Nga Vilant Xhori
Në një vend ku infrastruktura rrugore shpesh përdoret si tregues i zhvillimit ekonomik, aksi dytësor që lidh Tiranën me Vorën mbetet një shembull i qartë i një politike investimesh të paorientuara nga nevojat reale. Në pamje të parë, bëhet fjalë për një rrugë periferike, jo pjesë e korridoreve kryesore kombëtare. Por në thelb, kjo rrugë është një arterie jetike për një zonë me aktivitet të lartë ekonomik, ku operojnë dhjetëra biznese prodhuese dhe subjekte me kontribut të konsiderueshëm në të ardhurat tatimore të vendit.
Gjendja aktuale e kësaj rruge është, pa ekzagjerim, skandaloze. Gropat e thella dhe mungesa e theksuar e mirëmbajtjes e kanë kthyer këtë segment në një rrezik të përditshëm për drejtuesit e mjeteve dhe për bizneset që zhvillohen përgjatë rrugës. Në një kohë kur diskutohet për investime miliona euro në akse të reja, dhe po shpenzohen aktualisht 300 milion euro për zgjerimin e autostradës përkrah, kjo rrugë ekzistuese lihet në harresë, duke prodhuar një paradoks të fortë: ekonomia gjeneron vlerë, por infrastruktura nuk e mbështet atë.
Ky fenomen nuk është i izoluar. Ai pasqyron një problem më të gjerë në mënyrën se si planifikohen dhe realizohen investimet publike në Shqipëri. Pra, investime që turpshëm vendosen jo nga qendrat studimore, por nga kafet ministrore.
Në këtë kuptim, rasti i aksit Tiranë–Vorë është një ilustrim klasik i një politike joefikase: një rrugë që mund të ishte ruajtur me kosto relativisht të ulët, sot kërkon ndërhyrje shumë më të shtrenjta për t’u rikthyer në standard. Dhe kjo sepse projektet infrastrukturore janë të orientuara nga prioritete politike afatshkurtra dhe jo nga analiza të mirëfillta kosto–përfitim.
Ironia qëndron në faktin se shumë nga bizneset që operojnë përgjatë kësaj rruge janë kontribues të rëndësishëm në buxhetin e shtetit. Pra, kemi një cikël të çuditshëm: shteti mbledh të ardhura nga këto subjekte, por nuk rikthen investime në infrastrukturën që i shërben drejtpërdrejt aktivitetit të tyre. Kjo krijon një ndjenjë të justifikuar padrejtësie sepse ekspozon një model qeverie ku mbledhja e taksave funksionon në mënyrë të admirueshme, por kthimi i tyre në shërbime publike mbetet gjithmonë i munguar.
Argumentet ekonomike për ndërhyrje në këtë aks rrugor janë të forta. Sipas modeleve ekonomike për menaxhimin e rrugëve të hartuara nga Banka Botërore, veçanërisht përmes sistemit “Modeli i Zhvillimit dhe Menaxhimit të Rrugëve”, është provuar dhe riprovuar se shtyrja e mirëmbajtjes së rrugëve rrit ndjeshëm kostot totale të tyre. Ky përfundim është konfirmuar edhe në raportet më të fundit të Bankës Botërore për vendet e Evropës Juglindore, ku theksohet se eficienca e infrastrukturës nuk varet nga ndërtimi i rrugëve të reja, por nga mirëmbajtja sistematike e atyre ekzistuese.
Zgjidhja nuk kërkon domosdoshmërisht projekte madhore apo fonde të jashtëzakonshme. Ajo kërkon, mbi të gjitha, një ndryshim në filozofinë e planifikimit: nga investime të fragmentuara dhe të orientuara politikisht, drejt një qasjeje të bazuar në analiza dhe prioritizim ekonomik. Hartimi i studimeve të mirëfillta mbi flukset e trafikut dhe aktivitetin ekonomik duhet të jetë hapi i parë për çdo ndërhyrje infrastrukturore.
Aksi dytësor Tiranë–Vorë është një test i thjeshtë, por domethënës: a është Shqipëria në gjendje të lidhë politikën e investimeve me realitetin ekonomik? Nëse përgjigjja është po, atëherë kjo rrugë duhet të jetë ndër të parat që rikonstruktohen dhe mirëmbahen me standarde të qëndrueshme. Në të kundërt, do të vazhdojmë të ndërtojmë rrugë të reja që duken mirë në letër, ndërsa ato që mbajnë peshën reale të ekonomisë mbeten në harresë.
Në fund, zhvillimi nuk matet me kilometrat e asfaltit të ri, por me efektin që infrastruktura ka në jetën dhe ekonominë e përditshme. Dhe në këtë drejtim, aksi dytësor Tiranë–Vorë është një kujtesë e fortë se kemi ende shumë për të reflektuar. Është një kambanë alarmi. Një sinjal i qartë se modeli aktual i planifikimit të infrastrukturës ka dështuar të lidhë investimin me nevojën reale ekonomike. Çdo ditë që kjo rrugë lihet në këtë gjendje nuk është thjesht një ditë më shumë amortizimi, por një ditë më shumë kosto për biznesin, për qytetarët dhe për vetë ekonominë kombëtare.
Nëse kjo kambanë nuk dëgjohet, atëherë problemi nuk është më vetëm një rrugë. Është vetë mënyra se si kuptohet zhvillimi. Për Edi Ramën dhe qeverinë e tij, zhvillimi duket se kuptohet më mirë në 3D, në makete, në animacione dhe prezantime—sesa në realitetin e pluhurit, gropave dhe kostove që paguajnë çdo ditë qytetarët dhe bizneset. Dhe ndoshta këtu qëndron thelbi i problemit: zhvillimi nuk është ai që përjetohet në terren, por ai që projektohet në ekran.











