Faqja e sondazheve, “Numbeo”, ka nxjerrë një përllogaritje të shpenzimeve minimale që i duhen një njeriu në Shqipëri që të ushqehet aq sa të marrë kaloritë e nevojshme, që të vazhdojë ekzistencën e vet me veprimtaritë e një qenie njerëzore të zakonshme.
Sipas anketës së “Numbeo”-s për të marrë kaloritë e nevojshme ditore duhen afërsisht 500 lekë të reja për të shpenzuar për ushqime. Këtë përllogaritje e “Numbeo”-s e ka bërë duke marrë një mesatare të çmimeve dhe të sasisë së artikujve ushqimorë në Shqipëri. Dhe çmimet e artikujve ushqimorë të përllogaritura nga “Numbeo” pasqyrojnë realitetin shqiptar. Kështu sipas anketës të “Numbeo”-s, në 31 ditë një shqiptar, për të përmbushur nevojat e veta minimale ushqimore, duhet të shpenzojë rreth 14,800 lekë të reja
Në dietën ditore të anketës së “Numbeo”-s përfshihen 6 fruta dhe perime si edhe mish lope dhe pule. Ndërkaq nëse do të hiqnim sasinë e mishit nga kjo listë, atëherë shpenzimet ditore minimale të ushqimeve për një shqiptar do të përllogariteshin në vlerën e rreth 294 lekëve. Ndërsa nëse do të hiqeshin nga lista e dietës ditore e “Numbeo”-s artikujt ushqimorë të mishit, atëherë vlera minimale e shpenzimeve ushqimore të një shqiptari për 31 ditë do të ishte 9116 lekë.
Studimi i Avokatit të Popullit
Një studim i Avokatit të Popullit, së fundmi, ka përllogaritur minimumin jetik për frymë në Shqipëri për vitin 2015 në vlerën e rreth 16 mijë lekëve të reja në muaj. Minimumi jetik përkufizohet si shuma monetare e një sërë produktesh ushqimore të përshtatshme për të siguruar funksionimin normal të trupit të njeriut dhe ruajtjen e shëndetit, plus një numër minimal artikujsh jo-ushqimorë dhe një numër minimal shërbimesh të nevojshme për të përmbushur nevojat bazë social-kulturore. Për sa i përket shpenzimeve ushqimore, studimi i Avokatit të Popullit nxori, se nga minimumi jetik 7089 lekë shpenzime në muaj shkojnë për ushqime.
Numbeo
“Numbeo” është një faqe e cila specializohet në mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave, për të dhënë statistika të cilësisë së jetesës, ndotjes, kriminalitetit , çmimit të jetesës etj në qytetet dhe vende nga e gjithë bota. Të dhënat e “Numbeo”-s citohen si nga media dhe revista prestigjioze ndërkombëtare si “The Economist”, “New York Times”, “BBC”, “Finacial Times”, “Forbes”, “Fox News” etj./ BW/ Nga Ilir Sinanaj