Situata mes demokratëve duket se është e tensionuar pas përjashtimit nga grupi parlamentar i PD-së i ish-kryeministrit Sali Berisha. Sëfundmi janë përplasur me njëri-tjetrin aktivistja Evi Kokalari që i është bashkuar Berishës, me deputetin e PD-së Ervin Salianji, i cili është përkrah Lulzim Bashës.
Pas ironizimit të deputetit Ervin Salianji duke thënë se nuk e njihte aktivisten e Partisë Demokratike Evi Kokalarin, sot reagoi edhe kjo e fundit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Kokalari thumboi Salianjin, teksa i tha se nëse do rrinte me burra si Berisha dhe jo me Grida Dumën, do kishte arritur ta njihte.
“O Salianj më raftë pika sa i voçkël je. Po të kishe ndenjtur me burrat si Sali Berisha dhe jo mbas fustanit të Gridës, do e kishe mësuar kush është Evi Kokalari. Pi pak qumësht tashti”, shkruajti ajo.
Pikërisht për këtë status të Evi Kokalarit, Salianji u pyet sot në emisonin ‘Breaking’. Ai tha se nuk iu përgjigjet njerëzve që marrin mikrofonin për të folur, se sipas tij janë persona që kanë mllef ndaj kujtdo.
“Unë nuk i përgjigjem qytetarëve që marrin mikrofonin në këto takime, edhe në komente kur shkruajnë, njerëz që nuk përfaqësojnë asgjë, që boshësia e tyre bëjnë që të kenë mllef me çdo personazh. Edhe ajo ashtu është”, tha Salianji.
/b.h