Nga Blendi Kajsiu
Rreziku gjeopolitik i një presidence Trump, si për Shqipërinë dhe Kosovën, është i qartë. Trump është adhurues i Vladimir Putinit dhe mosbesues ndaj NATO-s. Ardhja e tij në pushtet nënkupton dobësimin e NATO-s, kapitullimin e Ukrainës, forcimin e Rusisë në lindje dhe për pasojë të Serbisë së Vuçiç në rajonin tonë. Pra nga pikpamja gjeopolitike fitorja e Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA është një lajm i keq për Shqipërinë dhe shqiptarët në rajon. Kjo është e qartë.
Ajo që është më pak evidente është rreziku që përfaqëson trumpizmi si filozofi dhe praktikë politike për demokracinë tonë. Sidomos po të kemi parasysh se demokracia amerikane është jo vetëm pikë frymëzimi dhe referemi, por shpesh edhe kujdestare direkte e demokracisë shqiptare. Trumpizmi në pushtet në SHBA do të legjitimojë pesë nga fenomenet më problematike të demokracisë tonë, reduktimin e partive politike tek interesat e liderit, një sistem drejtësie të dobët, një qeverisje oligarkike, mugesa e një media të pavarur nga politika, dhe një hapësirë publike në degradim.
Së pari, Trump përfaqëson reduktimin e partive politike tek egoja e liderit dhe transformimin e tyre nga forume demokratike në kulte të adhurimit të liderit. Sot Partia Republikane e SHBA-ve është një kult ku adhurohet Trump më shumë sesa një organizatë politike. Nënshtrimi total, servilizmi ndaj liderit dhe lincimi publik i armiqëve të tij, janë parakushtet për karrierë politike në Partinë Republikane sot.
Është e neveritëshme të shikosh se si politikanët republikan që dje denonconin Trumpin si mashtrues, diktador apo delirant, sot publikisht lëpijnë atë që më parë kishin pështyrë. Zv. Presidenti i sapozgjedhur i Trump, J.D. Vance, që sot adhuron Trumpin publikisht, dje deklaronte se Trump ishte një idiot, një politikan i neveritshëm dhe e krahasonte atë me Hitlerin. (https://www.reuters.com/world/us/jd-vance-once-compared-trump-hitler-now-they-are-running-mates-2024-07-15/).
Lista e republikanëve që dje e denonconin Trumpin si diktator, mashtrues, narcisist dhe rrezik për demokracinë dhe që sot e adhurojnë atë publikisht është tejet e gjatë. Është dëshmia kryesore e transformimit të Partisë dikur të lavdishme Republikane në një kult adhurimi të kryetarit Trump. Partia Republikane sot përsërit në kor dhe pa u skuqur çdo gënjeshtër që thotë Trump. Më e madhja ndër to është denoncimi “vjedhjes” së zgjedhjeve të vitit 2020 ku humbi Trump dhe fitoi Joe Biden, me miliona vota diferencë, edhe pse nuk ekziston asnjë fakt sado periferik që provon se Joe Biden i vodhi zgjedhjet e vitit 2020.
Transformimi i një nga partive politike më të rëndësishme në botë në një kult të adhurimit të kryetarit është një model i rrezikshëm jo vetëm për SHBA-të por edhe për demokracinë shqiptare që ka si referencë demokracinë amerikane. E thënë ndryshe, trumpizmi në pushtet do normalizojë reduktimin e partive politike në Shqipëri tek interesat dhe përmasat e liderit.
Partia Socialiste prej kohësh është transformuar në piedestal të egos dhe të adhurimit të liderit të saj që e kontrollon atë tërësisht. Ndërkohë tentativa për ta reformuar Partinë Demokratike përtej përmasave të liderit historik dështoi duke e reduktuar atë në një pronë private të familjes Berisha. Qoftë në PS, qoftë në PD, karriera politike zhvillohet vetëm nëse i servilosesh liderit dhe përsërit si papagall çdo brockull të tij.
Kur Edi Rama deklaronte në zgjedhjet e vitit 2017 se Meta ishte hajdut dhe ndaj nuk mund të krijonte aleancë me të, të gjithë socialistët denonconin hajdutllëkun e LSI-së në bashkëqeverisjen e tyre 2013-2017. Kur i njëjti Edi Rama deklaronte po në vitin 2017 se Ilir Meta duhej zgjedhur President i Republikës së Shqipërisë, të gjithë socialistët u rrjeshtuan për të votuar president atë që dje e refuzuan si hajdut. Dhe kur Edi Rama ankohej në vitin 2021 se Meta ishte presidenti më i keq në historinë e vendit, asnjë socialist nuk shtronte pyetjen:
“Kryetar, po kush e zgjodhi president këtë hajdutin?” Kështu vullneti i liderit bëhet përcaktuesi unik i realitetit politik, përtej çdo parimi, norme apo llogjike politike, përballë një antarësie tërësisht të nënshtruar.
Akoma më e rëndë është situata në krahun opozitar ku Partia Demokratike është reduktuar në autoparlant të familjes së liderit dhe të halleve të tij. Të njëjtët deputetë që dje denonconin konspiracionin Rama-Basha në komisionin zgjedhor, sot votojnë listat e mbyllura të marrëveshjes Rama-Berisha. Berisha tashmë nuk është krytar i Partisë Demokratike, por vetë Partia Demokratike.
Trumpizmi në pushtet do eklipsonte modelet demokratike alternative, siç janë Partia Demokrate në SHBA, Partia Laburiste dhe Partia Konservatore në Britani ku lideri është në funksion të partisë dhe jo anasjelltas. Partia Demokrate e SHBA-ve ofron një model alternativ demokratik ku lideri Joe Biden vuri interesat e partisë mbi egon dhe interesat e tij personale dhe familjare, edhe pse djali i tij Hunter Biden rrezikon të shkojë në burg. Dhe të mos harrojmë që Biden kish fituar me zgjedhje të lira dhe të nderëshme shumicën absolute të delegatëve në kongresin (konventën) e Partisë Demokrate që do emëronte kandidatin presidencial. Ky model demokratik do zhvlerësohej nëse Trump fiton dhe Partia Demokrate humbet në zgjedhjet e ardhëshme.
Së dyti, triumfi i Trump nënkupton nënshtrimin përfundimtar të sistemit të drejtësisë amerikane nën pushtetin e ekzekutivit. Vendimi i fundit i Gjykatës Supreme të SHBA-ve, ku Trump emëroi tre gjygjtar ultra konservator, i dha imunitet absolut presidentit në detyrë. Për herë të parë në historinë e lavdishme të sistemit të drejtësisë amerikane Presidenti deklarohet mbi ligjin dhe i paprekshëm nga sistemi i drejtësisë ndërkohë që është në detyrë, sikur të ishte mbret.
Rikthimi i Trump në presidencën e SHBA-ve do përfundonte kapjen e sistemit të drejtësisë nga ekzekutivi që ai e filloi që në presidencën e tij të parë. Ndërkohë sulmet vulgare dhe linçimet publike të Trump kundër gjygjtarëve dhe prokuroëve që po e hetojnë dobësojnë njërin prej sistemeve më të zhvilluara të drejtësisë që ka shërbyer si frymëzim dhe pikë reference për të gjitha demokracitë perëndimore, duke përfshirë edhe atë shqiptare.
Ndaj ardhja në pushtet e Trump është një lajm shumë i keq për pavarësinë e sistemit tonë të drejtësisë dhe aftësinë e tij për të kontrolluar dhe hetuar ekzekutivin dhe politikanët në pushtet. Me trumpizmin në pushtet sistemi i drejtësisë amerikane nuk mund të jetë as pikë referimi dhe as pikë frymëzimi për demokracinë tonë. Me llogjikën e vendimit të Gjykatës Supreme të SHBA-ve ekzekutivi gëzon imunitet në detyrë, ndaj kryeministri nuk mund të hetohet nga prokuroria.
Vendosja e sistemit të drejtësisë nën kontrollin e ekzekutivit nga Trump në SHBA do legjitimonte të njëjtin proces në Shqipëri. Sidomos po të kemi parasysh që lufta e Trump ndaj një drejtësie të pavarur nënkupton që administrata e tij do i jepte shumë më pak rëndësi SPAK-ut dhe reformës tonë në drejtësi. Kjo do ishte tragjike për demokracinë tonë në një moment kur si Rama edhe Berisha e shikojnë SPAK-un si një shkop në rrotat e pushtetit të tyre. Marrëveshja për listat e mbyllura që i garanton të dyve kontroll total të procesit politik është vetëm hapi i parë i bashkëpunimit Rama-Berisha për riprodhimin e kënetës sonë politike.
Në këtë mes nuk ka asnjë konspiracion Rama-Berisha, as takime të fshehta në salla të errëta. Ka thjesht përkim interesash. SPAK dhe një drejtësi e pavarur kufizon si pushtetin e Ramës në qeveri edhe atë të Berishës në opozitë. Ndaj mbështetja afatgjatë e SPAK-ut dhe e drejtësisë së pavarur nga qeverisja Rama është shumë më pak e mundur në mungesë të presionit nga SHBA-të.
Ky presion do zbehet gjatë presidencës Trump, jo vetëm si pasojë e përcmimit të tij për një sistem drejtësie të pavarur, por edhe sepse Trump nuk ka asnjë skrupull të sakrifikojë mbështetjen e SHBA-ve për SPAK-un në shkëmbim të ishullit të Sazanit për familjen e tij. Ashtu sikurse Rama dhe socialistët nuk do hezitonin tia dhuronin Sazanin familjes Trump pë tu legjitimuar në pushtet nga administrata e tij. Natyrisht e gjitha do shitet si një investim strategjik që zhvillon dhe punëson shqiptarët nëpërmjet turizmit elitar, që me siguri do u japë mundësi qytetarëve të thjeshtë të shijojnë Sazanin e ndaluar nga diktatura komuniste.
Së treti, presidenca Trump do legjitimonte qeverisjen e oligarkike dhe plutokratike që prej kohësh po konsolidohet në Shqipëri. Edhe SHBA-të prej kohësh po transformohen në një plutokraci ku miliarderët dhe interesat e fuqishme korporative prodhojnë legjislacion dhe vendimmarrje nëpërmjet lobimit dhe donacioneve elektorale. (shiko ketu ).
Trump është përfaqësues i kësaj klase dhe ka qeverisur në interes të saj. Në presidencën e tij të fundi uli ndjeshëm taksat për shtresën më të pasur duke prodhuar një gropë fiskale që u mbyll pjesërisht duke reduktuar programet sociale për shtresat më të varfëra. Ndaj nuk është çudi që shumica dërrmuese e miliarderëve, duke përfshirë edhe njeriun më të pasur në botë, Elon Musk, e mbështesin hapur Trumpin.
Edhe në këtë aspekt qeverisja oligarkike në SHBA do legjitimonte dhe ushqente qeverisjen në funksion të një pakice të pasur që prej vitesh po konsolidohet në Shqipëri. Sikurse argumenton me të drejtë kolegu Bushati pasiviteti i qeverisë Rama përballë skandalit të mikro-kredive që ka shkaktuar plot tragjedi në jetën e mijërave qytetarëve të thjeshtë është një shembull i dhimbshëm se si, dhe për kë, qeveriset në Shqipëri. Skandale të tjera si ai i Bashkisë së Tiranës, skandali i inceneratorëve, rritja e papërballueshme e çmimit të banesave, gjendja e sistemit të shëndetësisë dhe e sistemit arësimor publik, apo ligje si ai i investitorëve strategjik që favorizojnë më të pasurit, janë shembuj të tjerë që në Shqipërinë socialiste në qendër të vëmendjes nuk janë qyetetarët e thjeshtë por interesat e një pakice pranë pushtetit politik.
Së katërti, presidenca Trump do ishte një grusht i fortë për gazetarinë e pavarur jo vetëm në SHBA por në të gjithë globin, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Denigrimi dhe linçimi publik që Trump i ka bërë mediave në SHBA është i paprecedent. Me termin e famshëm “fake news” ai ka delegjitimuar një sistem mediatik që, me gjithë problemet e shumta, ka qenë një nga shtyllat e demokracisë amerikane.
Për pasojë delegjitimimi i mediave të pavaruara në SHBA do forconte delegjitimimin e mediave dhe gazetarëve të pavarur në Shqipëri si nga pushteti edhe nga opozita. Arroganca me të cilën kryeministri Rama trajton gazetarët, klasifikimi përgjithësues dhe përçmues që ai i bën mediave si kazan apo sulmet direkte me ruspë kundër pasurive të pronarëve të mediave, siç ishte rasti i gazetës Panorama, thjesht do normalizoheshin me ardhjen e Trump në pushtet.
Së fundi, por jo nga rëndësia, presidenca Trump do konsolidonte një kulturë politike agresive dhe autoritariste ku kundërshtari politik trajtohet si armik që duhet eleminuar dhe linçuar publikisht. Artikulimi politik i Trump bazohet thjesht tek emocioni, urrejtja dhe viktimizimi. Në të nuk ka asnjë hapësirë për argumentin e ftohtë dhe racional, për diskutimin dhe rrahjen e ideve në publik, proces pa të cilin demokracia transformohet fillimisht në demagogji dhe më pas në diktaturë. E thënë ndryshe, Trumpizmi si frymë politke shkatërron sferën publike dhe racionalitetin politik sepse e redukton kundërshtarin në armik. Me armikun nuk llogjikohet, nuk diskutohet dhe nuk debatohet. Armiku urrehet, denoncohet, linçohet, shkatërrohet dhe eleminohet.
Kjo lloj politik-bërje është perfeksionuar në Shqipëri nga berishizmi, ndonëse nuk është monopol i së djathës apo vetëm i Berishës. Nëse ajo korr sukses dhe konsolidohet në SHBA, atëherë do normalizohet dhe legjitimohet edhe më tej edhe në Shqipëri duke e degraduar përfundimisht hapësirën tonë publike. Normalizimi i një hapësire publike ku ai që nuk është dakord me ty është tradhëtar, i shitur, i degjeneruar ose i çmendur, do të thotë normalizimi i një hapësire ku nuk mund të ekzistojë as llogjika, as mendimi alternative dhe për pasojë as pluralizmi.
Monotonia dhe uniformiteti i hapësirës sonë publike nuk është rastësi, ajo është produkt i një ligjërimi politik bipolar që eleminon lindjen e çdo lloj alternative politike apo ideore. Rrjeshtimi në llogore për të eleminuar tjetrin e bën debatin tonë publik më të ngjashëm me sheshin e luftës, ku argumentet vdesin, se me agorën e antikitetit Grek, ku argumentet lulëzonin. Ndaj ligjërimi trumpist dhe ai berishist janë varrmihësit kryesor të sferës publike dhe për pasojë edhe të vetë demokracisë.
Për të gjitha arësyet e mësipërme fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në SHBA do ishe një lajm shumë i keq për demokracinë shqiptare. Presidenca Trump nga njëra anë do vinte në rrezik reformën tonë të brishtë në drejtësi, nga ana tjetër do legjitimonte sulmet ndaj mediave të pavarura, qeverisjen oligarkike, reduktimin partive politike tek interest e liderit dhe degradimin e sferës sonë publike. Ndaj ne si shqiptarë ri-zgjedhjen e Trump në presidencën e SHBA-ve nuk duhet ta anlizojmë me lenten e ngushtë partiake PS-PD, por me lenten e gjerë politike diktaturë – demokraci.
Shkruar per Lapsi.al