“Dragoi” ambicioz i Kinës po zgjohet gjithnjë e më shumë duke hedhur flakët e luftës përreth Tajvanit.
Tajvani kërkon pavarësi, ndërsa nga ana tjetër Kina ka plane konkrete për ta bashkuar ishullin me atdheun, siç thuhet në Pekin, “qoftë edhe përmes forcës ushtarake”.
Për këtë madje ka bërë hapa konkretë me rrethimet e shpeshta të Tajvanit me qindra avionë lufte, mijëra ushtarë dhe dhjetra luftanije. Por ishulli nuk është vetëm në këtë betejë, pavarësisht se njihet vetëm nga 12 vende si një tokë e pavarur. Mbështetësi më i madh, si nga ana financiare, politike ashtu edhe ushtarake, është Amerika.
Një betejë në horizont që të jep përshtypjen e një lufte mes së mirës dhe të keqes, të drejtës për vetëvendosje dhe autokracisë, demokracisë dhe diktaturës. Mesazhi më i fundit i ushtrisë së Pekinit në drejtim të Taipeit ishte vërtetë shqetësues dhe shkruan: Me shumë dashuri nga Kina! Por çfarë ndodhi në rrethimin e fundit ushtarak të Tajvanit?
Ushtarët e Kinës vrapojnë për në atë që u është sinjalizuar si fronti i luftës… Nuk bëhet fjalë për një betejë të vërtetë, por për rrethimin e disatë të Tajvanit, një simulim thuajse real i një përballje ushtarake me ishullin, me synimin për pushtimin e tij. Kjo është ajo që Pekini kërkon t’i tregojë botës: planin “Shpata e Përbashkët 2024, akti B”, sepse akti “A” i lojërave të luftës u mbajt pak muaj më parë.
Zhang Chi | Profesor, Universiteti i Ushtrisë së Kinës
“Stërvitjet simuluan nga afër skenarë të vërtetë luftimi. Gjatë stërvitjeve, trupat filluan sulmet natën dhe nisën me shpejtësi një operacion parandalues ushtarak në orën 05:00 të mëngjesi ndërsa ishin në lëvizje. Ata mund të kalonin nga stërvitjet drejt një luftimi të vërtetë, në çdo kohë. Kjo tregon stilin e tyre të fortë luftarak, gatishmërinë e fortë dhe aftësitë e jashtëzakonshme luftarake. Së dyti, është një mbrojtje multidimensionale dhe rrethim në drejtime të shumfishta. Gjatë stërvitjes, forcat tona detare, përfshirë destrojer dhe frigate, iu afruan ishullit të Tajvanit në katër drejtime: në ngushticën e Tajvanit, në veri, në lindje dhe jugperëndim. Ndërkohë, forcat tona ajrore, duke përfshirë avionë luftarakë dhe bombardues, kaluan ngushticën dhe u drejtuan Tajvanit, duke formuar një parandalim dhe rrethim shumëdimensional në drejtime të shumta. Fokusi i stërvitjeve ishte sigurimi i shpejtë i kontrollit gjithëpërfshirës mbi fushën e betejës në ngushticën e Tajvanit.”
-Për ta shpjeguar më mirë na ndihmon harta e publikuar nga Ushtria Popullore e Kinës, ku mbi tokën e Tajvanit vizatohen disa simbole jo miqësore, pavarësisht se shënjimi i rrethimit merr formën e një zemre. Fillimisht një grusht, më pas një çekiç dhe në fund shpata që ngulet në zemër të Tajvanit, një simbolikë që tregon se e drejta për vetëvendosje vritet dhe instalohet grushti i hekurt i “dragoit” ambicioz të Kinës.
Shifrat ishin thuajse të gjitha rekord: 153 avionë lufte fluturuan përreth ishullit, 28 prej të cilëve shkelën brenda hapësirë ajrore të Tajvanit, në det lundruan 17 luftanije të marinës së Kinës dhe 12 anije të tjera. E gjithë kjo, si një reagim për këtë fjalim dhe si përpjekje e vazhdueshme për të grisur fjalën “pavarësi” nga fletët zyrtare në Taipei.
Lai Ching-Te | President i Tajvanit
“Republika e Kinës (emri zyrtar i Tajvanit) tashmë i ka mbjellur rrënjët në Tajvan, Penghu, Kinmen dhe Matsu. Dhe nuk do të jetë një nën varësinë e Republikës Popullore të Kinës. Në këtë tokë, demokracia dhe liria po rriten dhe lulëzojnë. Republika Popullore e Kinës nuk ka asnjë të drejtë të përfaqësojë Tajvanin. 23 milionë njerëzit e Tajvanit, tani më shumë se kurrë më parë, duhet që të bëhen pjesë e diçkaje të madhe dhe të përqafojnë të ardhmen. Do ta mbaj premtimin tim dhe do t’i rezistojmë përpjekjeve për aneksim apo rrethimeve mbi sovranitetin tonë.”
Tajvani nuk qëndroi duarkryq apo spektator përballë lojërave të luftës, por iu kundërpërgjigj “dragoit” kinez. Autoritetet në Taipei vendosën në gjendje gatishmërie të lartë të gjithë ushtrinë, duke bërë që mjetet luftuese dhe gjithçka që posedojnë Forcat e Armatosura të vendosen në pozicione strategjike. Reagim të furishëm pati edhe Amerika që dënoi stërvitjet e Pekinit, të cilat i konsideroi të pajustifikuara dhe që rrezikojnë të degjenerojnë në diçka më të madhe. Por fjalët e rënda nga Uashingtoni nuk e trazuan aspak Kinën.
Xi Jinping | President i Kinës
“Tajvani është një territor i shenjtë i Kinës dhe njerëzit në të dyja anët e Ngushticës së Tajvanit janë të lidhur nga gjaku, që është më i cili është më i trashë se uji. Ne duhet t’i përmbahemi parimit të një Kine dhe Konsensusit 92, të thellojmë bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet kulturore, promovojnë lidhjen shpirtërore të bashkatdhetarëve në të dy anët e ngushticës së Tajvanit, kundërshtojnë me vendosmëri aktivitetet separatiste për pavarësinë e Tajvanit dhe arrijnë ribashkimin e plotë të atdheut. Realizimi i përtëritjes së madhe të kombit kinez është aspirata e përbashkët e të gjithë popullit kinez, përfshirë Hong Kongun, Makaon dhe bashkatdhetarët e Tajvanit.”
Zhang Chi | Profesor, Universiteti i Ushtrisë së Kinës
“Ka tre ndikime të mëdha. Së pari, stërvitjet synojnë autoritetet e udhëhequra nga Lai Ching-te dhe forcat separatiste që mbrojnë shkëputjen e Tajvanit. Nëse separatistët e ‘pavarësisë së Tajvanit’ duan të kryejnë aktivitete separatiste në territorin e Kinës, ata vetëm do kanë një rrugë pa krye dhe me siguri do të bëhen objektivi kryesor i operacioneve ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kinës. Së dyti, stërvitjet tregojnë vendosmërinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kinës për të mbrojtur ribashkimin dhe integritetin territorial të vendit. Stërvitjet jo vetëm që tregojnë fuqinë tonë të paprecedentë dhe vullnetin e palëkundur, porgjithashtu i japën formë të mëtejshme rrethimit të ishullit. Në të njëjtën kohë, ato pasqyrojnë rezultatet e forta të Ushtrisë Çlirimtare të Kinës në reformën ushtarake, stërvitjen dhe gatishmërinë luftarake.”
Su Tzu-Yun | Ekspert Sigurie, Tajvan
“Kjo stërvitje nuk ishte një ndëshkim. Më e rëndësishmja, Kina donte t’i tregonte gjithë botës ambiciet dhe qëllimet e saj politike. Kjo është arsyeja pse ne themi se ky lloj veprimi ushtarak nga Kina është 70 për qind politik dhe 30 për qind ushtarak, kjo është kryesisht një stërvitje politike.”
Amerika, pavarësisht se jo presente fizikisht në këtë mundje krahu të vazhdueshme mes Kinës dhe Tajvanit, është një aktor vendimtar për paqen, po ashtu edhe për ndonjë shpërthim të mundshëm të situatës. Në rrafshin diplomatik mbetet aleati më i madh i Taipeit, pavarësisht se me Kinën, Uashingtoni ka pranuar politikën e Një Kine të Vetme.
Në aspektin ushtarak, Pentagoni është furnizuesi dhe financuesi më i madh i Tajvanit. Presidenti amerikan, Joe Biden, vetëm gjatë këtij viti, akordoi 567 milionë dollarë ndihmë për Ishullin për të fuqizuar mbrojtjen e tij. Përtej kësaj, ushtria e Shteteve të Bashkuara mori aleatin e saj në Azi, Filipinet, për të vënë në skenë lojëra të luftës, si reagim ndaj rrethimit kinez të Tajvanit duke iu përgjigjur “Shpatës” po me “Shpatë”.
Pyetja që lind natyrshëm në këtë rast është: a mund ta mbrojë Amerika-Tajvanin nga kthetrat e “dragoit”? Dhe në rast përfshirje, a do të shpërthente lufta botërore e radhës?
Su Tzu-Yun | Ekspert Sigurie, Tajvan
“Objektivi i këtij raundi stërvitjesh ishte qartësisht që të dërgonte një mesazh për Amerikën, Japoninë dhe vendet e tjera demokratike. Për shembull, në të njëjtën kohë, në veri të Filipineve u zhvillua stërvitja Sama Sama. Pastaj javën e ardhshme, në veri të Tajvanit, SHBA dhe Japonia do të kryejnë stërvitjen ‘Shpata e Mprehtë’, kështu që Kina po dërgon disa mesazhe si për SHBA-të ashtu edhe për Japoninë.”
Kina ka plane konkrete për aneksimin e Tajvanit. Fuqia ushtarake për ta arritur atë lehtësisht nuk i mungon, pasi renditet e treta në botë pas Amerikës dhe Rusisë, me një personel në Forcat e Armatosura që arrin në 3.1 milionë, për të mos përmendur këtu arsenalin e madh të armëve, përfshirë edhe atë bërthamor.
Viti 2027 mund të jetë vendimtar, ndoshta edhe pikënisja e një përplasjeje të armatosur mes Pekinit dhe Taipeti, të paktën sipas një vlerësimi nga ekspertët e sigurisë. Presidenti Xi Jinping e ka përsëritur shpesh kërcënimin e tij me përdorimin e forcës për të bashkuar ishullin që natyra dhe politika e ka ndarë. Por a do të jetë në gjendje komuniteti ndërkombëtar që të zbusë “dragoin” për të arritur një zgjidhje paqësore, për të shmangur jo vetëm konfliktin aziatik, por ndoshta edhe një Luftë Botërore?
Su Tzu-Yun | Ekspert Sigurie, Tajvan
“Duke marrë parasysh zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara, Kina zgjodhi që stërvitjet ushtarake t’i zhvillonte relativisht shkurt. Pavarësisht kësaj, Pekini do të vazhdojë që të përballet me një frikë të madhe, apo thënë ndryshe, gjëja që do të ketë më shumë ndikim negative në Pekin është që ata vetë vijojnë ta furnizojnë teorinë e një kërcënimi ndaj kinës. Kjo do të çojë në një përballe të Pekinit me veprime parandaluese nga SHBA-të, Bashkimi Europian dhe NATO.”
Njerëzit në Tajvan flenë dhe zgjohen thuajse çdo ditë me frikën se lindja e një dielli të ri mund t’i gjejë me ndonjë armë të fiksuar në kokën e tyre, thënë ndryshe i druhen çdo moment një pushtimi kinez.
Një sondazh i fundit i kryer nga organizata të pavarura tregojnë se 50 për qind e të rriturve mbështesin pavarësinë e Tajvanit, 11 për qind janë për bashkimin me Kinën dhe pjesa tjetër preferojnë mbajtjen e një status quo-je. Por në rast të një lufte a ka kapacitete ishulli që të vetëmbrohet apo të rezistojë deri në mbërritjen e ndonjë ndihme të mundshme nga jashtë?
Kuo Yuen-Pin | Pensionist
“Nuk shqetësohemi aspak pasi i besojmë ushtrisë sonë. Ata kanë aftësi për të na mbrojtur kundër çdo forcë që mund të dëshirojë të na pushtojë. Nuk kemi frikë dhe po jetojmë shumë të lumtur. Edhe sot që po fluturojnë avionët e luftës kemi dal këtu dhe po kënaqemi.”
Ben Lai | Ekonomist
“Faktikisht jam i shqetësuar sepse mund të ketë të shtëna aksidentale mes dyja palëve, por kam besim të plotë në ushtrinë dhe autoritetet e vendit tonë. Ne jemi njerëz të thjeshtë që duam të jetojmë dhe punojmë në paqe.”
Su Tzu-Yun | Ekspert Sigurie, Tajvan
“Aktualisht ekonomia e Pekinit është në rënie, po tkurret. Por sërish ata kanë aftësi për të mbajtur këtë nivel ushtrie, e cila mban nën alarm Tajvanin. Ndërsa në njërën anë Ushtria Çlirimtare e Kinës tregon forcën e saj, nga perspektiva jonë, Tajvani ka një mundësi për të kuptuar formacionet, taktikat e tyre të betejës dhe sinjalet e armëve dhe pajisjeve të tyre. Megjithatë, Tajvani fillimisht duhet të fuqizojë aftësitë e veta mbrojtëse, përfshirë posedimin e të gjitha llojeve të rakeve kundër anijeve dhe ato ajrore. Në atë situatë, Pekini do të mendohet mirë përpara se të përdorë forcën. Me pak fjalë, vetëm nëse mendojmë për më të keqen ushtarakisht, ne mund ta ruajmë paqen vërtetë.”
Përballë aromës së luftës me shumë barut në Azi, ajo që nuk duhet nënvlerësuar është mundësia e paqes. Njerëzit nga të dyja anët, Kina dhe Tajvani, nuk dëshirojnë që gjithçka e arritur me shumë mund të shuhet para syve, siç ndodhi në rastin e Ukrainës me Rusinë, ku me miliona njerëz panë me dëshpërim t’u shkatërrohej gjithçka para syve.
Pas disa luftrave nga viti 1949, konflikteve diplomatike, ndryshimeve të shpeshta të statusit, Tajvani dhe Kina zhvilluan kontakte të nivelit të lartë për 8 vite me radhë në vitin 2008. Por raportet u përkeqësuan ndjeshëm nga 2016 e deri më sot, dhe pavarësisht kësaj shpresa për paqe ende nuk është venitur, të paktën përderisa nuk është qëlluar plumbi i parë. Por cila do të ishte ajo zgjidhje, pra e mesmja e artë, që do të kënaqte të dyja palët?