Rritet sërish çmimi i naftës
Rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare gjatë sesionit të së Martës është reflektuar edhe në tregun e naftës me shumicë në vendin tonë.
Gjatë sesionit të sotëm, nafta me shumicë shitet me 143.63 lekë për litër, në rritje prej 1.02%, krahasuar me sesionin e kaluar. Marshimi i çmimeve në bursat ndërkombëtare pritet të reflektohet plotësisht në tregun vendas të naftës me shumicë ditën e nesërme.
Çmimi i pasqyruar është aktual, dhe i referohet vetëm ditës së sotme. Luhatjet në çmimin e shumicës vijnë, përveç çmimit me të cilin kuotohet në bursë, edhe në bazë të kostove të transportit, cilësisë së produktit të zhdoganuar, kursit të këmbimit ndërmjet dollarit dhe lekut, si dhe barrës shtetërore.
Këto të dhëna i referohen çmimit përfundimtar me të cilin nafta del nga dy portet e vendit, atë të Durrësit dhe atë të Vlorës, ku përfshihen edhe të gjitha kostot që janë të detyruara me ligj, përfshirë barrën shtetërore, e cila sot regjistrohet në rreth 91.1 lekë për litër.