Moska kërkon që paralelisht me zgjedhjet presidenciale në vitin e ardhshëm në Serbi të mbahet edhe referendumi për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Referendumi është temë e të gjitha bisedimeve ndërmjet zyrtarëve rusë e serbë e emisarët e Vladimir Putinit këtë temë përpiqen ta shtyjnë përmes partive proruse në Serbi.
Kështu ka qenë edhe ditëve të shkuara në Moskë, kur në kongresin e Partisë së Bashkuar të Rusisë kanë marrë pjesë katër parti politike të Serbisë.
Siç shkruan gazeta e Beogradit “Blic”, zëvendëskryetari i Dumës ruse Sergej Zheleznjak e shfrytëzon çdo rast që liderëve të partive proruse t’iu thotë se do të kenë përkrahjen e Rusisë gjithmonë derisa të përpiqen që në rend dite të vënë referendumin për hyrje në BE dhe në NATO, transmeton Koha.net.
Zheleznjak insiston që referendumi për BE dhe NATO të mbahet në ditën e zgjedhjeve presidenciale, në pranverën e vitit të ardhshëm. Ideja ishte që referendumi të mbahej edhe gjatë zgjedhjeve parlamentare në prillin e sivjetmë, por meqë kjo s’i shkoi përdore Rusisë, Moska do të do të provojë që këtë ta bëjë në vitin e ardhshëm.
ma.me