Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka thirrur në Sofje të ngarkuarin me punë të Maqedonisë së Veriut, pas ndalimit në kufi të deputetit bullgar Angel Georgiev.
Sipas agjencisë bullgare BTA, Georgiev, i cili drejton Komisionin parlamentar për Politikat ndaj Bullgarëve Jashtë Vendit, nuk u lejua të hynte në Maqedoninë e Veriut më 27 shtator.
Deputeti po udhëtonte së bashku me një delegacion parlamentar për të marrë pjesë në një seancë dëgjimore në lidhje me çështjen gjyqësore ndaj shtetases bullgare Iva Mihailova në Koçan.
Autoritetet bullgare kanë kërkuar nga Shkupi sqarime lidhur me vendimin, duke vënë në dukje se Georgiev kishte udhëtuar më herët në Maqedoninë e Veriut pa hasur pengesa, për të marrë pjesë në seancat e mëparshme të së njëjtës çështje.
Sofja e ka cilësuar refuzimin e hyrjes së deputetit si një veprim “provokues”.
Një ditë më parë, vetë Georgiev deklaroi se autoritetet maqedonase e kishin ndaluar në kufi. Sipas versionit të tij, zyrtarët i kishin komunikuar se arsyeja lidhej me detyrime të papaguara për shpenzime gjyqësore në kuadër të një procesi gjyqësor.
Ngjarja ka sjellë reagim diplomatik nga Sofja, e cila kërkon një shpjegim zyrtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për arsyet e ndalimit.









