A kërkonte Ibrahim Rugova bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën? A angazhohej ai për referendum për bashkim me Shqipërinë? Dhe shumë pyetje e përgjigje të tjera mbi betejën katastrofale kosovare me citate të Ibrahim Rugovës.
Nga Enver Robelli
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka zgjedhur Hashim Thaçin president. Rrjedhimisht, LDK e ka caktuar Thaçin që të mendojë për të ardhmen e Kosovës. LDK mendon për të kaluarën. LDK tani merret me të kaluarën, me citate të Ibrahim Rugovës. Jo ka thënë kështu, jo ashtu. LDK lë përshtypjen se nuk ka lëvizur nga 23 dhjetori i vitit 1989, dita e themelimit të kësaj partie.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në ditën kur çereku i Europës flet për ndarjen e pritshme të Kosovës, zgjedh të merret në profilin e tij në Facebook me ata që po e citojnë keq Ibrahim Rugovën. LDK insiston që Rugova nuk ka thënë se angazhohet për shkëmbim të territoreve me Serbinë.
Çfarë nuk e kuptojnë krerët politikë të LDK-së është se Rugova ka bërë politikë vizionare, por edhe ka bërë lojëra taktike të momentit, kur çështja e Kosovës nuk ishte e zgjidhur. Për shembull ka raste kur Rugova ka folur (gati) si Albin Kurti sot: «Ne do të ishim të gatshëm të jemi shtet neutral dhe tani për tani të mos pranojmë bashkimin me Shqipërinë. Por bashkimi me Shqipërinë, këtë më duhet ta pranoj, është caku ynë i natyrshëm» («Der Spiegel», Hamburg).
Kur presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, konsideronte se kufijtë me ish-Jugosllavinë janë të paprekshëm, dr. Rugova shprehte mospajtim: «Ndoshta udhëheqja shqiptare gjendet nën presionin e Bashkësisë Europiane, sepse gjendja ekonomike në Tiranë është shumë e keqe. Por ajo nuk mund të rrezikojë të na lërë vetëm në luftë për të drejtën tonë». («Der Spiegel», Hamburg). Më 1992 «Süddeutsche Zeitung» e Münchenit shkruante: «Por një Republikë të tillë (të Kosovës, v.j.) serbët e shohin si hap të parë për bashkimin e mëvonshëm të Kosovës me Shqipërinë, pasi shteti fqinj së pari të stabilizohej në aspektin demokratik dhe ekonomik. Por Rugova kundërpërgjigjet duke thënë se në Ballkan nuk ‘duhet të ketë ndryshim të kufijve ekzistues’, të cilët në një Europë të integruar dhe të hapur gjithsesi do të humbin rëndësinë e tyre».
Një vit më vonë në «Tageszeitung» të Berlinit Rugova thoshte: «Ne propozojmë që Kosova të ketë një pavarësi dhe një neutralitet të garantuar ndërkombëtarisht. Kjo nënkupton heqjen dorë nga bashkimi me Shqipërinë». Po aty Rugova shton: «Tani natyrisht kemi një radikalizim, ekstremistët, të cilët kritikojnë lëvizjen tonë paqësore dhe duan ribashkim me Shqipërinë, po fitojnë mbështetje. Por ata absolutisht nuk kanë shans». Kosovën si shtet neutral Rugova e shihte kështu: «Politikisht ky nocion domethënë krijimi i një shteti neutral mes Serbisë dhe Shqipërisë, i cili është i hapur si ndaj Shqipërisë, ashtu edhe ndaj Serbisë, por me garanci ndërkombëtare. Kjo nënkupton që në këtë territor ruhen interesat serbe dhe serbët që jetojnë këtu fitojnë të gjitha garancitë që dëshirojnë për të drejtat e tyre».
Më 1998 në «Der Spiegel«» Rugova deklaronte: «Vetëm bashkimi ynë me Shqipërinë do të shkaktonte një reagim të tillë zinxhiror. Me partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni ne jemi marrë vesh që të mbesin pjesë e Maqedonisë dhe ne do t’i përkrahim kërkesat e tyre». Po atë vit, kur komandantë të UÇK-së kërkonin vrasjen e Rugovës, ky në pyetjen e «Der Spiegel» se a duhet ta marrë pushtetin në Kosovë Ushtria Çlirimtare e Kosovës pas tërheqjes së forcave serbe, përgjigjej: «Ky do të ishte një zhvillim normal, nëse këto grupe tregohen të përgjegjshme përballë situatës politike. Jam i bindur se UÇK-ja do t’i nënshtrohej edhe komandës sime. Gjithçka tjetër do të ishte fatale për Kosovën».
Lidhur me bashkimin me Shqipërinë Rugova më 9 gusht 1999 thoshte: «Për këtë do të duhej të vendoste popullsia më vonë në referendum». Në prill të vitit 2000 në «Der Spiegel» Rugova nënvizonte: «Një konfederatë me Shqipërinë është çështje e ardhmërisë. Aktualisht popullsisë së Kosovës i intereson vetëm shteti i pavarur dhe ky do të ishte dashur të bëhej realitet më mirë dje se nesër». Në dhjetor të vitit 2000 vazhdonte: «Natyrisht që është e kuptueshme që të gjithë shqiptarët duan të jetojnë në një shtet të vetëm. Një integrim të tillë ne e shohim tek në kuadër të Europës së bashkuar. Natyrisht nuk mund ta përjashtoj se një ditë do të shihen edhe perspektiva të tjera për të ardhmen, pra edhe bashkimi me Shqipërinë». Gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung» në tekstin përkujtimor pas vdekjes së Rugovës shkruante: «Për kompromise Rugova as që donte të dëgjonte, sepse, sipas tij, pavarësia është kompromis, sepse kështu Kosova heq dorë nga mundësia e bashkimit me Shqipërinë».
Për idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, Rugova në vitin 2000 për «Der Spiegel» thoshte: «Nuk është pjekur koha për këtë. Popullsia jonë duhet të qëndrojë në Serbinë Jugore. Regjimi i Miloševićit ka bërë përpjekje që këtë rajon ta spastrojë etnikisht për të kontrolluar rrugën drejt detit në Selanik, e cila është e rëndësishme për Beogradin».
Çka mund të mësohet nga këto citate? Shumëçka dhe asgjë. Kur çështja e Kosovës ishte e pazgjidhur Rugova dhe liderë të tjerë politikë të shqiptarëve mbështesnin opsione të ndryshme, por të gjitha këto opsione përjashtonin sundimin serb të Kosovës. Rugova ndoshta ka thënë më 1994 se Prishtina mund të kërkojë që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, por këto citate të vjetra mbi 25 vjet nuk mund të keqpërdoren sot nga Hashim Thaçi dhe mbështetësit e tij për pazare territoriale me Serbinë. Më 1994 Kosova ishte tokë e pushtuar, sot është shtet i pavarur. Rrjedhimisht, Kosova sot duhet të vendosë vetë nëse futet në aranzhmane me Serbinë dhe cili do të jetë çmimi i këtyre aranzhmaneve. Në këtë betejë citatet e Rugovës dhe keqpërdorimi i tyre nga eksponentët e PDK-së janë sjellje e papërgjegjshme dhe e dëmshme për Kosovën e pavarur. Nëse vërtet Thaçi dhe shërbëtorët e tij duan të merren me citate, atëherë le të lexojnë pak kujtimet e James Rubinit. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit më 1999 tregon se si, pasi i kishte premtuar Thaçit se ndoshta Hollywoodi do të xhironte një film për të, komisari politik i UÇK-së kishte pranuar të nënshkruajë marrëveshjen e Rambouillet, e cila parashihte që Kosova të mbetet krahinë serbe dhe mijëra forca të Beogradit të mbesin të stacionuara në Kosovë.
Për fatin e mirë të Kosovës historia u zhvillua krejt ndryshe, për shkak se pala serbe nuk e pranoi marrëveshjen dhe NATO intervenoi. Po të mos intervenonte NATO Thaçi, Rugova dhe nënshkruesit e tjerë ndoshta do të quheshin tradhtarë. Siç po shihet: bërja e politikës në Kosovë me citate të së kaluarës nuk është fort punë e dobishme. LDK duhet të marrë përgjegjësi tani: me Thaçin për ndarjen e Kosovës apo kundër Thaçit dhe kundër ndarjes? Por, të jesh kundër ndarjes domethënë të kesh së paku një copë plan se si të zhvillohet beteja ndaj Serbisë dhe cilët aleatë i kanë mbetur Kosovës?