Në të gjithë botën numri i përgjithshëm i rasteve të identifikuar me koronavirus është rritur në më shumë se 12 milionë e 200 mijë
Sipas të dhënave të azhornuara, sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins totali i viktimave, që nga fillimi i pandemisë është 550 mijë.
SHBA kryesojnë botën me mbi 3,054,695 infeksione, ose një të katërtën e rasteve globale, përfshirë më shumë se 65 mijë raste të reja të mërkurën. Kjo ishte shifra më e madhe e rasteve të reja që kur filloi pandemia.
SHBA po ashtu kryeson me numrin e vdekjeve. 132,500 viktima në SHBA përfaqësojnë afro 1/4 e 550,000 viktimave në shkallë globale.
Në Australi, pesë milionë banorë në qytetin më të madh të vendit, Melburn, filluan një periudhë izolimi gjashtë-javësh si rezultat i ritmeve alarmuese të përhapjes së infeksionit.
Banorët janë urdhëruar të qëndrojnë në banesa, përveçse në rastet kur duhet të shkojnë në punë, shkollë, në dyqane ushqimesh apo te mjeku. Masat u morën disa ditë pasi zyrtarët në shtetet në kufi me Viktorian dhe Nju Sauth Uejllsin bllokuan lëvizjet nga Melburni pasi të hënën u raportuan 127 infeksione të reja.
Në Japoni, kanali i transmetimeve publike, NHK njoftoi 224 raste të reja në Tokio të enjten, një shifër rekord për kryeqytetin e vendit.
Ende nuk ka asnjë shenjë të zbritjes së kurbës së koronavirusit në Brazil, ku Presidenti i Republikës, Jair Bolsonaro, gjithashtu u infektua kohët e fundit.
Gjigandi i Amerikës së Jugut ka regjistruar 1223 vdekje dhe 44.571 infeksione në 24 orët e fundit.
Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara të Covid-19 në vend është rritur në 1.713.160, ndërsa numri i përgjithshëm i viktimave që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 67.694.
g.kosovari











