• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, January 25, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Dossier

Rrëfimi i Xhelil Gjonit: Ngjarja e paprecedentë kur e gjithë Byroja Politike u shkarkua dhe u përjashtua nga partia brenda pak orësh 30 vjet më parë

by Java News
09/06/2021 23:15
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Intervistës me Xhelil Gjonin, pasardhësin e Ramiz Alisë në krye të Partisë së Punës po i vjen fundi. Kjo është pjesa e katërt dhe e fundit e këtij cikli. Kam vënë re një interes të shtuar tek lexuesit e DITA-s, pasi Xhelili aktualisht mund të konsiderohet si “I fundmi i Mohikanëve” të ish-udhëheqësve komunistë. Dhe ajo kohë dhe ato ngjarje nuk janë ndriçuar ende tërësisht. Kanë folur protagonistë të ndryshëm, ose të pretenduar si të tillë, por rrëfimi i Xhelil Gjonit ka një peshë të veçantë në këtë histori. Dhe ai guxon të tregojë intrigat dhe dashuritë në politikë, ndërkohë që Partia Socialiste do të kremtojë pas pak ditësh 30-vjetorin e krijimit të saj. Cilat janë devijimet që ka pësuar PS në vite dhe pse pasardhësi i Ramiz Alisë nuk e gjen dot veten në PS…

Intervistoi Xhevdet Shehu

 (Vijon nga numri i kaluar)

– Zoti Xhelil, në atë Kongres të 10-të të PPSH u mor një vendim ekstrem i paprecedent në historinë e asaj partie: përjashtim nga partia të të gjithë anëtarëve të Byrosë Politike, përfshi Ramiz Alinë dhe juve. Edhe Nexhmije Hoxha u përjashtua. Më lejoni të abstragoj pak: Sikur të ishte gjallë Enver Hoxha, si do të sillej me ju të përjashtuarit pas këtij vendimi? A do të quheshit ju tradhtarë dhe armiq të partisë dhe të popullit?

– (Nënqesh). Po ajo dihet, Xhevdet. Kur të dilnim nga salla një nga një do të na hidheshin prangat. Pastaj… Po meqë edhe vumë në dukje disa gabime të udhëheqësit, mund të ishte bërë gati ndonjë skuadër e armatosur dhe do të na kishin pushkatuar të gjithëve te shkallët e Pallatit të Kongreseve. Nejse, kjo është sa për humor. Ndonëse humor i zi. Ti fantazo sa të duash. Në të vërtetë nuk ndodhi asgjë nga këto. Sepse kishin ndryshuar kohët. Aty u mbyll kapitulli i Partisë së Punës dhe filloi kapitulli i Partisë Socialiste dhe në kushtet e reja që ishin krijuar nuk mund të imagjinoheshin gjëra të tilla ekstreme.

– Në intervistën e djeshme ne u morëm me meritat dhe gabimet e Enverit, ndërsa nuk folëm për pasardhësin e tij, Ramiz Alinë. Cila është përgjegjësia e Ramizit në dështimin e socializmit dhe të Partisë së Punës? 

– Ramiz Alia ishte i caktuar nga vetë Enveri si pasardhës i tij dhe në atë pozicion ai ka përgjegjësitë e tij. Vitet e fundit të socializmit përbëjnë një nga periudhat më të vështira në jetën e Partisë. Në kushtet e krizës që po kalonte vendi, zhvillimet e brendshme dhe ndikimet e proceseve të jashtme demokratizuese shtronin detyra të mëdha e të vështira për Partinë. U shtrua detyra: Të hyhej në një etapë të re në zhvillimet demokratike apo do të pengoheshin ato. Është fakt që Partia gjeti forca e u hapi dritën jeshile proceseve demokratike. Këtu një rol të veçantë ka patur Ramiz Alia. Në figurën e tij si personalitet politik është e lidhur ngushtë e shkuara dhe e sotmja. Duke qenë për një kohë të gjatë në udhëheqjen më të lartë të Partisë ai ka pjesën e vet në sukseset e arritura, por sidomos edhe të dështimeve e gabimeve që ishin bërë nga udhëheqja e Partisë. Si drejtues për një kohë të gjatë i

propagandës së Partisë ai mban përgjegjësi për edukimin shkollaresk e akademik që zuri rrënjë, për zhvillimin e një agjitacioni e propagande që evidentonte vetëm sukseset e nuk tregonte gabimet e të metat, pa lëre pastaj të hapte horizonte.

Atij iu besua drejtimi i Partisë në një nga periudhat më të vështira të jetës se saj, kur filluan të manifestoheshin hapur të këqijat e akumuluara. Prandaj ai u përpoq të kërkonte rrugë të reja zhvillimi.

Mirëpo këtë e kushtëzoi fort me vazhdimësinë dhe u synua të mos prekej fare trashëgimia e së kaluarës. Ky mentalitet që nuk lejoi që të ndahej e mira nga e keqja, ka qenë i dëmshëm dhe i rrezikshëm….

Ngurrimet e ngadalësitë e vërejtura tek ai shpjegohen me ambientin rreth e qark, me frymën e përgjithshme që ka sunduar në Parti e jashtë saj. Ndikimi i tij personal për krijimin e një klime të re pune

në Parti e në shtet duhej të ishte më me peshë e vendimtar. Ai mban përgjegjësi për plakjen e mos ripërtëritjen e udhëheqjes dhe shuarjen e forcës aktive të saj.

Vlerësimi i punës së Ramiz Alisë nuk do të ishte i plotë pa vënë në dukje e pa qortuar qëndrimin e tij sentimental ndaj disa shokëve e bashkëpunëtorëve të afërt, që bënin pjesë në udhëheqjen e lartë të

Partisë e të Shtetit, si dhe ndaj mefshtësisë, paaftësisë, madje edhe përfitimet e tyre. Në këtë pikë ai duhej të ishte treguar i prerë, i vendosur dhe aktiv. Qëndrimi ndaj burokracisë së aparateve partiake

e shtetërore kishte nevojë për veprimet energjike nga ana e tij, veprime që në të vërtetë kishin munguar.

Kur i bënit këto kritika Ramiz Alisë nga tribuna e Kongresit, ai ndodhej në lozhë dhe ju dëgjonte… Cili ishte reagimi i tij?

– Këto kritika nuk i priti mirë Ramizi. Unë nuk prisja që ai t’i duartrokiste, unë prisja që ai do të merrte kurajën t’i thellonte ato me një autokritikë-analizë, por në mungesë respekti për delegatët, mori

mendimin të zbriste nga lozha ku shoqërohej nga Kastriot Islami, doli në tribunë dhe deklaroi as më shumë e as më pak: “E shihni me cilët kam pas të bëj”, duke fajësuar të tjerët, anëtarët e byrosë, sikur nuk i zgjodhi vetë në Kongresin e 9-të Partisë, të cilin e quajti “Kongresi i vazhdimësisë”.

Por jo vetëm kaq. Në qoftë se më lart u fol për rritje të kultit të Enverit, këtë përgjegjësi e mbante në radhë të parë Ramiz Alia dhe jo në përgjithësi udhëheqja e Partisë.

E para, ai si drejtues kryesor i demagogjisë dhe propagandës nuk duhej ta fshihte dhe duhej t’i ndalonte me rreptësi veprimet dhe teprimet në ngritjen e kultit.

E dyta, ai i gjallëroi ato vetë, sidomos pas vdekjes së Enver Hoxhës. Ai së bashku me të tjerë…

– Në atë kongres u kalua në një etapë të re, në atë të Partisë Socialiste që kemi sot. Si i konceptuat marrëdhëniet me forcat e tjera politike e shoqërore që kishin dalë në skenë në kushtet e pluralizmit politik?

– Në kushtet e pluralizmit bëhet i domosdoshëm përcaktimi i qartë i qëndrimeve tona ndaj forcave të tjera politike apo shoqërore qofshin, dhe zhvillimi i marrëdhënieve përkatëse me to.

Në përcaktimin e këtyre qëndrimeve duhet të nisemi nga studimi i shumë faktorëve: baza sociale mbi të cilën mbështeteshin forcat e tjera, interesat që ato përfaqësonin dhe mbronin, programet dhe objektivat e tyre të shkruara, strategjitë e taktikat që ndiqnin realisht, marrëdhëniet që mbanin midis tyre e me forcat analoge të huaja, e më së fundi edhe nga qëndrimi i tyre ndaj Partisë sonë. Këtë studim e përcaktim, u tha se duhet ta bëjmë në çdo nivel, jo vetëm në tërësi, por edhe në çdo terren konkret, territor apo njësi prodhimi qoftë, dhe ta ndjekim në evolucionin e vet deri edhe të çdo individi.

– Ju i shihnit forcat e tjera politike si kundërshtarë politikë apo si armiq?

– Para së gjithash ne duhet të nisemi nga fakti që kemi të bëjmë me grupime politike shqiptare. Nga kjo pikëpamje, duke patur parasysh interesin kombëtar, në cilindo rast kemi një bazë bashkëpunimi me to.

Po t’i shohim nga pikëpamja sociale vërejtëm që edhe në forcat e opozitës ka punëtorë, fshatarë, intelektualë. Edhe nga kjo anë burojnë interesat themelore, të natyrshme të përbashkëta; dallimi qëndron në alternativat që ka secili prej nesh për mbrojtjen e tyre e që shprehen në programet e shkruara. Në këto dy aspekte ne kishim mjaft elemente bazë diskutimi e dialogu konstruktiv për të gjetur e ndërtuar zgjidhjen në interesat e të gjitha palëve, çka do të thotë në interes të vendit e të popullit tonë.

Por megjithatë ne ishim në gjendje të dallonim se në disa prej këtyre formacioneve, krahas njerëzve të ekuilibruar e me alternativë ideore të ndryshme nga tonat, kishte edhe elementë të cilët kishin hyrë në to për motive hakmarrjeje, kishte revanshistë të skajshëm, kishte njerëz që s‘kanë ditur të dallojnë Partinë nga veprimet e teprimet e anëtarëve apo drejtuesve të veçantë të saj, ka edhe nga ata që kishin lënë Partinë tonë jo aq për “ideale të mëdha” se sa për përfitime personale të çdo lloji; kishte edhe nga ata të gënjyer nga parullat propagandistike dhe euforike të ditës. Megjithatë ne kishim besim që mendjekthjelltësitë e të ekuilibruarit, që fatmirësisht nuk mungonin në radhët e forcave opozitare, se do të arrinin që të ndriçonin edhe mendjet e “nxehta”. Sa i takon të gabuarve, të nxituarve e të gënjyerve, ne theksuam se me kohë e me veprën konkrete të Partisë sonë, ata do të kenë mundësi të ridimensionojnë vlerësimet e qëndrimet

e tyre. Ata më qesharakët padyshim ishin dhe mbeten ata që kishin mbajtur teserat e Partisë së Punës në xhep. Ata mbeten nga njerëzit më të neveritshëm.

 

– Sa ia arritët këtij objektivi?

– Fatkeqësisht nuk e arritëm plotësisht këtë objektiv sa për papërgjegjshmërinë e kundërshtarëve tanë, por edhe një pjesë të përgjegjësisë e ka dhe pala jonë, pra Partia Socialiste. E them këtë pasi unë nuk e gjeta dot veten brenda PS-së dhe u largova herët prej saj, ndërsa Partia Socialiste aktualisht ka ndryshuar shumë duke u shkëputur apo larguar nga parimet e qarta mbi të cilat ajo u krijua. Ajo ka rrëshqitur shumë djathtas, aq sa nuk mund të quhet një parti e mirëfilltë e majtë. Kryetari i PS-së vete e i ngre memorial kryetarit kolaboracionist të Ballit Kombëtar, gjë që ishte dhe është e paimagjinueshme nga çdo socialist i vërtetë. Ka edhe fakte të tjera për këtë që reflektohen në konceptet qeverisëse…

Vëreni se cilat ishin piketat që ne vumë në Kongres për marrëdhëniet me opozitën dhe ku dallonim nga ajo: Megjithatë, më të rëndësishme e afatgjata janë dallimet thelbësore në objektivat strategjike, të cilat nuk mund të sjellin në kontradikta e ballafaqim forcash. Ne theksuam në Kongres se detyra dhe përpjekja e përhershme e Partisë sonë do të jetë që këto ballafaqime të zhvillohen në rrugë e me metoda demokratike të njohura ligjërisht dhe të mbeten në cilindo rast në planin e debatit të kulturuar publik, që zgjidhja e tyre të bëhet pa dhimbje sociale dhe pa cenuar unitetin kombëtar, aq të domosdoshëm për vendin tonë të vogël. Si shprehëse të organizuara të mendimit pluralist që ekziston në shoqërinë tonë dhe gjithashtu edhe si oponencë për hapat që hedh e do të hedhë në të ardhmen Partia jonë, ne do të dëshironim opozitën serioze e përherë konstruktive. Do të dëshironim gjithashtu që edhe ajo në arritje të objektivave të saj të përdorë vetëm mjete demokratike, pa asnjë ekses, jo më fizik, por as politik, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Ndërtimin e marrëdhënieve me opozitën, ne vumë detyrë të mbështesim në radhë të parë punën për realizimin e programit elektoral e partiak. E bëmë e do ta bëjmë këtë në radhë të parë duke afirmuar realisht kontributin tonë për shoqërinë e për popullin, e jo në ballafaqime të panevojshme, me cilëndo forcë opozitare; ne e shohim këtë edhe si një optimizëm në harxhimin e energjive. Marrëdhëniet me opozitën i mbështesim edhe në përtëritjen dhe forcimin e vetvetes, përmes një organizimi më të mirë, kulturimit dhe aftësimit të anëtarëve të partisë e hallkave drejtuese me të gjitha rregullat e debatit të pastër, por jo naiv, politik e ideologjik në një sistem pluralist. Marrëdhëniet me opozitën, në cilindo nivel qoftë, duke filluar nga militantet e bazës e deri në hallkat drejtuese, ne i bazojmë në sqarimin e vijës sonë, në shembullin e mirë të anëtarëve të partisë për respektimin e ligjeve të shtetit e në kryerjen me profesionalizëm të lartë të cilës do detyrë prodhuese apo shtetërore, në sjelljen korrekte në shoqëri, në tolerancë e në frymën e diskutimit miqësor, në të cilin gjithsecili ka të drejtë të sqarojë pozicionin e tij, pa i imponuar tjetrit mendimin e vet. Eksperienca e deritanishme e fituar tregoi epërsitë e maturisë e të tolerancës mbi nxitimet e qëndrimet pasionante.

– Qartë. Po sa iu përmbajtën pasardhësit tuaj kësaj platforme apo programi që ju shpallët në atë kongres?

– Unë flas për ato që ne projektuam. Zbatuesit apo vazhduesit kanë mendimin e tyre dhe le të flasin. Ne treguam se kjo është rruga e maturisë që duhej ndjekur, rruga e sigurt për të ruajtur unitetin kombëtar, por edhe për të mbrojtur me vendosmëri e zbatuar vijën e Partisë në të gjithë pikat kyçe që kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit, realizimin gradual të ekonomisë së tregut, mbrojtjen e interesave e të drejtave sociale të punëtorëve, fshatarëve, intelektualëve dhe punonjësve të shtresave të tjera, e gjithashtu me garantimin e pavarësisë e të identitetit kombëtar në të gjitha llojet e marrëdhënieve me të huajt.

Ju mund të pyesni se si i ndërtuam marrëdhëniet me anëtarët e Partisë sonë në organizata të tilla pluraliste si sindikatat, rinia etj.? Edhe atje ne thamë se mund edhe të marrim pjesë, sipas kërkesave të statuteve përkatëse, jo për t’i instrumentalizuar, por për të dhënë ndihmën tonë në realizimin e interesave themelore që bashkon anëtarët e këtyre organizatave. Ne thamë se do të dëshironim dhe do punojmë që së bashku me opozitën, me rininë e sindikatat të përqendrohemi bashkërisht, në shtyp,

propaganda dhe në veprimtaritë praktike, në probleme të tilla madhore si dalja nga kriza ekonomike, lufta kundër burokracisë dhe paaftësisë në aparatin shtetëror e për pastrimin e tij nga të korruptuarit, në përcaktimin e drejtimeve kryesore të rinovimit teknologjik, në edukimin patriotik e profesional të rinise sonë, në krijimin e profesioneve të reja që i duhen e do t’i duhen vendit, në përpunimin e politikave për modernizimin e shkollave tona të të gjithë llojeve, në mënyrat se si do të duhet të ruajmë e të zhvillojmë pasurinë kulturore kombëtare në kushtet e rritjes se fluksit të kulturave të tjera, që bashkë me zhvillimin rrezikojmë edhe dobësimin e identitetit. Madje mund të shkojmë deri në zhvendosjen e objektit të debateve nëpër ndërmarrje e njësi të tjera nga “politikat e mëdha”, në zgjidhjen e problemeve të brendshme të tyre ekonomike dhe në kryerjen me profesionalizëm të

lartë të detyrës nga ana e gjithsecilit, punonjës i thjeshtë, specialist apo administrator qoftë.

Objektivi i Partisë sonë theksuam se në këto marrëdhënie është që krahas çlirimit të të gjithë potencialeve e konvergimit të tyre për zgjidhjen e problemeve tona ekonomike e sociale, të sigurojë ndërtimin e një demokracie pluraliste efektive dhe mbi baza e interesa themelore kombëtare, të realizojë unitetin e popullit…

– Si shpjegohet fakti që klasa jonë e sotme politike distancohet dhe nuk i pëlqen të ballafaqohet me të kaluarën? Pa le t’u përmendësh Enver Hoxhën dhe ndonjë arritje të socializmit?

– Për ç’klasë politike po më flet, miku im? Këtu ne nuk kemi klasë politike. Ne këtu kemi klane politike që mendojnë dhe luftojnë vetëm për interesat e tyre vetiake. Idealet kombëtare duket se kanë vdekur tek ata. A nuk e keni vënë re këtë realitet. Ata, përfaqësuesit e këtyre klaneve mund të hahen si peshkaqenë me njëri-tjetrin thjesht për të shtuar llogaritë bankare të tyre, por jo për ideale të larta kombëtare. Prandaj kanë frikë të ballafaqohen me të kaluarën.

– Zoti Xhelil, ndërkohë që ju më tregonit këto mbresa të 30 viteve më parë, mendoja me vete: këto duhet të jenë episode të ndonjë libri që ju ose e keni shkruar, ose keni ndërmend ta shkruani. Sa e vërtetë është kjo?

– Është plotësisht e vërtetë. Unë jam në përfundim të një libri mbi përvojën time në politikë që mendoj se do të botohet pas ca kohësh. Po ju tregoj edhe titullin e librit: “Intrigë dhe dashuri në politikë”. Ju pëlqen?

– Më duket shumë intrigues dhe do ta lexoj me ëndje. Sepse ju keni qenë një aktur i rëndësishëm në politikë në një periudhë kyçe në Shqipëri. Dhe dini shumë nga ajo kohë dhe nga kjo kohë… Ju uroj sukses!

– Faleminderit! Besoj se gazeta DITA dhe ti Xhevdet do të jeni promovuesit e parë të tij…

Next Post
Mot i kthjellët dhe temperatura në rritje/ Çfarë duhet të dini nëse do udhëtoni në jug të vendit

Dita nis me kthjellime, zbuloni si do të ndryshojë moti pasdite

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Veliaj 54-55 përqind dhe Këlliçi 45-46 përqind në pesë javët e fundit

Fjalime, molotovë, dhe… në rishikim

January 24, 2026
FOTOLAJM/ Deputeti me kobure përplaset me policët që ndiqnin protestuesit në rrugët e Tiranës

FOTOLAJM/ Deputeti me kobure përplaset me policët që ndiqnin protestuesit në rrugët e Tiranës

January 24, 2026
Protesta para Kryeministrisë/ Boçi: Ky s’është vendi i qeverisë, por i hajnisë! Blushi: Regjimet bien vetëm kur…

Protesta para Kryeministrisë/ Boçi: Ky s’është vendi i qeverisë, por i hajnisë! Blushi: Regjimet bien vetëm kur…

January 24, 2026
“Narkopolicia sulmoi në mënyrë të çmendur protestuesit”, Berisha: Kërkoj lirimin e 25 demonstruesve

“Narkopolicia sulmoi në mënyrë të çmendur protestuesit”, Berisha: Kërkoj lirimin e 25 demonstruesve

January 24, 2026
Protesta para Kryeministrisë dhe Kuvendit/ 11 efektivë të plagosur nga sulmet me molotov, identifikohen autorët

Protesta para Kryeministrisë dhe Kuvendit/ 11 efektivë të plagosur nga sulmet me molotov, identifikohen autorët

January 24, 2026
“Mos i prekni çunat! Jeni plehra”, deputeti demokrat përplaset me policët gjatë shoqërimit të protestuesve

“Mos i prekni çunat! Jeni plehra”, deputeti demokrat përplaset me policët gjatë shoqërimit të protestuesve

January 24, 2026
Mbyllet pas 3 orësh protesta e PD, Berisha përgëzon demonstruesit: Bravo! Po bëni historinë, do mblidhemi sërish

Mbyllet pas 3 orësh protesta e PD, Berisha përgëzon demonstruesit: Bravo! Po bëni historinë, do mblidhemi sërish

January 24, 2026
“Mblidhet një valë turme pëdëistësh”, Petro Koçi: Si mund të ketë sukses një protestë për të “rilindur” Berishën!?

“Mblidhet një valë turme pëdëistësh”, Petro Koçi: Si mund të ketë sukses një protestë për të “rilindur” Berishën!?

January 24, 2026

Pse Berisha përsërit se nuk pret të vijë në pushtet nga SHBA

January 24, 2026
Vijon protesta para Kuvendit, arrestime dhe të lënduar! Policia iu përgjigjet me gaz lotsjellës

Vijon protesta para Kuvendit, arrestime dhe të lënduar! Policia iu përgjigjet me gaz lotsjellës

January 24, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In