Në tre muajt e parë të këtij viti numri i shtetasve të huaj të cilët kanë vizutuar Shqipërinë u rrit me rreth 7.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Instituti i Statistikave, INSTAT, publikoi të dhënat e lëvizjeve brenda dhe jashtë territorit të vendit.
Sipas të dhënave numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj në muajin mars 2017 ishte 584,780 ose rreth 5.3 % më i lartë. Ritmi i rritjes ka qenë më i lartë sa i përket shtetasve të huaj, 243.462 krahasuar me mars 2016, ky numër është rritur me 11.2 %. Ndërsa si tremujor, kjo shifër është rritur 7.1 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.

Burimi: INSTAT
Sipas INSTAT, shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi gjatë muajit Mars 2017 janë 633.894 duke shënuar një rritje me 10,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë muaji Mars 2017 është 377.793. Krahasuar me muajin Mars 2016 ky numër është rritur 5,8 %.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në tremujorin e parë 2017 është rritur 1,7 %, krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë.
Qëllimi kryesor i udhëtimeve mbetet aspekti personal, duke u ndjekur nga ai për pushime.Sipas INSTAT numri i vizitorëve të huaj, të hyrë në Shqipëri për qëllime pushimi dhe vizita ditore në muajin Mars 2017, rezulton 66.589, ndërsa në Mars 2016 ky numër ishte 25.273.
Në Shqipëri, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë për qëllime personale në Mars 2017 është 237.995 dhe përbëjnë 97,8 % të numrit gjithsej të hyrjeve të shtetasve të huaj. Krahasuar me Mars 2016 , numri i shtetasve të huaj për qëllime personale është rritur 11,2 %. Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri për qëllime biznesi përbën 2,2 % të hyrjeve të shtetasve të huaj, duke shënuar një rritje prej 12,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave të INSTAT duket se ka pasur rritje të turistëve për trajtime shëndetësore.
Hyrjet e shtetasve të huaj, në rrugë tokësore zënë peshën më të madhe të hyrjeve gjithsej me 80,7 %, ndërsa hyrjet në rrugë ajrore dhe detare zënë respektivisht 15,0 % dhe 4,3 %.
INSTAT thotë se numri më i madh i hyrjeve të shtetasve të huaj në vendin tonë, në muajin Mars rezulton nga Kosova me 33,4 %, pasuar nga hyrjet e shtetasve të huaj nga Maqedonia me 16,5 %, Greqia me 13,7 %, Mali i Zi me 13,1 %, etj./Monitor
c.a










