Kryetari i Kuvendit,Gramoz Ruçi, u takua me raporterët e Komitetit Monitorues të AP të Këshillit të Evropës, Andrej Hunko, përfaqësues i Bundestagut Gjerman, dhe Joseph O’Reilly, senator i Dhomës së Lartë të të Irlandës, të cilët ndodhen në Shqipëri për një vizitë faktmbledhëse për monitorimin e detyrimeve dhe angazhimeve të Shqipërisë. Në takim mori pjesë edhe deputeti Ervin Bushati, kryetar i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Gjatë takimit u diskutua mbi zbatimin nga Shqipëria të standarteve të Këshillit të Europës, për zhvillimet e fundit politike, prioritetet e qeverisjes, ecurinë e zbatimit të reformave, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.
Ruçi nënvizoi se puna e Kuvendit aktualisht është përqëndruar në dy shtylla kryesore: reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi.
“Reforma zgjedhore është prioritet i të gjitha forcave politike. Për këtë, Shqipëria do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë dhe të suksesshëm me OSBE/ODIHR, duke synuar zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, sipas standarteve më të mira ndërkombëtare. Komisioni i reformës pritet të përfundojë punën e tij deri në fund të këtij viti.
Reforma në drejtësi është shtylla tjetër e rëndësishme. Kjo reformë, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, duhet të ketë mbështetjen e të gjitha forcave politike, përfshirë opozitën. Deri tani kemi miratuar 17 nga 27 ligjet e paketës së reformës, 2 prej të cilave, pjesë e shtyllës së profesioneve të lira, u miratuan gjatë sesionit të kaluar. 48 seancat e deritanishme të vetingut konfirmuan 21 dhe nxorrën nga sistemi 27 gjyqtarë e prokurorë. Fakti që rreth 56 % e të verifikuarve dolën nga sistemi, tregon nevojën dhe vlerën e reformës.
Opozita nuk ka arsye të kërkojë kthimin prapa të kësaj reforme, duke sulmuar organet e vetting-ut, sepse reforma mbështetet mbi urinë dhe dëshirën e madhe të shqiptarëve për drejtësi. Reforma është krejtësisht jashtë ndikimit të qeverisë dhe të shumicës parlamentare dhë nën monitorimin e rreptë dhe të plotë të ONM. Kjo është theksuar edhe në Kushtetutë dhe është dispozita e vetme kushtetetuese në botë, që pranon një trupë të huaj mbikqyrëse të sistemit.
Praktikisht, për vetting-un, nënvizoi Ruçi, unë nuk di asgjë, ndërsa ONM di gjithshka. Kjo është e rëndësishme sepse sëmundja kryesore e sistemit të drejtësisë ishte kapja nga politika. Qëllimi ynë është që brenda këtij sesioni të përfundojë ngritja e organeve qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
Por për këtë kërkojmë edhe bashkëpunimin e opozitës. Ethet e pushtetit nuk duhet të na bëjnë të “sabotojmë” ndërtimin e shtetit.
Në përgjigje të interesimit të reporterëve për mundësinë e uljes së tensioneve politike dhe zbutjen e polarizimit politik, Ruçi nënvizoi se preokupimi im si Kryetar i Kuvendit është që opozita të ketë akses të plotë në ligjbërje dhe kontroll parlamentar. Që Kuvendi të kontrollojë qeverinë, me pjesëmarrjen dhe kontributin e opozitës. 54% e diskutimeve gjatë sesionit të kaluar i takuan opozitës.
Çdo seancë pyetjesh apo interpelancë e kërkuar nga opozita është realizuar me shpejtësi maksimale. Opozita gëzon të gjitha instrumentat e kontrollit parlamentar, por nuk i ka përdorur si e sa duhet. Aktualisht, nuk ka asnjë arsye as për bojkot, as për kushtëzim të Kuvendit.
Deputetet Hunko dhe O’Reilly vlerësuan qëndrimet e hapura dhe me përgjegjësi të lartë të Kryetarit të Kuvendit. Angazhimi dhe kontributi i z. Ervin Bushati si edhe pjesëmarrja e tij në këtë takim tregon pjekuri dhe përgjëgjësi të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.
Reporterët inkurajuan Kryetarin e Kuvendit që të vazhdojë të mbajë këto qëndrime të matura dhe të bëjë gjithshka mundet, të përdorë çdo nismë parlamentare, brenda kornizës kushtetuese, për të mbajtur opozitën në Kuvend.
a.ç