Nga Fatos Çoçoli
Nëntë ditë më parë, më 29 mars, kryeministri mëtoi se brenda dy viteve, paga mesatare bruto(pra, pa hequr taksat) do të bëhej 102 mijë lekë të reja në muaj, ose 900 euro. Sot, pas një analize, qeveria kumtoi se do të duhet vetëm një vit, që nga sot. Aq më mirë!
Sa do më shtohet paga?
Sipas planit të qeverisë, nga 100 mijë lekë të vjetra në muaj për ata me pagë minimale, në 250-320 mijë lekë të vjetra në muaj, për të gjithë punonjësit në shtet me pagë afër pagës mesatare. Qeveria u kujtua vonë për të rritur rrogat, por më mirë vonë se kurrë, thotë populli.
Në 2022, rritja e pagës ishte më e larta e 8 viteve të fundit. U shtua me 10.8%, në krahasim me 2021. Më 1 prill 2024, i bie të marr 100 mijë lekë të vjetra më shumë, po të kem pagë minimale, ose 240-290 mijë lekë të vjetra më shumë, po të kem pagë mesatare.
Lind pyetja, çfarë e nxiti qeverinë të shikojë me ngulm rritjen e pagës mesatare bruto të 180 mijë punonjësve të saj? Le t’i shikojmë me hollësi arsyet Kjo është paga që duam. Që të mos braktisim në masë vendin tonë. Do e arrijmë vallë?
Sot, paga mesatare në vend, sipas INSTAT, është 66 mijë lekë ose 580 euro. Vendimi për të rritur pagën në administratën publike me 45 përqind nga niveli i tanishëm, brenda një viti, është një vendim sa kurajoz aq pozitiv, i pritur prej shumë kohësh, i domosdoshëm për të gjitha kategoritë e punës dhe strukturën e pagave në sektorin publik.
Në 1 prill 2023, paga minimale e bë e treta pagë minimale më e lartë në rajon, baraz me pagën minimale në Maqedoninë e Veriut. Janë 200 mijë qytetarë që marrin pagë minimale në Shqipëri. Paga e tyre një vit më vonë, do të rritet me 100 mijë lekë të vjetra në muaj.
Paga që duam
Vendimi i sotëm i qeverisë do të shërbejë edhe si nxitje për rritjen e mëtejshme të pagave edhe në sektorin privat. Administrata publike punëson sot rreth 180 mijë punonjës, në sektorë si arsim publik, shëndetësi publike, administratë publike qendrore dhe vendore, në polici, ushtri, ndërmarrje shtetërore aksionere, etj. Sektori privat, i cili jep më shumë se 80 përqind të prodhimit të përgjithshëm bruto të vendit, punëson më shumë se një milion e dyqind mijë punonjës në Shqipëri. Një pjesë e mirë e punonjësve në sektorin privat, rreth 40 përqind, janë të vetëpunësuar në bujqësi.
Niveli i pagave, më shumë se sa një politikë sociale, varet nga produktiviteti(sasia e mallrave dhe shërbimeve që prodhon në njësinë e kohës) i ekonomisë dhe mundësitë financiare që ka vendi për të zbatuar një politikë të pagave më të larta minimale dhe mesatare.
Shtimi i ndjeshëm i pagës minimale do të shërbejë si presion pozitiv edhe për rritjen e pagës mesatare në ekonominë shqiptare. Tek ne, prej vitesh ka pasur një hendek lidhur me nivelin e pagave minimale dhe mesatare, krahasuar me vendet e rajonit, të afërta me nivelin e fuqisë blerëse të vendit tonë, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Në nëndë vitet e fundit, rritja ekonomike nuk ka arritur që të kthehet në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, ndërkohë që të ardhurat për frymë vijojnë të mbeten, pas Kosovës, më të ulëtat në Europë, me 32% të mesatares europiane, sipas Eurostat.
Paga mesatare 900 euro: mision i mundur!
Paga mesatare bruto(pa taksat dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore), është rritur ngadalë gjatë nëndë viteve 2013-2021. Nga 45.5 mijë lekë që ishte në vitin 2014, viti i parë që INSTAT raporton pagën mesatare, ajo arriti në 66 mijë lekë pas 9 vitesh në 2022-in, me një rritje të paindeksuar me inflacionin, prej 45 përqind. Gjatë vitit 2022, pagat u rritën me shtim dyshifror, nga presioni i inflacionit të lartë dhe nga presioni i mungesës së punonjësve, me pothuajse të gjitha bizneset që raportonin vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore në të gjithë sektorët e ekonomisë, deri në nivele 55 mijë-60 mijë punonjës në kërkim.
Kuptohet se, ndërsa qeveria ka në dorë rritjen e pagës minimale, që e çoi në 40 mijë lekë, nga 1 prilli 2023, është tregu ai që e rrit pagën mesatare. Megjithatë, qeveria, me politikën e saj të shtimit të pagës mesatare në sektorin publik, mund të ushtrojë një presion pozitiv të rëndësishëm mbi sektorin privat, për ta rritur edhe ai pagën mesatare akoma dhe më shumë nga sa e ka shtuar vitin e fundit.
Premtimi i sotëm i qeverisë, që brenda një viti, paga mesatare do të shkojë në 102 mijë lekë, realisht e sjell këtë pagë në nivelin e pagës mesatare në dy sektorët me pagat më të larta në vend, sektori i Informacionin dhe Komunikimit, që e ka pagën mesatare 103 mijë lekë në muaj dhe sektori i Aktiviteteve Financiare dhe Sigurimeve, pra sektori bankar, me pagë mesatare 106 mijë lekë në muaj.
Nga çdo këndvështrim, vendimi i sotëm i qeverisë për rritjen e pagës mesatare në 900 euro brenda një viti, është vendim i shumëpritur, që do të mundësojë një politikë më strukturore në ekonominë dhe shoqërinë tonë, për të vlerësuar më shumë punën në raport me të ardhurat e tjera nga kapitali. Nuk mund të taksojmë kapitalin e aksionerit të një kompanie(dividendin) me 8 përqind dhe pagën me 15 dhe 23 përqind! Paga që duam duhet të jetë pa këto absurditete.