Ervin Salianji i është përgjigjur kreut të PD, Sali Berisha, i cili tha se Salianji është i vetëpërjashtuar nga partia dhe rrjedhimisht edhe nga gara për drejtimin e saj.
“Në mungesë të votës, shpik etiketa. Në mungesë të garës, shpall “të vetëpërjashtuar”. Sa më shumë flet për përjashtime, aq më e qartë bëhet frika nga gara”, shkroi Salianji në një postim në Facebook.
“Partia Demokratike nuk është klub privat ku hyrjet dhe daljet vendosen me humorin e një njeriu, por një forcë politike që duhet të funksionojë me rregulla dhe me votën e anëtarëve të saj. Ironike që ky që flet për demokraci, është i pari që i trembet asaj. Unë nuk kam nevojë për bekime, as për leje. Kam vetëm një kërkesë: garë të hapur dhe votë të lirë. Pjesa tjetër është zhurmë për të mbuluar frikën. E frikë bën mirë që ka se e ka keqpërdorur funksionin për interesa personale dhe biznesi! Demokratët duan një Parti Demokratike fituese!”.
Salianji komentoi edhe deklaratën e Berishës për një bisedë mes të dyve para se ai të dilte nga burgu. “Sa për hallin që ka se mos “vras” Xhafën, i flet subkoshienca se ka merak se mos “vrasim’ Ramën me votë. Burri ka kohë te turpërohet gjithë jetën e vet, por të bjerë në këtë nivel është e paimagjinueshme dhe fiks siç nuk e urojnë as kundërshtarët më të ashpër! Shpifje si kjo tregojnë sa të madhe e ka frikën dhe dëshpërimin, akuzat për vrasje dihet kush i ka mbi shpinë, siç dhe tregon mendësinë vrasëse sepse dikush që dëgjon këto biseda dhe nuk i denoncon tregon për veten! Meqë ky po e mbështet SPAK këtë periudhë, unë jam i gatshëm dhe i bëj thirrje SPAK të nisë hetimin për tentativë vrasje ose moskallëzim krimi”, shtoi ai.











