Analisti i njohur Mustafa Nano ka replikuar me ishministrin socialist të Mbrojtjes, Sabit Brokaj, për intervistën e tij në “Panorama” se Mehmet Shehu ka qenë burrë shteti. I ftuar në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, Mustafa Nano tha se Mehmet Shehu s’ka qenë kurrë burrë shteti, por një mendje kriminale.
Nano e quajti ekzekutimin e 67 ballistëve në vitin 1943 si një masakër absurde, e realizuar nga një mendje e çmendur si ajo e Mehmet Shehut. Analisti e ka quajtur të pakuptimtë edhe dekorimin që Presidenti u bëri 67 ballistëve të vrarë gjatë luftës, duke thënë se ata ishin viktima dhe jo heronj.
“Unë nuk besoj se në vitin 1943 fshatarët e Lushnjës e kanë ditur se pas dy vitesh do të vendosej një regjim diktatorial, dhe janë marksist-lenistë. Akti është mizor, është një nga aktet më të ndyra që ka ndodhur.
Holokausti është holokaust dhe janë me miliona viktima, por ato janë viktima dhe bota ka shprehur gjithë dhembshurinë e vet, por nuk i ka shpallur njeri heronj, por ka gjykuar kriminelët”, tha Nano.
Nga Mustafa Nano
Unë mendoj që ka disa ngjarje që palët edhe mund të merren vesh. Ka një lloj tendence për t’u afruar në qëndrime. Njihet mizoria e aktit, e njohin edhe të majtët. Ishte një masakër absurde, e çmendur, e provokuar nga një mendje e çmendur si Mehmet Shehu. Unë kam lexuar në shtyp Sabit Brokajn, që është një burrë që unë e respektoj, por që një njeri mund ta mendojë për Mehmet Shehun që është burrë shteti, por nuk është ky momenti dhe nuk është kjo ngjarja nga e cila ti të inspirohesh për të thënë që Mehmet Shehu është burrë shteti.
Që burrë shteti s’është kurrë, sepse ka qenë një mendje shumë kriminale. Nga ana tjetër, të thuash se ajo që bëri Presidenti, që është gjesti më presidencial që mund të ekzistojë? Për mizorinë duhet të kemi empathi, duhet të kemi kompasion. Të vërtetën e thonë historianët dhe në planin perspektiv kjo mjafton. Por unë mendoj që Presidenti nuk duhet të ngatërrojë viktimat me heronjtë.
Janë viktima në këtë rast dhe ne duhet të manifestojmë të gjithë kompasionin e mundshëm, por nuk mund t’i heroizojmë. Unë lexova dhe fjalën që mbajti dhe Uran Butka në Presidencë dhe kam përshtypjen se thotë atë që është, që ata që u vranë janë disa bujqër të pafajshëm. Dhe për këtë bie dakord me Enver Hoxhën, është rast i rrallë që Uran Butka puqet me Enver Hoxhën.
Ishin disa bujq të pafajshëm, ca fshatarë dhe në këtë rast nuk kanë dhënë jetën për idealin që kishin dalë. Unë nuk besoj se në vitin 1943 fshatarët e Lushnjës e kanë ditur se pas dy vitesh do të vendosej një regjim diktatorial, dhe janë marksist-lenistë. Akti është mizor, është një nga aktet më të ndyra që ka ndodhur. Holokausti është holokaust dhe janë me miliona viktima, por ato janë viktima dhe bota ka shprehur gjithë dhembshurinë e vet, por nuk i ka shpallur njeri heronj, por ka gjykuar kriminelët.
***
Unë nuk bie dakord tek optika e të majtës për Luftën. Nuk bie dakord me butaforinë e Ballit Kombëtar e gjithë këtyre antikomunistëve para Luftës dhe gjatë Luftës, sepse duhet thënë se me Ballin Kombëtar dhe me nacionalistët antikomunistë të gjithë aktet kanë qenë pjesë e elitës sonë nacionale, ata kanë bërë një zgjedhje fatkeqe edhe për veten. Kanë bërë një zgjedhje fatkeqe që në periudhën e Luftës ose heshtën, ose një pjesë tjetër edhe bashkëpunuan.
Vetëm se është shumë interesant fakti se mund të numërohen me kokrra pjesëtarët e elitës kulturore dhe politike të paraluftës që u hodhën me partizanët. Është shumë interesante dhe kjo tregon një distancë të madhe midis masës së madhe të njerëzve dhe elitës, unë e di këtë gjë. Elita jonë ishte ajo që ishte, por është e çuditshme. Pothuajse asnjë nga pjesëtarët e elitës nuk u rreshtua me komunistët dhe nuk manifestoi atë zellin e madh antinazist dhe antifashist.
Unë i bëj një thirrje për pak kujdes, kur vlerësojmë njerëz të tillë, për faktin se kanë bërë gafën e madhe apo të vogël që kanë heshtur, apo kanë mbajtur pozicionin e sehirxhiut, apo në njëfarë mënyre janë solidarizuar me pushtimin, sidomos me atë italian, kishim dhe më pas me atë gjerman, sepse lidhej me dimensionin nacional të çështjes, sepse ata do na bashkojnë me Kosovën.
Pastaj bëhej dhe një arsyetim shumë praktik, kur thoshim pse do luftojmë me këta, ne jemi një vend i vogël, një komb i vogël. Kanë qenë disa arsyetime njerëzore që nuk mund t’i hedhësh në kosh. Është bërë një zgjedhje, por ka pas dy zgjedhje. Ata kanë bërë njërën prej këtyre zgjedhjeve. Por kur bëhet fjalë për ata që kanë bashkëpunuar qartë me fashizmin, këtu duhet të jemi të prerë. Të majtë dhe të djathtë. Këtu nuk ka mëdyshje.
***
Këto të vërtetat historike janë gjërat më të diskutueshme të botës. Këto optikat e ndryshme që kontrastojnë do të ekzistojnë sa të jemi gjallë ne, fëmijët tanë. Nuk mund të arrijmë në një konkluzion konsensual mbi historinë, mund të arrijmë konsensus për shumë gjëra, por për historinë jo.
Ballafaqimi Balli Kombëtar dhe komunistë nuk ka qenë një ballafaqim vetëm në Shqipëri, por ka qenë një histori ballkanike. Edhe kur gjykojmë komunizmin, komunizmi ishte një flamë botërore, nuk ishte një shpikje e Enver Hoxhës.
Këtu ka qenë regjimi më mizor, unë bie dakord me këtë, por praktika që ndoqi komunizmi këtu me kolektivizimin e sforcuar, me krimet që bëri menjëherë pas Luftës, janë praktika që në përmasa më të ulëta janë evidentuar edhe në vendet e tjera atje ku u vendos komunizmi.