Nga Bajram Peçi
Lajmi i fillimit të Luftës së Tretë Botërore jepet nga spikerja e televizionit rus. Serioze, ajo nuk lë asnjë dyshim te shikuesi se po bën shaka, madje e përcjell lajmin të kuptohet si mesazh të formuluar atje lart, te kupola, ku çdo rus që jeton karikaturën e demokracisë së tyre, kupton Vladin, Putinin. U bëjnë me dije shikuesve se e kanë denazifikuar Ukrainën, e kanë demilitarizuar atë dhe tani do fillojnë të demilitarizojnë NATO-n, Europën!?
Europa na i ka fyer ata (rusët) me qëndrimin e tyre të njëzëshëshëm për të kundërshtuar pushtimin e Ukrainës! Për më tepër ata (europianët) kanë guxuar ta ndihmojnë edhe me armë shtetin e Ukrainës, territore që ata u ruajnë ende hipotekat e vjetra, ku shfaqen si pjesë qindravjeçare e perandorisë cariste, e Romanovëve, e sovjetikëve, e Stalinit dhe Brezhnjevit, e quajnë tokë e pronë e Rusisë. Tashmë, fyerja është shndërruar në zemërim, siç ka qenë gjatë periudhës të luftës së ftohtë.
Është koha e duhur për të marrë atë çka kanë humbur! Shantazhit përmes karburanteve fosile, naftës dhe gazit, lëndë me të cilat Rusia mjeshtërisht ka arritur në tre dekadat e fundit të “vartësojnë” Europën, iu shtuan raketat me armatim termobërthamor, supersoniket “Zirkon”, të afta, sipas tyre, ta zhdukin Britaninë brënda 2 minutash. Miopia europiane, ëndërrimet e saj se Rusia mund të bëhej Europë, kanë vdekur!
Pse Rusia nuk është Europë?
Pas ardhjes së bolshevikëve në pushtet marrëdhënjet e Rusisë me Europën u krisën keqazi. Më pas, kur panë piramidën e klasave të përmbysur, me gjithë pasojat e saj, ato u përkeqësuan pa kthim. Ndonëse ndihmuan pa dobi rezistencën biellogardiste, ikja e Rusisë nga Europa ishte i pashmangshëm. Rusia nuk pranoi dhe nuk njihte më në vitin 1918 borxhet e mëdha që i kishte Francës nga periudha cariste. Marrëdhënjet dipllomatike u prishën, Rusia u mbyll.
Kur kryeqyteti i Rusisë u shpërngul nga Petërburgu në Moskë, ky është momenti që historianët shënojnë se periudha perëndimore e historisë ruse, që kish filluar me Pjetrin e Madh, kish mbaruar. Rusia, shënojnë kronistët, po zhvendoste qëndrën e saj të gravitetit në drejtim të Azisë.
Atmosfera e helmët që përjetonin mes tyre, Europa dhe Rusia, do pastrohej paksa kur mesi i viteve ’30 do ta gjente Rusinë të kërcënuar fillimisht nga Hitleri, i cili pa dorashka deklaronte hapur në fjalimet e tij se Rusinë do e kish objektivin kryesor në pushtimet gjermane për “Labensbraum-hapësirën jetike”. Jo më pak i fuste Rusisë frikën edhe ekspasionizmi japonez në Lindjen e Largme. Në këto rrethana dipllomacia e Bashkimit Sovjetik fillon e del nga izolimi dhe kërkon një statu kuo të re. U aderua në Lidhjen e Kombeve, ndërkohë që Gjermania me Japoninë e kishin braktisur, nënshkroi me Francën një pakt ndihme reciproke, pasoi një pakt me Çekosllovakinë.
Aneksimi i Renanisë, i Austrisë, pushtimi i Çekosllovakisë, ishin ngjarjet që kanë bindur Bashkimin Sovjetik mbi dobësinë e demokracive europiane. Lehtësisht e braktis paktin me Europën dhe fillon negocimin me gjermanët, kur ata ndodheshin në prag të pushtimit të Polonisë. Në fshehtësi të plotë, mbrëmjen e 23 korrikut 1939, Molotovi, i sapo emëruar Ministër i Jashtëm, një armik i thekur i perëndimit, pret në Kremlin Ministrin e Jashtëm të Rajhut, Johakin fon Ribentrop dhe firmosin pas dy ditësh paktin e mossulmimit, si një traktat miqësie. Dokumenti ka 2 pjesë. Njëra, ajo e miqësisë, u publikua, tjetra mbeti sekret dhe do njihej vetëm pas Luftës II Botërore. Pjesa sekrete përmbante coptimin mes tyre të kësaj ane të Europës. Bashkimi Sovjetik merrte Finlandën, Estoninë e Letoninë. Gjermania merrte Poloninë e Lituaninë.
Pas pak më shumë se një muaj Gjermania sulmon Poloninë. Bashkimi Sovjetik fut trupat në lindje të Polonisë. Nuk do ishin mbushur ende 2 vjet nga pakti i mossulmimit kur Gjermania e sulmoi atë.
Pse Rusia nuk u bë dot Europë?
Për shqiptarët e arsimuar në vitet ’50 në Bashkimin Sovjetik, Rusia ishte Europë. Ngjante kështu sepse nuk e kishin parë Vjenën, Parisin, Londrën, botën demokratike. Kam takuar këto ditë një prej tyre, i mbetur filorus i palëkundur, që më mbronte me afsh “operacionin special”, historinë ruse të Ukrainës. Mes të tjerash më përmendëte se Rusia ëshë atdheu i shkencëtarëve të mëdhenj dhe shkrimtarëve gjeni, si Tolstoj, Dostojevski, Çehovi, Pushkini, gjë që është e vërtetë dhe s’gjen asnjë arsye për ta mohuar. Madje, prania e tyre në historinë botërore vazhdon ende të ndikojë opinionin me arsyetimin se agresori rus i ka dhënë kulturës botërore këtë dhe atë! Por a bën kjo Rusinë Europë?
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, bota demokratike ushqeu shpresa të mëdha se Rusia, me pluralizmin politik, me zgjedhje të lira, me instalimin e formacionit ekonomik të tregut të lirë, do bëhej si dhe ata. Por nuk ndodhi kështu! Me ardhjen e Putinit në krye të shtetit një brez i tërë i lindur në “demokraci” nuk njohën kënd tjetër përpos Putinit dhe shokun e tij, Dimitri Medvedev, të cilët zëvendësonin gjatë 20 vjetëve në mënyrë qesharake njëri-tjetrin në postet President-Kryeministër. Zgjedhësit panë dhe pranuan këto shpikje “demokratike”, ngjashëm me monarkitë, ku ofiqi trashëgohet.
Çfarë lidhje kanë këto zhvillime me demokracinë e vertetë, çfarë lidhje kanë me mënyrën europiane të zgjedhjeve dhe jetesës? Asnjë lidhje! Trashëgimia mbi 70 vjeçare sovjetike është rrënjosur kaq thellë në sjelljet dhe ndërgjegjen e atij populli, aq sa nuk do mjaftojnë këta dy-tre breza për të sjellë ndryshimin. Strukturat letrare Rusisë i kanë rezistuar më mirë, por pa qenë në gjendje të përballen me strukturat politike. Brezi i tashëm heterogjen i intelektualve zgjedhin më mirë të largohen nga Rusia se sa të përballen me regjimin.
Kur të shohim Ukrainën të bjerë, mjerë Europa!
Prania në duar të shumë shteteve e armëve bërthamore, në vitet ’60 e vlerësuan luftën si të pamundur. Elementi bërthamor ndihmoi në ftohjen e kokave, kur arsyeja u tregonte se me përdorimin e armëve bërthamore nuk do kish të humbur e të fituar.
Kohët e botëkuptimet ndryshuan brënda një dite, 24 shkurt 2022. Njerëzit u zgjuan në një botë tjetër, duke patur mbi krye kërcënimin bërthamor të Putinit. Arsyeja se pse e provokon këtë gjendje është rikthimi i perandorisë, rikthimi i forcës, dinjitetit e pushtetit të madh, që vinte nga kohërat e Bashkimit Sovjetik.
Rusia ka kohë që përgatitet për pushtimin e Ukrainës dhe sulmin ndaj demokracive perëndimore, por mesa u fol ditë pas agresionit, Putini e paska marrë vendimin kur ka parë sulmin mbi Kongresin Amerikan. Një Europe të përçarë nga mosmarrëveshjet ju shtua dhe një Amerikë e dobët, të cilës lehtësisht i përdhosen institucionet e saj më të larta. Kjo është dita, ka menduar Putini!
Të thuash se fitoi në Ukrainë është gënjeshtër. E pohoi këtë fitore spikerja në TV e Rusisë, por deri tani nuk duket të jetë kështu. Nga druajtja fillestare Europa ka kaluar në veprime qe lidhen drejtëpërsë drejti me frontin e luftës, furnizimin me armë. Dje qenka vendosur në parim, pavarësisht kundërshtimit hungarez, embargo e naftës dhe gazit rus. 5 milion ukrainas kanë braktisur vendin dhe ndodhen në shtetet fqinje e më larg, lufta po bëhet gjithnjë e më e ashpër, viktimat e të rënët në beteja nga të dy krahët janë të mëdha. Presidenti Zelensky, i palëkundur për lëshimin e Donbasit dhe Luhanskut, është i bindur se kjo luftë nuk do marrë fund pa negocimet e dipllomacisë botërore.
Rusët kanë preferuar një pushtet personal, autoritar dhe, pse jo, edhe policor!? Putin ju paraqit kombit rus si mëshirim i trashëgimisë sovjetike, ku spikaste përbuzja ndaj të tjerëve, kryesisht Amerikës dhe Europës perëndimore. Rusët i dhanë atij dhe ish KGB-së gjithçka ai kërkoi. Tani, shohim se shumica e tyre e mbështesin këtë luftë dhe kërkesat e Rusisë, ndaj nuk ka gjasa që ndokush të ëndërrojë se forca të brendëshme do sjellin ndryshime.
Europa dhe Amerika këtë e di, ndaj do vazhdojnë ta furnizojnë me armë, por pa ditur fundin. Si rregull luftrat janë punë numrash në njerëz, armë, mjete financiare, burime, etj. Tek të gjithë këta tregues Rusia është më lart. A do bjerë Ukraina apo dipllomacia botërore do ta detyrojë të lëshojë territor? Ditën kur Ukraina, rezistenca heroike e saj do shuhen, të gjithë duhet të trëmben, rendi i sigurisë do ketë rënë, kufijtë mund të ndryshohen me forcë, qenja e OKB-së është një formalitet i panevojshëm. A do ndalet vallë Rusia këtu apo radhën e ka Moldavia, Gjeorgjia, Ballkani, Finlanda, Polonia, shtetet e detit Balltik? Europa na i paska fyer rusët, duke mos u pranuar në heshtje arrogancën, dhunën, krimin. Çfarë i mbetet tjetër Europës përveç izolimit të këtij xhandari të rrezikshëm!