Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela dorëzuan këtë të enjte në Gjykatën e Lartë ankimim kundër vendimit të dënimit me burg. Sipas gazetares Glidona Daci, ata kërkojnë prishjen e vendimit të Apelit dhe shpalljen të pafajshëm.
Ndërkohë, pak ditë më parë ishte SPAK që iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë duke kërkuar cilësimin e veprës penale “trafik droge në kuadër të grupit strukturuar kriminal”. Po ashtu SPAK kërkoi nga kjo gjykatë kthimin e dosjes sërish për rigjykim në Apel me një trupë të re gjyqtarësh.
Prokuroria shprehet se Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela duhet të gjenden fajtorë për trafikim të lëndëve narkotike dhe të dënohen me nga 12 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar iu zbret në 8 vite heqje lirie.
Tahiri u dënua me 3 vite e 4 muaj burg më 5 Shkurt nga ana e Gjykatës së Posaçme të Apelit. Ndërsa ish-drejtori i policisë së Vlorës, Jaeld Çela është liruar disa javë më parë pasi kishte shlyer 2/3 e dënimit.
g.kosovari