Sali Berisha, mjeku hipokrit dhe politikani kontrovers, i cili në cilësinë e kryeministrit shqiptar “ka ushqyer” me naftë makinerinë e luftës së Milosheviqit, që po “pinte gjak” në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci, duke e thyer kështu embargon e OKB-së ndaj ish-Federatës Jugosllave, tash akuzon kosovarët për projugosllavë!? Ky njeri lëre që nuk ka asnjë dije sociologjike, por me zellin komunist, duke i shpallur kosovarët “me gjak” titoist, ai vërtet shërbehet me definicionin titoist për kombin, që në thelb është definicioni i J.V. Stalinit. E, në anën tjetër, ai bie në kontradiktën e radhës: kur thotë se standardizimi i gjuhës shqipe në vitin 1972 është imponuar nga regjimi komunist i udhëhequr nga Enver Hoxha…!?
Nga Halil Matoshi
Pa kaluar java që ambasadori serb në OKB, ministri i Slobodan Milosheviqit, Ivica Daçiq, pos qasjes emblematike kundër shtetit kosovar, iu drejtua ambasadores së Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, duke i thënë se ajo nuk ishte kosovare, por shqiptare e Kosovës, doli në skenë një ish-lider politik shqiptar, i cili po ashtu ra në një gojë me Daçiqin.
Sali Berisha, kardiologu që e infektoi mendësinë shqiptare me recidivin stalinist në vend se ta çlironte atë nga vargonjtë e mendimit totalitar.
Ai duket ashiqare se ka hasur në historiografinë shqiptare, të interpretuar ideologjikisht definicionin e J.V. Stalinit, për kombin dhe i është pjekur në krye.
Sepse ai në dijet humane dhe teoritë identitare është thjesht një injorant, porse i jep të drejtë vetes që të flasë marrëzira duke mashtruar se Josip Broz Tito na qenkej angazhuar për komb kosovar!?
Në të gjitha periudhat e pasluftës së Dytë Botërore, shqiptarët në ish-Jugosllavi janë quajtur “Albanci” dhe asnjëherë kosovarë. Dhe madje Tito është angazhuar për një Republikë shqiptare në ish-Jugosllavi, por që e ka heshtur duke pasur drojë nga reaksioni serbomadh. Këto janë faktet, kurse Berisha operon me legjenda urbane të kohës së Enver Hoxhës!?
Duke qenë gazetar i detyrohem profesionit tim prej gazetari veteran që t’ua përkujtoj një fakt kolegëve të “Insiderit” se – frika është këshilltare e keqe dhe ajo rëndom shpie në dhunë – ngase konstrukti që ata përdorin “…është pyetur rreth konceptit të ashtuquajtur “komb kosovar” dëshmon për joprofesionalizëm dhe frikë absurde thuajse druajnë mos “i kap nëma” e Berishës dhe teorinë moderne për kombin e cilësojnë si “koncept të ashtuquajtur”.
Kjo është gazetari sugjestive, pra ideologjike!?
D.m.th. gazetari pajtohet me folësin në luftën e çmendur kundër “titistëve” duke fyer idenë e kosovarizmit, si patriotizëm shqiptar i transformuar në patriotizëm kushtetues!?
Kjo të kujton spikerët e regjimit të Milosheviqit, që kur flisnin për Republikën e Kosovës të shpallur më 1990 thoshin: “E ashtuquajtura Republikë”!?
“Devre dynja” – është shprehje turke që e përdor populli i Kosovës për fjalën italiane ‘Eppur si mouve’ (megjithatë sillet) dhe e cila i përshkruhet Galileut…
“E megjithatë sillet është një frazë që i atribuohet matematikanit, fizikanit dhe filozofit Galileo Galilei (1564-1642), i cili më 1633, pasi u detyrua t’i binte mohimit pretendimit të tij se toka lëviz rreth Diellit për shkak të inkuizicionit. Në këtë kontekst, implikimi i frazës ‘megjithatë sillet” pavarësisht mohimit të tij dhe shpalljes së kishës për të kundërtën, (inkuizicioni) ose të ndonjë bindjeje e doktrine tjetër, toka në fakt do të lëvizë rreth Diellit dhe jo anasjelltas.
Si e tillë, shprehja përdoret sot si një lloj kundërpërgjigjeje e saktë, duke nënkuptuar: “Nuk ka rëndësi se çfarë ju besoni, sepse faktet janë këto”.
Dhe shihni tash katër shekuj më vonë Berisha thërret në inkuizicion kundër atyre që janë në të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë (liria e shprehjes) dhe liria akademike.
E para, Kushtetuat e Republikës së Kosovës, neni 40 (Liria e shprehjes) thotë: 1. Liria e shprehjes është e garantuar. Liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush.”
Dhe ai në mënyrë arbitrare “ua merr” kosovarëve edhe një të drejtë tjetër, atë të studimit (pra të dijes) që e garanton neni 48 (Liria e artit dhe e shkencës); 2. Liria akademike është e garantuar. Ai do t’i shohë kosovarët injorantë, për t’ua mbushur kokën më lehtë me folklorizma politike të kohës së romantizmit të shekullit 19.
Berisha si shumë shqiptarë të tjerë, përderisa e mendon definicionin stalinist dhe atë titoist për kombin, i cilëson ata me mendimin e të cilëve nuk pajtohet “me gjak titist jugosllav.” (“Titistët” është një libër propagandistik i Enver Hoxhës dhe duket ashiqare që Berisha është frymëzuar fuqishëm nga ai).
Berisha e vuan sindromën e madhështisë historike, duke e menduar veten si gjykues hyjnor që e
shqipton të vërtetën përfundimtare, për të shpallur sa më shumë armiq që fitorja e tij kuazipatriotike të jetë sa më e madhe dhe e bën këtë duke i fyer të tjerët që i percepton të ndryshëm nga vetja, pa u skuqur fare, madje duke i përzier propagandën politike me tablotë biologjistike, pra raciste, për “gjakun titist jugosllav”!
Po çfarë autoriteti shkencor, moral e patriotik është ky?
T’i shfletojmë faktet.
Berisha është një politikan agresiv, i epokës së metanarrativës kombëtariste dhe tashti është shndërruar në një oligark përfitues në kurriz të shqiptarëve të varfër dhe së fundi edhe në një hipokrit senil.
Kujtojeni Berishën që thoshte më 1990 se shqiptarët dhe serbët duhet të gjejnë një “modus vivedni” në Kosovë dhe se shqiptarët atje duhej të dilnin në zgjedhjet e Serbisë për t’i ndihmuar opozitës serbe për ta rrëzuar Milosheviqin dhe bash për këso konceptesh lideri historik i kosovarëve nuk zbriste më fare nga aeroplani në Rinas, kur udhëtonte nëpër botë, sepse nuk kishte më fuqi t’i mbijetonte kopallat ultranacionaliste të kombinuara me ekstremin e majtë të Berishës dhe neoenveristëve të tjerë të Tiranës!
Kujtojani Berishës thyerjen e embargos së OKB-së ndaj Milosheviqit në vitet ’91 – 95 duke e “ushqyer” makinerinë e luftës serbe me derivate nafte për të pirë sa më shumë gjak të boshnjakëve e kroatëve atëbotë, për përfitime personale që kapnin shifrat deri në një milion dollarë në ditë për çka kishte shkruar edhe gazeta prestigjioze njujorkeze “The New York Times”, më 2 prill 1995, me titullin “Embargoed Fuel Sent To Serbs via Albania”
(http://www.nytimes.com/1995/04/02/world/embargoed-fuel-sent-to-serbs-via-albania.html?pageëanted=al), por që e pranoi edhe ish-kryeministri malazias i epokës milosheviqiane, Momir Bulatoviq, më 2013, në televizionin “Vijesti” të Podgoricës!?
Qe dëshmia e dorës së parë: Flet Momir Bulatoviq: “Unë shkoj në Shqipëri dhe e lus Berishën të mbyllë sytë, e të fillohet kontrabanda, që të thyheshin sanksionet ndërkombëtare, ku njerëzit të fitonin para. Dhe e bëmë sistemin në të cilin të gjitha kanë funksionuar ashtu. Por shteti ka pasur përfitime dhe shumë të ardhura nga krejt kjo. Këto i kemi evidentuar të paktën. Unë të gjitha ende i kam në arkivin tim … Pra, shteti ka pasur të hyra të mëdha. (…)
“Prit…Nuk kishte vend ku të blije askund atëherë dhe shkonim pyesnim Milosheviqin ç’të bënim. Ku të blinim? Ai na thoshte: blini sipër! Por, ama në det patrullonte NATO-ja. Andej forcat e UNPROFOR-it. Ne s’kishim mundësi të blinim…Qartësisht, dua të them se ishte keq dhe dua t’ju them se ishte shumë keq. A ka pasur mundësi të bëhej ndryshe? Nuk kishim mundësi dhe kam qenë vetë në Bruksel. Jam ankuar… Litri i naftës bënte 30-40 marka.”
Porse të flasim me radhë për të gjitha kundërthëniet dhe deklaratat fyese të Berishës që janë pasojë e mosdijes së thellë të tij për Kosovën.
E para, Berisha shmanget nga e vërteta kur thotë se Tito deshi të krijonte kombin kosovar, konform me atë mysliman!?
Sepse po ta krijonte kombin kosovar Tito, atëherë kosovarët do ta kishin Republikën e tyre (shtetin kombëtar) dhe nuk do të rrezikoheshin të zhdukeshin nga përpjekja e Serbisë për gjenocid, nga e cila përpjekje shfarosëse i shpëtoi ShBA-ja dhe NATO-ja.
E dyta, Tito dhe jugosllavët kurrë nuk e kanë përmendur termin kosovar, por vetëm shqiptar të Kosovës (Albanci), sikur sot që zyrtarët serbë Ivica Daçiq e Boris Tadiq po thonë se nuk ka kosovarë, por vetëm shqiptarë.
Madje Tito i mbronte shqiptarët nga cilësorët pezhorativë si “siptari” etj.
Dhe sipas kësaj logjike serbomadhe, nëse nuk ka kosovarë së kendejmi nuk ekziston as entitet të quajtur Republika e Kosovës.
Berisha me këtë fjali është pavetëdijshëm në vijë me Beogradin zyrtar.
Kundër shtetit kosovar!
E treta, ish-kryeministri dhe kryetari i Shqipërisë ka thënë se personat në Kosovë të cilët pretendojnë të formojnë kombin kosovar kanë gjak titist jugosllav, për të rrëshqitur në tablo biologjistike, në racizëm klasik, siç rrëshqiti në fashizëm Top Channal para do kohësh, me porosi të Qeverisë shqiptare të Edi Ramës!
E katërta, deputeti i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë rrëshqet në kundërthënien e radhës kur thotë se standardizimi i gjuhës shqipe duhet të ndryshojë, ngase, sipas tij, standardizimi i gjuhës shqipe në vitin 1972 është imponuar nga regjimi komunist i udhëhequr nga Enver Hoxha.
Ashiqare kundërthënia e Berishës konsiston në faktin që dihet botërisht se pikërisht standardizimin, etnonacionalistët shqiptarë e marrin si strumbullar të kombit unik shqiptar!
E pesta, Berisha e kujton në mënyrë nebuloze definicionin e J.V. Stalinit për kombin, që i ka qitur në lajthitje shumicën e shqiptarëve.
Definicioni i Stalinit thotë pikërisht atë që po e thonë shumica e profesorëve historiografë, mediave dhe politikanëve shqiptarë. Pra, edhe Berisha.
Qe shkrimi i Stalinit “Marksizmi dhe çështja nacionale”: https://www.marxists.org/reference/archive/stalin/works/1913/03a.htm.
Madje në Kosovë, nga majat e pushtetit kosovar, të cilët rrëmbejnë pushtet politik dhe paguhen nga taksat e kosovarëve, disa njerëz po thonë se shkencërisht nuk mund të justifikohet kombi kosovar!?
Kësaj here, për të mos u stërzgjatur, po ua përmend vetëm dy burime nga një mori sosh, që dëshmojnë se sipas të gjitha kritereve të dijes moderne (dhe postmoderne) kombi kosovar ekziston.
E para, në Enciklopedinë ndërkombëtare të shkencave sociale dhe bihevioristike, për kombet ka shkruar profesori belg Andre´-Paul Frognier. Dhe aty thuhet: “Në epokën moderne, në mënyrë unanime, kombi njihet si komunitet politik, i cili siguron legjitimitetin e një shteti në territorin e tij dhe e transformon atë shtet të qytetarëve të tij.”
(Burimi: Andre´-Paul Frognier, University of Louvain, Louvain-La-Neuve, Belgium (International Encyclopedia of the Social & Behavioral Sciences, and edition, Volume 16, Sociological Aspects of nation, fq. 223, 2015 Elsevier Ltd.)
Dhe e dyta, kombi siç mendohet nga nacionalistët është një produkt i shekullit të nëntëmbëdhjetë. Porse definicioni i UNESCO-s (Organizata e OKB-së për shkencën, kulturën, arsimin, trashëgiminë) mendohet se është sot më adekuati dhe më i sakti: “Kombi-shtet është një fushë ku kufijtë kulturorë përkojnë me kufijtë politikë.
Ideali i shtetit-komb është se shteti përfshin njerëzit e së njëjtës bazë etnike dhe kulturore. Megjithatë, shumica e shteteve janë polyethnic. Kështu, kombi-shtet “ekziston në qoftë se pothuajse të gjithë anëtarët e një kombi të vetëm janë të organizuar në një shtet të vetëm, ka edhe komunitete të tjera nacionale këtu. Edhe pse termi është përdorur gjerësisht, subjekte të tilla nuk ekzistojnë. Pra, kombi ideal i mbështetur në gjakun, kulturën dhe historinë e përbashkët nuk ekziston!
Kombi, sipas këtij definicioni (që e ka spikatur J.V. Stalin) e që besohet gjerësisht sot, është një produkt i shekullit 19.
Kurse në kohët moderne kombi njihet si “e” bashkësisë politike që siguron legjitimitetin e një shteti në territorin e tij, dhe që e ka transformuar shtetin në një entitet të të gjithë qytetarëve. Koncepti i shtetit-komb këmbëngul kjo aleancë e re mes kombit dhe shtetit. Shtetësia është menduar për të lidhur qytetarin për shtetin dhe përfitimet e politikave sociale të shtetit social.
http://www.unesco.org/new/en/social-and-human-sciences/themes/international-migration/glossary/nation-state/
Po të ekzistonte kombi pa konstitucion juridik, ai do të ishte një “komb i egër”, thjeshtë një bashkësi tribale.
Joseph Joe Biden, nënpresidenti amerikan, u tha përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Kosovës më 2009, ta ndiqnin modelin amerikan.
“Si liderë të një kombi të lindur nga konflikti, sikurse ka qenë kombi im dhe është juaji, ju keni një përgjegjësi të posaçme të tejkaloni trashëgiminë e ndarjes, hidhërimit, frikës dhe mosbesimit brenda vendit tuaj.”
Porosia e Bidenit për kosovarët atëbotë ishte: “Ju duhet të vazhdoni të ëndërroni për një komb të lirë, shumetnik dhe të fuqishëm dhe përfundimisht, për herë të parë në histori drejt integrimit në BE.”
“Një komb shumetnik dhe i lirë”, ky nocion e shtron para nesh dilemën e kombit shumetnik.