuk është si pingpongu që luhet edhe vetëm po deshe me një faqe muri përballë. Po kështu dhe Portokallia. Puna jonë është në grup, si basketbolli, por jo si ai që luante ai…(nuk po ja them emrin se e njohin në Kashar). Ne kemi trajnër të talentuar ose dirigjent. Kemi ata që na bëjnë skenat e lojës apo që qëndisin partiturat, kemi skenë e prapaskenë, kemi…, më lodhe…! Lere fare. Vërtet nuk e kupton këtë histori apo nuk ke punë tjetër që vazhdon të pyesësh pafund.
Dakort. Po e lemë për pak. Së parafundmi, supozo se je gazetar dhe zgjidh të bësh pyetje për veten dhe për intervistuesin tënd. Cilat do të ishin ato pyetje?
Ja kjo gjë më pëlqen. Po e nis me konfidencë dhe po të pyes me rradhë:
Ke votuar ndonjëherë djathtas, çfarë mendimi ke për gratë e përfshira në politikë dhe paragratë në përgjithësi? Nga gjithë analizat që ti me shokë i këni bërë me nder me thënë politikës, pse nuk hapni një laborator për të parë si i ka trigliceritet, alergjitë e stinës, PH-shin e urinës dhe përcaktimin e proteinave, glikemisë, trupave ketonikë, nitrateve, esterazës leukocitare, urobilinogjenit dhe bilirubinës me prani të leukociteve në lëng, baktereve, qelizave epiteliale, mukusit, kërpudhave dhe kristaleve? Pse, pra? Fol! Përgjigju!
Nuk dua të përgjigjem, por po të bëj dhe një pyetje të fundit për ta mbyllur intervistën sepse të dyve po na hapet goja nga mërzia. Zgjidh vetë t’i bësh një pyetje vetes.
Salsano, përgjithsisht ti je një çun zotni! Kështu thonë të gjithë ata që nuk të njohin, në fakt. Nuk ke dhënë ndonjëherë intervista edhe pse je vetë gazetar i RadioTelevizionit Kashar, në Portokalli. Pse vendose t’i japësh intervistë JavaNews-it?
Sepse nuk jam i përsosur. Kam dhe unë të metat e mia. Gabova. Nuk e bëj më! Më mashtroi intervistuesi, besova sinqerisht se jam i sinqertë kur fle, por isha zgjuar kur ma hodhi. Ndjesë shumë gjithkujt që e lexon dhe nuk i pëlqeu intervista. Kush në të kundërt e pëlqen: llogaria ime bankare është, Zyrih, Zvicër, banka në rrugën e Luleve dhe Kaktuseve, e dyta nga e djathta nëse ecën nga krahu i majtë i këmbësorëve dhe ke parkuar në trotuar “kondratabelë”.
Intervistoi: Lorenc Vangjeli










