Trajneri kosovar i xhudos, Driton Kuka ka konfirmuar se Rusia nuk do të lejojë që Kosova të marrë pjesë si shtet në garën e Mastersit.
Rusia ka kërkuar që Kosova të mos luajë me simbolet shtetërore, por me flamur të Federatës Botërore, gjë që është hedhur poshtë kategorikisht nga Driton Kuka, transmeton Koha.net.
“Mastersi pa Kosovën! Po kërkohet të heqim dorë në Rusi prej simboleve shtetërore që të marrim pjesë me flamur të Federatës Botërore të cilën zgjedhje nuk do e pranojmë!
Përfundimisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë erdh përgjigje zyrtare që Kosova nuk do lejohet të marr pjesë si shtet në garën ku marrin pjesë 16 më të mirët në çdo kategori”, ka shkruar Kuka në Facebook.
Kuka më tutje ka shtuar se Nora Gjakova e Distria Krasniqi, që janë të vetmet që janë paraqitur për të marrë pjesë në Masters, po vazhdojnë të hasin në barriera politike, por kjo s’do të ndali punën e ekipit të tij.
Turneu i madh Masters, pritet që të mbahet më 16 e 17 dhjetor në St. Petersburg të Rusisë. (b.an)










