Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka mbajtur fjalën e tij në nder të efektivit të vrarë Simon Gjeta, përpara përcjelljes së tij në banesën e fundit. Në fjalën e tij Ministri Tahiri dënoi ashpër sistemin e drejtësisë që sipas tij është më e kriminalizuar se sa vetë lufta ndaj krimit.
Sipas ministrit, ky është një tjetër rast ku policia e lufton krimin, por është drejtësia e munguar që e rikthen atë në rrugë, dhe pasojat i vuan shoqëria. Për Ministrin beteja është për drejtësinë e merituar, duke shtuar se fitore do të jetë kur të vihen përpara drejtësisë këto gjyqtarë të korruptuar.
“Sot jemi këtu për t’i dhënë mirënjohjen tonë heronjve, atyre personave që bëhen heronj pas vdekjes. Simoni ra në krye të detyrës. Shokët e tij të RENEA-s bënë drejtësi. Ndoshta Simoni nuk do ta dëgjojë më, por ne të tjerët po. Se çfarë drejtësie është kjo që policia ccdo ditë lufton ndaj krimit, por është drejtësia që nuk u jep dënimin e merituar. Pak ditë më parë dy të rinj humbën jetën në kryeqytet nga duart e dy të rinjve. Por ndoshta pak e dinë që ata vetëm pak muaj më parë ishin arrestuar dhe ishin lënë të lirë nga drejtësia. Kjo është sakrifica e padrejtë e policisë. Pa folur këtu për kushtet e pamjaftueshme, të mjeteve. Nuk do të ketë kurrë një kohë që do ta bëjmë të sigurtë punën e policisë. Por do të ketë një kohë kur do të përfundojë reforma në drejtësi, kur gjyqtarët kriminelë të mos bëjnë pazare dhe që krimi të marrë ndëshkimin e merituar. Ju lutem qytetarëve të denoncojnë edhe këto raste. Ne do të fitojmë kur të dënojmë dhe pse jo edhe t’i turpërojmë këto gjyqtarë që drejtësinë e bëjnë në zyrë, dhe ku pasojat e vuan shoqëria.” theksoi në fjalën e tij Tahiri









