Kryeparlamentari Ilir Meta ka hapur seancën për raundin e tretë për zgjedhjen e presidentit të ri ndërsa ka lexuar bazën ligjore.
Ai ka ftuar deputetet Vasilika Hysi për të mbajtur raportin e komisionit për Çështjet Ligjore në Kuvend. Hysi tha se komisioni ka konstatuar se asnjë kandidaturë për president nuk është depozituar në Kuvend.
Sipas Hysit, votimi quhet i kryer edhe kur nuk paraqitet asnje kandidat duke konsumuar kështu edhe raundin e tretë për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Ndërkohë, Gramoz Ruçi tha se mazhoranca e dogji raundin e tretë edhe pse i kanë votat për ta zgjedhur presidentin që në raundin e parë.
“Dhamë të gjitha mundësitë që opozita të vinte për të zgjedhur një president sa më konsensual. Ju zoti Kryetar na kërkuat mua dhe kryeministrit që t’u drejtoheshim me një letër të gjitha partive të opozitës. E cila për hir të së vërtetës asnjëherë nuk ka qenë dashamirëse me Partinë Socialiste. Megjithatë ju e dërguat letrën dhe ai zotëri u prezantua me stratus të trefishtë (David McAllister). Pra me pak fjalë na tha se vinte këtu i mandatuar nga tre institucionet. Ai erdhi sëbashku me një gjerman tjetër dhe ju jeni dëshmitar okular se ne si përfaqësues të PS ramë dakord menjëherë me platformën e paraqitur nga ai. Por siduket ne socialistëve këta ndërkombëtarët na kanë marrë dorën. Dhe sapo vinë tek ne dhe ne biem dakord, ata kërkojnë të thellohen” – tha Ruçi në Kuvend.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS tha se shqiptarët e kanë Gjermaninë si fener ndriçues në Evropë për standardet dhe respektin që ata kanë për ligjin.
“Ajo që na çudit neve është që edhe gjermanët kur vijnë në Shqipëri bëhen si ne dhe na kërkojnë gjëra që edhe në vendin e tyre nuk i çojnë nëpër mend. Na kërkuan të shtyjmë zgjedhjet, na kërkuan të preknim qeverinë pa asnjë argument, por vetëm për të pushuar të qarat në çadër se do edhe penallti, edhe topin, edhe portën bosh” – tha Gramoz Ruçi.
Ai tha se dialogu ka mbaruar dhe se Kuvendi duhet të kryejë detyrën kushtetuese duke e zgjedhur presidentin e ri nga kjo legjislaturë. Për këtë, Ruçi kërkoi që qysh nesër të zgjidhet presidenti ose të shkohet në zgjedhje brenda 45 ditësh.
“I kemi edhe 71 vota pa LSI, por shpresoj të mos na detyroni. Ju zoti kryetar keni anuar nga pala tjetër. Do t’ju kërkoja që edhe juve të na respektoni duke mos e mbyllur këtë parlament me një dështim të tillë të paligjëruar vetëm e vetëm për ata të çadrës” – tha Ruçi.
javanews/b.d