Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti sot në një takim Zëvendëspresidenten e Republikës së Bullgarisë, Ilijana Jotova dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës në vendin tonë.
Kryetari i Kuvendit, vlerësoi zhvillimin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, të bazuara në lidhjet historike, kulturore dhe ato njerëzore mes dy popujve tanë.
Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë në kuadër të proceseve integruese të Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit theksoi faktin se, “Shqipëria po ecën e vendosur në rrugën e reformave thelbësore për të ardhmen europiane të vendit, duke qenë shpresëplotë në hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit në BE, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018”. Në këtë kontekst, Ruçi u shpreh se “është rasti për të vlerësuar presidencën bullgare të Bashkimit Europian në vitin 2018, si një shans për avancimin e politikës së zgjerimit sa i përket Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor”.
Në vijim të takimit, Kryetari i Kuvendit paraqiti disa prej arritjeve të rëndësishme të Legjislaturës së IX. Z. Ruçi u ndal në çështje me rëndësi të veçantë në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të Bashkimit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit dhe konkretisht në jetësimin e Reformës në Drejtësi me krijimin dhe fillimin e punës së organeve të ngritura rishtazi për realizimin e saj, si dhe ngritjen dhe konstituimin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
Në mënyrë të posaçme Kryetari i Kuvendit u përqendrua dhe në miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të ligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare, duke dhënë një panoramë të qartë të procesit për shqyrtimin, konsultimin publik të tij dhe miratimin në seancë plenare me konsensus. Kryetari i Kuvendit nënvizoi se “ekziston i gjithë vullneti politik dhe po ashtu infrastruktura ligjore për të bërë të mundur zbatueshmërinë e këtij ligji”.
Zëvendëspresidentja e Republikës së Bullgarisë, Ilijana Jotova falënderoi për mikpritjen e përzemërt të ofruar në kuadër të vizitës në Shqipëri, si dhe shprehu urimet dhe konsideratën për zgjedhjen e z. Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë bashkëbisedimit, Jotova vlerësoi miratimin me konsensus të ligjit për pakicat kombëtare nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili njeh si pakicë kombëtare edhe pakicën bullgare, duke nënvizuar rolin e këtyre pakicave si urë lidhëse në marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
Në vijim të bisedës, Zëvendëspresidentja e Bullgarisë vuri në dukje prioritetet e presidencës bullgare në Këshillin e Ministrave të BE-së, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, duke u shprehur se prioritet i veçantë do të jetë ripërtëritja e politikës së zgjerimit, me fokus në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Jotova tha se shpresonte që negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE të fillojnë gjatë vitit 2018.
Gjatë bashkëbisedimit, dy personalitetet e larta ndanë gjithashtu mendime të përbashkëta lidhur me intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë, sidomos në spektrin ekonomik, përmes projekteve të përbashkëta në fusha me interes reciprok, si ajo e energjetikës, interkonjeksionit, etj. Në këtë kuadër u vu theksi dhe në rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar, edhe përmes Grupit të Miqësisë Shqipëri-Bullgari, apo dhe të grupeve të ekspertëve të fushave të interesit reciprok dhe në dobi të marrëdhënieve dypalëshe.
Prononcimi i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë z. Gramoz Ruçi për mediat bullgare që shoqëronin znj. Jotova
Gjatë këtij takimi shkëmbyem mendime për lidhjet tradicionale, historike, kulturore dhe njerëzore, por edhe politike dhe ekonomike. Sigurisht që Bullgaria është shumë hapa para nesh si anëtare e Bashkimit Evropian. Ne e konsiderojmë një vend mik dhe në prag të marrjes së Presidencës në Bashkimin Evropian shpresojmë dhe besojmë që do të hapen negociatat edhe për Shqipërinë.
Gjatë bisedës unë e informova zëvendëspresdientet edhe për hapat e hedhura edhe nga parlamenti i ri shqiptar, veçanërisht përsa i përket reformës në drejtësi, reformës zgjedhore dhe veçanërisht ligjit për pakicat kombëtare ku interesi i zëvendëspresidentes ishte shumë i madh për këtë çështje.
E njoha atë që ky ligj është në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian. Është hera e parë që Shqipëria njeh me ligj, veç pakicave të tjera kombëtare, edhe pakicën bullgare dhe zëvendëspresidentja u interesua gjatë lidhur me vendndodhjen e këtyre pakicave dhe veçanërisht me hapat që do të hedh Shqipëria për implementimin e këtij ligji për tu siguruar pakicës, veçanërisht asaj bullgare, të drejtat dhe liritë e tyre dhe veçanërisht për njohjen e gjuhës amtare.
Unë e garantova atë që nuk ka asnjë pengesë përsa i përket vullnetit politik, nuk ka asnjë pengesë ligjore, asnjë pengesë administrative, dhe duke bashkëpunuar bashkërisht, pakica kombëtare bullgare do të jetë një urë lidhëse për forcimin e marrëdhënieve tona midis dy vendeve, Bullgarisë dhe Shqipërisë./a.m.










