• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, March 21, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Rugova e shndërroi durimin strategjik në mekanizëm shtetformues

by Skënder Asani
20/01/2026 16:14
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Rumbullaksimi i çështjes së Kosovës kërkon rikthim substancial te doktrina e Rugovës: unitet të brendshëm pa përjashtime, dialog pa nënshtrim, paqe pa harresë dhe shtetësi pa kompromis mbi legjitimitetin. Vetëm duke u rikthyer te arkitekti moral i shtetit, Kosova mund ta mbyllë ciklin historik të saj dhe të sigurojë që shteti të mos mbetet formë juridike e zbrazët, por projekt i plotë politik, moral dhe ndërkombëtar.

 

Nga Prof.dr Skender ASANI

Koncepti shtetformues i Ibrahim Rugovës për Kosovën përbën një rast studimor të veçantë në teorinë bashkëkohore të ndërtimit të shtetit nën okupim dhe represion sistemik. Ai nuk ishte produkt i rrethanave të përkohshme, as i improvizimit politik, por rezultat i një vizioni të menduar me koherencë të brendshme, i ankoruar njëkohësisht në histori, moral politik dhe racionalitet ndërkombëtar. Rugova e konceptoi shtetin e Kosovës jo si produkt force, por si konstrukt legjitimiteti normativ, duke e ndërtuar atë si ide politike shumë përpara se të realizohej juridikisht. Në këtë kuptim, ai nuk ishte thjesht lider i rezistencës paqësore, por arkitekt i një modeli alternativ të shtetformimit në Evropën e pas Luftës së Ftohtë, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me paradigmat dominante të dhunës në Ballkan.

Në kushtet e mohimit total të subjektivitetit politik të shqiptarëve dhe të represionit institucional serb, zgjedhja e rezistencës paqësore nuk ishte akt moralist apo shenjë dobësie politike, por strategji e ftohtë dhe e kalkuluar. Rugova e kuptonte asimetrinë e thellë të forcës dhe rrezikun e delegjitimimit ndërkombëtar të kauzës së Kosovës në rast të militarizimit të hershëm. Për këtë arsye, ai e shndërroi durimin strategjik në kapital politik dhe rezistencën civile në mekanizëm prodhimi të legjitimitetit. Institucionet paralele, zgjedhjet politike, referendumi për pavarësi dhe funksionimi simbolik i shtetit përbënin forma embrionale të sovranitetit, duke krijuar një realitet politik që ekzistonte përtej mungesës së njohjes formale.

Ky proces prodhoi një transformim thelbësor në perceptimin ndërkombëtar të Kosovës. Ajo nuk u shfaq më si hapësirë rebelimi etnik, por si shoqëri e organizuar, racionale dhe me aspiratë të qartë demokratike perëndimore. Pikërisht këtu qëndron themeli teorik i shtetit të Kosovës: jo në kontrollin territorial, por në legjitimitetin e ndërtuar gradualisht. Në doktrinën rugoviane, shteti u mendua dhe u ndërtua fillimisht si ide normative dhe projekt moral, përpara se të materializohej si entitet juridik.

Brenda kësaj arkitekture, Rugova inkorporoi me vetëdije diplomacinë simbolike si instrument të ndërkombëtarizimit. Dhurimi i kristaleve dhe gurëve nga nëntoka e Kosovës personaliteteve dhe burrështetasve ndërkombëtarë nuk ishte akt ceremonial apo folklorik, por gjest i kalkuluar politik. Këto objekte përfaqësonin territorialitetin historik të Kosovës dhe shndërronin pasurinë natyrore në gjuhë diplomatike. Përmes tyre, Kosova artikulohej si hapësirë me thellësi identitare dhe vazhdimësi historike, duke sfiduar drejtpërdrejt narrativën serbe të mohimit dhe përvetësimit.

Vizioni i Rugovës për pavarësinë mbështetej mbi tri shtylla strukturore: unitetin e brendshëm politik dhe shoqëror, legjitimitetin demokratik edhe në kushte okupimi dhe ndërkombëtarizimin sistematik të çështjes së Kosovës. Ai e identifikoi përçarjen e brendshme si rrezikun kryesor strategjik, sepse ajo e gërryen besueshmërinë e jashtme. Pa kohezion të brendshëm, shteti nuk mund të projektohet si partner i besueshëm në rendin ndërkombëtar.

Orientimi perëndimor, në doktrinën rugoviane, nuk ishte zgjedhje taktike apo aleancë e përkohshme, por identitet normativ dhe civilizues. Kjo u reflektua në ndërtimin e simbolikës shtetërore, veçanërisht në përdorimin e elementeve të identitetit dardan në stemën e Presidencës. Kjo simbolikë nuk synonte romantizëm historik, por ndërtimin e një narrative shtetërore që e vendoste Kosovën në vijimësinë evropiane para-moderne, si subjekt historik dhe jo si produkt i shpërbërjeve të fundit ballkanike. Në të njëjtën linjë, afirmimi i figurës së Pjetër Bogdanit përbënte zgjedhje strategjike kulturore, duke e lidhur identitetin kombëtar me traditën humaniste dhe intelektuale të Evropës.

Kulmi operacional i kësaj strategjie u materializua në Konferencën e Rambujesë. Qëndrimi i Rugovës atje nuk ishte kompromis i dobësisë, por akt i lartë racionaliteti politik. Rambujeja funksionoi si mekanizëm legjitimues për ndërhyrjen ndërkombëtare: Kosova u paraqit si palë konstruktive dhe e gatshme për paqe, ndërsa Serbia u ekspozua si faktor destabilizues. Pa këtë pozicionim, ndërhyrja e NATO-s do të ishte shumë më e vështirë të justifikohej juridikisht dhe moralisht.

Raporti i Rugovës me luftën dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kërkon lexim të çliruar nga narrativat reduktuese. Ai nuk e mohonte rezistencën e armatosur si pasojë të represionit, por paralajmëronte për rrezikun e militarizimit të politikës dhe transformimit të dhunës në burim delegjitimimi. Për Rugovën, lufta mund të prodhonte presion, por vetëm diplomacia dhe legjitimiteti ndërkombëtar mund të prodhonin shtet. Historia e konfirmoi këtë tezë përmes ndërthurjes së rezistencës në terren me kapitalin politik të ndërtuar prej vitesh.

Boshti strategjik i këtij projekti ishte miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rugova e konceptonte Amerikën jo vetëm si fuqi ushtarake, por si garant të rendit liberal ndërkombëtar, ku shtetet e vogla mbrohen përmes ligjit, vlerave dhe aleancave afatgjata. Kjo miqësi u ndërtua mbi koherencë politike, maturi dhe refuzim të aventurizmit populist.

Në doktrinën rugoviane, dialogu me Serbinë nuk përfaqësonte akt teknik negocimi, por proces politik me dimension moral, juridik dhe ndërkombëtar. Bisedimet nuk mund të zhvillohen si menaxhim i konfliktit, por vetëm si mekanizëm për mbylljen përfundimtare të tij mbi bazën e legjitimitetit të fituar. Për Rugovën, dialogu ishte i mundur vetëm nëse ishte i zhveshur nga asimetria e imponimit dhe i ndërtuar mbi parimin e njohjes së realitetit politik të Kosovës si shtet. Normalizimi pa njohje përbën stabilizim të padrejtësisë, ndërsa dialogu pa barazi prodhon zgjidhje të përkohshme dhe të kthyeshme. Prandaj, zgjidhja përfundimtare e raportit Kosovë Serbi, në frymën rugoviane, nuk kalon përmes kompromiseve territoriale, autonomive etnike apo formulave kreative juridike, por përmes njohjes reciproke, pranimit të përgjegjësisë historike dhe integrimit të dy shteteve në rendin euro-atlantik mbi parime të qarta. Vetëm një marrëveshje e ndërtuar mbi legjitimitetin normativ, të garantuar ndërkombëtarisht dhe të pranuar nga shoqëritë përkatëse, mund ta mbyllë konfliktin si kapitull historik dhe jo ta mbajë atë të hapur si krizë të menaxhuar.

Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, termi “rugovist” u përdor gjerësisht në diskursin publik, por shpesh pa përmbajtje teorike. “Rugovizmi” u reduktua në etiketë nostalgjike ose ceremoniale, duke humbur dimensionin e tij si doktrinë shtetformuese. Në thelb, rugovizmi përfaqëson një koncept të shtetit si proces moral dhe politik afatgjatë, të ndërtuar mbi katër shtylla: legjitimitetin normativ, durimin strategjik, diplomacinë simbolike dhe orientimin e pakthyeshëm perëndimor. Pa këtë kuptim, përdorimi i termit mbetet i zbrazët dhe i instrumentalizueshëm.

Mungesa e vazhdimësisë konceptuale ka prodhuar një diskontinuitet strukturor ndërmjet trashëgimisë shtetformuese rugoviane dhe praktikës politike të pasluftës, duke krijuar një hendek me pasoja afatgjata për funksionalitetin e shtetit. Elitat politike, edhe kur e instrumentalizojnë referencën ndaj Rugovës si kapital simbolik, veprojnë shpesh në kundërshtim me logjikën e tij të legjitimitetit normativ dhe racionalitetit strategjik, duke relativizuar autoritetin institucional, duke zëvendësuar durimin politik me impulsivitet afatshkurtër dhe duke e reduktuar diplomacinë nga mekanizëm ndërtues në reagim reaktiv. Si rezultat, shteti i Kosovës ekziston dhe njihet juridikisht, por në sjelljen e tij politike vazhdon të manifestohet si një projekt i pambyllur, i ekspozuar ndaj erozionit të brendshëm dhe paqartësisë strategjike.

Arkitektura paqësore e Ibrahim Rugovës shfaqet jo vetëm si rrugë historike drejt pavarësisë, por si doktrinë e pazëvendësueshme për rumbullaksimin final të çështjes së Kosovës. Ky projekt shtetformues e ndërtoi Kosovën fillimisht si ide normative, si subjekt moral dhe si partner të besueshëm ndërkombëtar, përpara se ta shndërronte në realitet juridik. Çështja e Kosovës nuk përfundon me aktin e shpalljes së pavarësisë, as me njohje të pjesshme, por vetëm atëherë kur shteti funksionon me legjitimitet të brendshëm, koherencë institucionale dhe peshë të qëndrueshme në rendin ndërkombëtar. Çdo devijim nga logjika rugoviane e durimit strategjik, diplomacisë simbolike dhe orientimit perëndimor e rikthen shtetin në gjendje brishtësie politike dhe e ekspozon ndaj relativizimit ndërkombëtar. Prandaj, rumbullaksimi i çështjes së Kosovës kërkon rikthim substancial te doktrina e Rugovës: unitet të brendshëm pa përjashtime, dialog pa nënshtrim, paqe pa harresë dhe shtetësi pa kompromis mbi legjitimitetin. Vetëm duke u rikthyer te arkitekti moral i shtetit, Kosova mund ta mbyllë ciklin historik të saj dhe të sigurojë që shteti të mos mbetet formë juridike e zbrazët, por projekt i plotë politik, moral dhe ndërkombëtar.

 

19 janar 2026

Next Post
Flamur Noka mesazh deputetëve të PD: Paguani nga 100 euro në muaj, na duhen për partinë

Salianji vë në 'lëvizje' zgjedhjet në PD, zbulohet urdhri i Nokës: Përpiloni dhe filtroni listat e anëtarësisë (DOKUMENTI)

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

SPAK-u, gjykatat dhe keqkuptimi i madh mbi drejtësinë

Përse nuk na dhanë vendin e parë?

March 21, 2026
Trump takon sot Netanjahun në Shtëpinë e Bardhë, çfarë pritet nga bisedimet

LAJMI I FUNDIT/ SHBA pranë tërheqjes nga lufta? Trump: Po i afrohemi shumë përmbushjes së objektivave tona!

March 20, 2026
Britania i dha bazat e saj SHBA-ve, Trump sërish ka pretendime: Duhet të kishte vepruar më shpejt!

Britania i dha bazat e saj SHBA-ve, Trump sërish ka pretendime: Duhet të kishte vepruar më shpejt!

March 20, 2026

Industria ajrore po përballet me krizën më të madhe që nga pandemia

March 20, 2026
VIDEO / Akuzat ndaj Veliajt dhe prezumimi i pafajësisë, Ben Andoni: Shkarkimi përmes një procesi joligjor

Andoni: Negociatat me Iranin nuk janë sabotuar, por ato nuk kanë qenë të pastra

March 20, 2026
Balla pas vizitës në Berlin: Gjermania, mbështetëse kryesore e Shqipërisë drejt BE-së

Balla pas vizitës në Berlin: Gjermania, mbështetëse kryesore e Shqipërisë drejt BE-së

March 20, 2026
Diaspora do të ketë përfaqësim në strukturat qendrore të PS! Si do të funksionojë regjistri…

Diaspora do të ketë përfaqësim në strukturat qendrore të PS! Si do të funksionojë regjistri…

March 20, 2026
“Aleancë me Ramën”/ Fuga: Basha bën një retorikë opozitare, por jo kundër qeverisë

“Shumë i rrezikshëm”, Fuga për planin Rama-Vuçiç: Utopik, bie ndesh me parimet e BE

March 20, 2026
Po e ‘djeg’ pa dashje? Artan Fuga: Ina Zhupa do të jetë Meloni e Shqipërisë, hapini rrugë

“Jemi në çark”, akademiku Artan Fuga: Ja si ka ngecur procesi i integrimit

March 20, 2026
Eksperti i ekonomisë: Ja pse e paguajmë naftën më shtrenjtë se fqinjët

Eksperti i ekonomisë: Ja pse e paguajmë naftën më shtrenjtë se fqinjët

March 20, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In