Loja e rrezikshme Balena Blu ka mbërritur edhe në Shqipëri.
Rasti më i fundit është ai i një 14 vjeçare nga fshati Labovë e Kryqit, Gjirokastrës, e cila ka rënë pre e kësaj loje. 14 vjeçarja është nxënëse e shkollës “Koto Hoxhi” në Gjirokastër. Nëna Alketa e dërgonte vajzën në qytet pasi në fshat nuk kishte shkollë.
Dritare.net kontaktoi me 14 vjeçaren, viktimë të kësaj loje vdekjeprurëse dhe nënën e saj.
Loja Balena Blu ka nisur në Rusi dhe është përhapur me shpejtësi në të gjithë botën.
Vetëm në Rusi janë 150 adoleshentë dhe fëmijë të vdekur nga kjo lojë.
Rrëfimi i nënës, Alketa C.
Vajza ishte duke shkuar për në shkollë dhe te autobusi takoi një vajzë, që e quanin Ana, mbiemrin nuk ia dimë, dimë vetëm që ishte rreth 17 vjeçe. Ajo ia prezantoi vajzës lojën dhe i tha që është shumë e bukur. Anika u bind dhe nisi ta luante. Në atë kohë i tha Anikës që ke një gjilpërë me vete, jo i tha vajza. Nuk ka problem, ia kishte kthyer Ana, sepse kam unë. Gjilpëra ishte që vajza të shponte duart dhe të bënte balenën blu. Ana nuk e luante lojën, i thoshte vajzës sime që ta përhapte fjalën edhe me miqtë e vetë, që të luanin sa më shumë këtë lojë. Telefon goca ime nuk ka, ajo luante me telefonin e Anës, rrëfen Alketa për dritare.net.
Është një lojë vdekjeprurëse, shumë e rrezikshme për shëndetin. Anika kishte arritur në nivelin 33 dhe donte e 17 ditë, që Balena t’i kërkonte të hidhej nga një lartësi shumë e madhe ose të varte veten, më pas do të ngjallej prapë. Kur unë e pyeta Anikën se përse ishte me gjak, ajo më tha që ishte vrarë, nuk hapej fare me ne, ishte mbyllur në vetvete. Për 1 muaj ajo është shpuar dy-tre herë. Çdo ditë kalonte nga një nivel dhe loja zgjaste 50 ditë.
Kur mbaronte shkolla, vajza takonte Anën dhe në atë kohë i bënte ato që i kërkonte Balena. Balena i kërkonte të gjuante veten me shpulla, të ikte nga ora e mësimit, mos të shkonte në shkollë, të merrte 4, të lagte shoqet me ujë, të zihej me shokët, të shkruante një letër e të kërcënonte njerëzit, të mos hante bukë kur vinte në shtëpi, të çohej në orën 4 të mëngjesit, të rrinte pa gjumë, të hante vetëm mish. Vajza ime i ka bërë të gjitha këto.
Ajo ka qenë një fëmijë i mbarë gjithmonë, e hedhur, shumë e zgjuar. Nuk e di pse vajza i bëri këto gjëra, e ka detyruar Ana ta bëjë një gjë të tillë. Nuk e di sesi vajza arriti në këtë gjendje. Unë kam dhe një vajzë tjetër, por Anika nuk fliste fare as me të.
Ishte mësuesja ajo që komunikoi me ne, unë nuk dija gjë për këtë Balenën Blu.
Shkuam edhe në Komisariat që denoncuam rastin, ndërkohë vajza tani është edhe në kujdesin e psikologëve.
Rrëfimi i vajzës, Anika C.
Unë nuk e di ku Ana e bën shkollën, nuk e njoh. Më foli e para dhe më tha e luan këtë lojë, jo i thashë unë. Nuk e njihja si lojë më parë. Kur e pyeta, nëse ajo e luante, ajo më tha që jo, por e ka shkarkuar sepse është një lojë shumë interesante dhe që unë duhet ta provoja njëherë.
Informacionet për Balenën Blu unë i mësova nga lajmet, por ishte pasi unë e kisha nisur të luaja. Por, është shumë e vështirë të dalësh nga ajo lojë. Ti e humbet veten dhe kalon në një gjendje depresioni, për të shkuar në fund që ti bën vetëvrasje, rrëfen Anika për dritare.net.
Ditën e parë mu kërkua nga Balena, të dhënat e mija, emër, mbiemër, mosha, foto, jo vetëm timen, por edhe të prindërve. Madje fillonte të kërcënonte që nëse e fshija lojën nga telefoni, do t’i bënte keq familjes time, do të më vriste prindërit e motrën.
Duhet të vërtetoja që unë po e bëja lojën, prandaj duhet të bëja video ose foto. Veprimet i bëja me Anën prezente, ajo nuk më thoshte gjë, thjesht më shikonte e më stimulonte t’i bëja gjërat.
Në ditën e dytë duhet të gjuaja veten me shpulla dhe të dërgoja videon që e kisha bërë. Unë flisja në anglisht me të. Në lajme dëgjova më pas që është një djalë 21 vjeçar që quhet Aleksandër, por është kapur e futur në burg. Ndërkohë janë shokët e tij që e përdorin këtë lojë dhe policia e ka të vështirë t’i kapë ata.
Nuk e di se ku e gjeta guximin që shkova dhe fola me disa shoqe në shkollë, e i thashë që vetëm e luaj këtë lojë. Ishin ato që lajmëruam mësuesen, e cila lajmëroi prindërit e mi, tregon Anika për dritare.net.
Unë njoh dhe dy persona të tjerë që e di që e luajnë këtë lojë, janë në klasë me mua, por nuk e di nëse i kanë bërë këto veprime që kam bërë e unë apo jo. Unë kam folur me ta dhe ata më kanë thënë që edhe për ata është lojë e bukur. Unë fola me mësuesen kujdestare që të lajmëronte prindërit e tyre e t’i lajmëronin që e ata fëmijë po e luanin këtë lojë.
Ndihesha sikur e gjithë bota më urrente e nuk më donte, isha mbyllur në vetvete, madje dhe balena më kërkonte që të rrija në një vend të errët e vetëm.
Më kanë thënë që nëse unë do të bëja të gjitha nivelet do të më jepnin diçka që do ma thoshin në fund e që unë do të ringjallesha përsëri. Të njëjtat gjëra i thotë të gjithëve.
Tani jam më e qetë, më e çliruar dhe një gabim që unë jam penduar e nuk do kthehem më kurrë.
I them të gjithë fëmijëve që mos ta luajnë më këtë lojë sepse është shumë e rrezikshme dhe prindërit të kontrollojnë telefonat e fëmijëve sepse asnjëherë nuk i dihet./dritare.net
P.S: Dritare.net ka fotot e vajzës dhe identitetin e saj të plotë, por nuk i publikojmë pasi ajo është e mitur dhe ky është një rast në hetim nga policia e Gjirokastrës. /b.d